Nga ’45 me diktaturën deri në ’99, Akademia Albanologjike përmbyll Historinë Shqiptare të shek. XX! 5 vëllime me risi e personazhe në jetë, Krasniqi: Shteti ta promovojë!

10 vjet punë kërkimore, me referenca vendase e të huaja, Instituti i Historisë, pjesë e Akademisë së Studimeve Albanologjike përmbyll “Historinë e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, në 5 vëllime.

“Ky është projekt madhor për dy arsye. Së pari, sepse trajton historinë e shek.XX, por madhor edhe për faktin se vjen 15 vjet pasi është botuar teksti i fundit i Historisë së Shqipërisë. Dhe, në këto 15 vjet ne kemi pasur ndryshime të dukshme në raport me arkivat dhe burimet arkivore. Një sërë shtetesh kanë krijuar akses më të madh në arkivat e tyre dhe tek ne është hequr ajo që quhet kontrolli i Arkivave për të gjithë periudhat, përfshirë edhe periudhën bashkëkohore”, shprehet studiuesi Afrim Krasniqi, pjesë e grupit të punës, njëherazi drejtor i Institutit të Historisë.

Një grup pune me mbi 28 studiues ka kontribuuar në vëllimin V, që trajton periudhën nga viti 1945 në ’99-ën.

“Qëllimi kryesor i këtij botimi ka qenë për të sjellë prurje të cilat nuk janë trajtuar. Sidomos burime arkivore alternative dhe për të harmonizuar burimet shqiptare me burimet ndërkombëtare, si dhe për të parë përputhshmërinë e fakteve, tezave dhe qëndrimeve që kanë pasur, duke i parë jo në kontekstin e sotëm, por në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur dhe në kontekstin gjeopolitik, rajonal dhe faktorët dhe ndikimi që kanë pasur në një moment të caktuar”, shprehet historiani.

Periudha e komunizmit, fund vitet ’80 dhe dekada e parë e tranzicionit vijnë me risi në dokumente, teza, ngjarje e ballafaqim të tyre, sikundër edhe katër vëllimet paraprake.

“Një nga risitë kryesore të vëllimit V-të është që për herë të parë trajtohet në mënyrë të detajuar ajo që quhet periudha e komunizmit në Shqipëri. Dhe, sidomos në elementë të cilët nuk janë trajtuar që lidhen me politikën e jashtme në raport me shtete të veçanta, shkëmbimet ekonomike, sistemi i kredive, sistemi i ndërhyrjes, ndikimet e raporteve, aleancat me Bashkimin Sovjetik, me Jugosllavinë, Kinën dhe periudha e izolimit. Elementë që lidhen me jetën e përditshme të shqiptarëve etj.”, shton më tej studiuesi.

Veçmas për komunizmin, por edhe vitet e para ’90, si periudhë e re historike, vetë historianët kanë pohuar më herët mungesën e studimeve profesionale, ndaj botimi voluminoz i ASA-s, shënon një nga ngjarjet më kulminate për Historinë e Shqiptarëve.

“Një nga gjërat që ne kërkojmë nga institucionet, është që botime të tilla profesionale të promovohen nga ana e shtetit. Ne nuk presim që zyrtarët e lartë të shtetit, t’i marrin librat tanë dhe t’i vendosin në vitrinat e tyre për të mbushur raftet, apo për ti paraqit si dhurata... Ne duam që librat tanë të studiohen, të lexohen dhe të komentohen nëse ka gjëra për të komentuar. Në këtë lloj aspekti, kapacitetet e shtetit tonë për ti çuar librat në të gjitha qendrat kërkimore akademike në Evropë edhe më tej, janë shumë më të mëdha se kapacitetet tona për ta bërë këtë gjë”, thotë studiuesi.

Vetë studiuesi Afrim Krasniqi, që trajton periudhën më të fundit të fundit në “Historinë e Shqiptarëve”, shpjegon se si është për historianët të shkruajnë për personazhe publikë, që janë ende në jetë dhe gëzojnë funksione publike.

“Është e vështirë sepse në Shqipëri historia lexohet ende me konotacione politike dhe personale, mirëpo nga pozita e një historiani nuk mendoj se është e vështirë. Ne kemi arkiva në dispozicion, dhe sado që të imponojë sot debati politik, debati mediatik, postet që kanë individë të caktuar apo lidhjet e tyre personale, fakti historik ngelet”, shton ai.

Botimi, ndërkaq referuar tranzicionit, shërben edhe për të reflektuar mbi degëzimet politike që rrodhën në postdiktaturë, personazhet që kontribuua për pluralizmin, përfshirë ata që s’janë pjesë e politikës...

Ndërkaq, Akademia e Shkencave është duke shkruar të plotë “Historinë e Shqiptarëve” , a do ketë shekulli XX-një trajtesë tjetër, apo referencë do të jenë 5 vëllimet e ASA-s, tanimë që Qeveria vendosi t’i shkrijë institucionet?

“Ne duhet të presim se cili do të jetë produkti i tyre, por gjithsesi për numrin e dokumenteve që janë përdorur, arkivat që janë përdorur, tezat që janë përdorur, çdo lloj historie tjetër që mund të prodhohet në dekadën e ardhshme në Shqipëri, do jetë një pjesë koncize e teksteve që ne kemi shkruar”, thotë historiani.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës