Fshati Lusën, pjesë e Njësisë Administrative Ujmisht në Bashkinë Kukës, po përballet me një braktisje të vazhdueshme të banorëve si pasojë e mungesës së infrastrukturës.

Rruga e brendshme prej rreth 8 kilometrash që lidh fshatin me qytetin e Kukësit është në gjendje të amortizuar dhe gjatë dimrit apo reshjeve të dendura shpesh bëhet e pakalueshme.

Kryeplaku i fshatit, Jonuz Kolgjini, thotë se përveç largimit të banorëve, po braktiset edhe blegtoria, ndërsa në disa familje mungon edhe uji i pijshëm. Sipas tij, Bashkia Kukës është kufizuar vetëm në ndërhyrje për mirëmbajtjen e rrugës gjatë reshjeve të borës ose shirave, pa realizuar investime për rikonstruksionin e saj.

Kryeplaku tregon se fenomeni i largimit të banorëve është përshpejtuar në vitet 2010–2015. Nga mbi 150 familje që jetonin dikur në Lusën, sot kanë mbetur vetëm rreth 70, ndërsa rikthimi i banorëve është pothuajse i pamundur. Vetëm rreth 15 familje kthehen gjatë verës për pushime.

Ashtu si shumë zona të thella malore të Kukësit, edhe Lusna po përjeton pasojat e shpopullimit. Shtëpitë e braktisura janë shtuar, ndërsa ekonomia e fshatit, e mbështetur kryesisht në bujqësi dhe blegtori tradicionale, po dobësohet nga mungesa e tregjeve për shitjen e produkteve dhe mungesa e subvencioneve për fermerët.