Nga karrigia me rrota në Rekordet Guiness. Është kjo historia e Haki Dokut, me origjinë nga Kruja i cili me vullnetin e tij , sfidën që hasi në jetë e ka kthyer në mundësi. Duke punuar si shumë shqiptarë të tjerë, papritur Hakiu rrëshqet nga kati i tretë i një ndërtese, aksident i cili e privoi edhe nga mundësia për të lëvizur. Ai përpiqet të mos e mendojë ditën e aksidentit, e cila i duket sa e largët, aq edhe e afërt.
Viti 1997 është shumë i largët për mua, por është dhe shumë e afërt. Nuk e mendoj shumë , sepse duke menduar shumë është negativitet dhe jo pozitivitet. Ka qenë shumë shumë e vështirë. Si çdo njeri që pëson një aksident, sigurisht nuk është i lumtur. Vështirësitë e mia kanë qenë shumë të mëdha sepse kam qenë në Itali, larg familjes.Me thënë të drejtën kam qenë shumë i mbajtur afër nga shumë partnerë që ishin në Milano. Kështu që arrita të kaloj çastet më të vështira të aksidentit. Vitin e parë e kam kaluar duke bërë rehabilitime, nëpër spitale të ndryshme , kështu kalova fazën më kryesore që ishte drama e aksidentit.Haki Doku, paraatlet
Hakiu i tregon të vështira momentet e para kur mëson se këmbët nuk i përgjigjeshin më , e se jeta e tij tashmë do të ndryshonte faqe.
Pas 8 muajsh mora përgjigjen nga mjeku që unë nuk do të ecja më me këmbë. Pak a shumë e dija që nuk do të ecja, sepse e kuptoja gjendjen time, por nuk kisha mënyra të tjera. E pranova, e futa në trurin tim, në psikologjinë time që edhe me rrota njeriu mund të jetojë. Nuk e dija si do jetoja sepse nuk isha akoma në praktikë, por fillova ta provoj.
Haki Doku, paraatlet
Megjithëse ka qenë shumë e vështirë, nga një spital në tjetrin , Hakiu nuk e humbi asnjehërë shpresën duke i dhënë kurajo vetes e duke gjetur gjithnjë motiv për të ecur përpara.
Kam kaluar rreth një vit e gjysëm nëpër spitale. Kur dola nga spitali kuptova që çdo gjë është ndryshe. Sepse isha me mjekë , me fizioterapistë dhe më pas kuptova që çdo gjë duhet ta bëja vetë. Po prapë mendova se jam unë ai që duhet të bëj gjithçka, o të lëshoj veten, o të eci përpara dhe vendosa të eci përpara. Tashmë duhej të bëja unë për veten time.Haki Doku, paraatlet
Përveçse të mësohej me jetesën e re , Hakiut i është dashur të përballojë edhe paragjykimet e njerëzve si në Itali edhe në Shqipëri.
“Mesazhe ka patur plot. “Gjynah” për shembull , që e ndjeja shpesh në Shqipëri, ose gjynah i shkreti që është me karrocë. Unë i kam kthyer në mesazhe komplet pozitive . Këta shikojnë karrocën, por karroca për mua është një mjet i mrekullueshëm sepse më jep të drejtë të bëj gjithçka.Haki Doku, paraatlet
Haki Doku, është atleti i parë që ka përfaqësuar vendin tonë në lojërat paraolimpike. Me tre rekorde botërore "Guinness" ja si i përshkruan ai emocionet e marra pas fitimit të medaljeve.
Para rekordit kam marrë pjesë në lojërat paraolimpike në Londër, ku kam prezantuar Shqipërinë. Ky ka qenë një event shumë i rëndësishëm , si për mua si për familjen time, por edhe për Shqipërinë. Sporti është shumë e vështirë të lihet, për më tepër që është shumë i dobishëm për një njeri që është me aftësi të kufizuara, por edhe për të gjithë njerëzit. Duke u stërvitur nëpër shkallë , thashë përse të mos provoja një rekord gines. Duke bërë stërvitje shumë të mëdha në pallatin ku jetoj arrita të kem 2 gines që janë të shkruara në librin e rekordeve "Guinness"
Haki Doku, paraatlet
Hakiu është i martuar dhe gëzon 2 fëmijë me bashkëshorten e tij Enora. Ai jeton ende në Itali ku edhe punon si sekretar në një kompani financiare.