TIRANE - Pas datës 1 Shkurt, kushdo që të kapet duke kryer punime në ndërtim pa pasur një leje nga njësia vendore do të dënohet nga 1 deri në 8 vite burg. Kjo masë ndëshkuese do të jetë edhe për pronarët, të cilët ndërtojnë në tokën e tyre dhe nuk disponojnë një leje ndërtimi.
 
Në datën 14 janar është publikuar në Fletoren Zyrtare një ligj për ndërtimet e paligjshme, i cili konsiston në faktin se askush nuk do të mund të ndërtojë pa pasur më parë një leje ndërtimi. Ky ligj hyn në fuqi pas 15 ditësh nga publikimi në fletoren zyrtare çka do të thotë se prej datës 1 shkurt nis zbatimi i tij.
 
Ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë të cilat i referohen ndërtimeve të paligjshme parashikojnë që ndërtimet pa leje dhe bashkëpunimi në ndërtim konsiderohen vepër penale dhe do të dënohen me burg nga 1-8 vjet.
 
Megjithatë në pika të veçanta ligji parashikon që nëse kjo vepër penale kryhet në tokën publike, shtetërore apo të tjetrit dënohet me burg nga 1-5 vite. Ndërsa në rastet kur ndërtimi sjell pasoja të rënda apo kryhet për qëllime fitimi dënimi varion nga 3-8 vjet.
 
Po ashtu kompanitë të cilat do të jenë pjesë e ndërtimeve pa leje, çka do të thotë se kushdo që kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrje apo zbatim punimesh do të dënohen me 3 vjet burg.
 
Prej nisjes së aksionit kundër ndërtimeve pa leje, policia dhe Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar vazhdojnë me prishjen e objekteve informale në të gjithë vendin.

Redaksia Online
(F.M/Shqiptarja.com)