Tingujt e klarinetës së Laver Bariut, ndër më të fuqishmit e muzikës tradicionale shqiptare, e sollën thuajse të gjallë mjeshtrin e sazeve të Përmetit, në një mbrëmje kushtuar atij.
Artisti që e ktheu kabanë në gjuhë emocionesh dhe identiteti, u kthye këtë herë përmes librit “Laver Bariu, ustai i fundit”, të akademikut Vasil Tole.
Veprimtaria u moderua nga Andreas Dushi, drejtor i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, i cili vlerësoi përmbajtjen e veprës dhe metodologjinë e saj të kujdesshme.
“Nuk është thjesht një monografi në kuptimin klasik të fjalës, por një rrëfim i ndërtuar mbi shumë zëra, shumë shtresa ku ndërthuren historia, përvoja artistike dhe dëshmi njerëzore për të sjellë përpara nesh jo vetëm figurën e një artisti të madh, por një univers të tërë kulturor.”, tha mes të tjerash akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike në Akademinë e Shkencave, i cili e vlerësoi botimin e akademikut Vasil S. Tole si një ndërmarrje serioze shkencore dhe një akt të rëndësishëm kujtese kulturore.
Sipas tij, figura e Laver Bariut mbetet pjesë e një trashëgimie të gjallë, që tejkalon kufijtë e muzikës dhe lidhet drejtpërdrejt me identitetin kulturor shqiptar.
Botuesi Bujar Hudhri vlerësoi mënyrën se si libri arrin të shpjegojë veçantinë artistike të mjeshtrit të klarinetës.
“Ajo që më bën shumë kurioz është se si autori ka ditur që një figurë të madhe si Laver Bariu ta japë në të gjitha dimensionet e saj. Të gjithë mund t’i bien klarinetës, por jo si ai. Me këtë instrument ai jepte jo notën, por ndjenjën.”, tha ai.
Në promovim u interpretua edhe “Kaba me bakllama” nga Fatmir Lela, ndërsa tingujt e sazeve të Përmetit rikthyen atmosferën karakteristike të muzikës qytetare të jugut.
Vetë autori, studiuesi Tole, tha se libri nuk i kushtohet vetëm Usta Laverit, por gjithë traditës së sazeve shqiptare.
“Libri është njëherazi libri i sazeve dhe libri i muzikës popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut. Për herë të parë hidhet dritë edhe mbi sazet e Përmetit të viteve 1920, para se Laver Bariu të bëhej figura qendrore e tyre.”
Një përshëndetje e veçantë erdhi edhe nga kryetarja e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, e cila e cilësoi Laver Bariun si njeriun që e ktheu klarinetën në zë të shpirtit shqiptar, duke e bërë figurë emblematike të qytetit dhe të traditës muzikore.
Në vijim të këtij takimi, prof. dr. Artan Shkreli solli reflektime mbi dimensionin kulturor e muzikor të veprës, duke vlerësuar kontributin e autorit në trashëgiminë kulturore.
Prof. asoc. Mikaela Minga e analizoi librin edhe nga perspektiva e kompozitorit, duke e cilësuar si themel të domosdoshëm për etnomuzikologjinë dhe për vendosjen e Laver Bariut në qendër të muzikës me saze.
Botimi prej 450 faqesh përfshin fotografi, analiza muzikore, transkriptime dhe kode QR me materiale audio nga trashëgimia muzikore e mjeshtrit të madh.
Komente









