Nga Alba Malltezi/ Albin Kurti
politikani rebel që jeton në 60m2  

Nga Alba Malltezi/ Albin Kurti<br />politikani rebel që jeton në 60m2  
Ne, shqiptarët e 2016 në Tiranë e Kosovë, jetojmë në kohën kur fjala ka humbur peshën e kur të gjithë duken njësoj, të bjerrur për nga vlerat, idealet... Jemi dy vendet më të varfra në rajon dhe në Evropë, por me politikanë, gjyqtarë, disa gazetarë nga më ta pasurit. Nëse një kamera do të futej në shtëpinë e cilitdo politikan të Tiranës apo Prishtinës, edhe me një karrierë të shkurtër politike,  do të shihte të shpalosura të mira materiale të denja për një të pasur perëndimor që do të ishte në fund të jetës dhe të grumbullimit këtyre të mirave.

Madje, nuk ka nevojë fare të shkojë një kamera nëpër shtëpi, mjafton një vëzhgim i jashtëm i deputetëve, gjyqtarëve dhe me një llogari të thjeshtë mes makinës, këpucëve, çantave, orëve apo bizhuterive, hesapet nuk dalin, gjërat nuk shkojnë. Nuk është një reflektim racist mbi pamjen e jashtme, është thjeshtë matematikë që nxjerr në pah se çdo gjë e tepërt në trupin apo në shtëpinë e administratorëve të pushteteve në Prishtinë a Tiranë, është një pasuri e vënë duke marrë me të padrejtë pasuri të përbashkëta, që duhet të ishin në shërbim të të gjithëve.
 
Por në kërkimin e gjithëdëshirshëm për të gjetur shqiptarë të ndryshëm, në të përditshmen e lajmeve që bien si shi e breshër në redaksi, e kemi gjetur një. Reflektimi im personal erdhi atë ditë të nëntorit të vitit të kaluar, kur policia e Kosovës shpërtheu derën me numër 24 të apartamentit të Albin Kurtit, në katin e katërt të një pallati pranë Teatrit Dodona në Prishtinë. Një apartament vetëm 60 metra katrorë, që këtu nis një histori e rrallë dhe e papaparë.
 
Albin Kurti, deputeti aktual i Vetëvendosjes, sot në arrest shtëpie pas akteve të hedhjes së gazit lotsjellës dhe vezëve në Kuvendin e Prishtinës, edhe pse në politikë që kur ishte student, më pas në krah të Adem Demaçit jeton në një apartament 60 metra katrorë. Edhe pse bashkëshorten  Rita Augestad Knudesen, e ka Norvegjeze, eksperte të OKB-së e mundësi të deklaronte edhe ajo fitime me miliona euro "nga kursimet" e punës në Kosovë. Por kjo nuk ka ndodhur, edhe pse në Tiranë është një refren i përsëritur nga disa politikanë apo familjarë të tyre.
 
Ndërsa ndodhet aktualisht në arrest shtëpie, kërkojmë të mësojmë më shumë nga Albin Kurti për zgjedhjen e përdorimit të gazit lotsjellës dhe vezëve, por edhe për vlerat që kemi dhe nuk kemi ne shqiptarët me këtë intervistë të posaçme për Shqiptarja.com.
 
Në ç’kushte një forcë politike shqiptare në 2015 është e detyruar të përdorë vezët apo gazin lotsjellës si mjete komunikimi?
Ekziston një ndarje konceptuale dhe parimore mes asaj politike që kërkon t'i japë forcë së drejtës, dhe asaj që vepron duke i dhënë të drejtë forcës. Një politikë e cila e forcon të drejtën është ajo që vepron në terrenin e përballjes së argumentëve dhe ideve.Por fatkeqësisht në Kosovë përballemi me një botëkuptim cinik nga ana e pushtetit. Mesazhi që vjen nga pushteti është vazhdimisht i njëjti, ata na thonë se të drejtë ka i forti.
 
Në kushtet kur imponohet prej pushtetarëve një diktaturë e forcës, atëherë fjalët, frazat, argumentët e opozitës apo edhe të qytetarëve e humbasin vlerën. Valenca e fjalës politike është pozitive vetëm për sa kohë ajo është e barabartë me aktin, pra për sa kohë ka një impakt të matshëm. Përndryshe, të thuash të vërtetën kur pushteti nuk dëgjon, e shumëzon vlerën e fjalës me zero. Pra, fjala e argumenti në kushtet e një pushteti që vepron me diktat e me forcë, shndërrohen në llafe.
 
Mendoj se në momentet delikate që po kalon Kosova, momente të cilat mund ta dërgojnë atë drejt një të ardhmeje të paqartë me krijimin brenda saj të një strukture parashtetërore ngjashëm me Bosnjën, nuk mund të mjaftohemi me llafe. Jetojmë në vendin më të varfër në Evropë, me qeveritarët më të korruptuar, ndërkohë që edhe në aspektin e politikës së jashtme, sovraniteti po rrënohet dhe po kthehemi në një shtet disfunksional.Në të tilla raste, ka nevojë për veprime.
 
Si veprim të parë, e bëmë një peticion, me mbi 205.000 nënshkrime.Kemi organizuar protesta qytetare nëpër sheshe të qyteteve.Por nga qeveria nuk ka patur asnjë reagim pozitiv, ata janë treguar të mbyllur për çdo argumentim të opozitës. Ndërkombëtarët po ashtu nuk treguan ndonjë vëmendje për kauzën tonë, sepse Kosova në perspektivën ndërkombëtare është një vend fare i vogël e i parëndësishëm. Por për ne është atdheu i vetëm, e nuk mund të lejojmë që ky atdhe të përdoret si monedhë për kusuritje. Vezët dhe gazi lotsjellës ishin veprim i detyruar për ne, me të cilin arritëm vëmendjen e ndërkombëtarëve, mediave, faktorëve të ndryshëm qytetarë e institucionalë vendorë. Pra gazi lotsjellës, në mënyrë paradoksale, shërbeu për t'ua hapur sytë të tjerëve, për t'i bërë ta shohin më qartë situatën tonë e për t'i bërë të dëgjojnë argumentet tanë.
 
Efektet kanë qenë të matshme dhe pozitive.Pas protestave tona në Kuvend e jashtë tij, presidentja e dërgoi një pyetje në Gjykatën Kushtetuese. Dhe para dy javësh kjo Gjykatë konstatoi se marrëveshja kundër sëcilës ne protestojmë, shkelte plot 23 nene të Kushtetutës së Kosovës. Pra, ne kemi patur të drejtë të protestojmë.E meqenëse qeveria po këmbëngul në vazhdimin e të njëjtit projekt, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes antikushtetuese, ne jemi të detyruar të vazhdojmë me protesta.Është rast i ngjashëm me atë që ndodhi në Shqipëri, kur Gjykata Kushtetuese, pas protestave qytetare e opozitare, e shpalli antikushtetuese marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë. Nëse qeveria e atëhershme do të këmbëngulte në zbatimin e marrëveshjes pavarësisht vendimit të Kushtetueses, sigurisht që qytetarët do të vazhdonin me protesta.
 
Ju jeni të bindur se pushtetarët në Kosovë nuk punojnë për interesat e popullit të Kosovës. Mendoni se është vërtetë kështu, apo pushteti në Kosovë është i detyruar të bëjë kompromise të diktuara nga komuniteti ndërkombëtar?
 

Pushtetarët e Kosovës i kanë dy karakteristika të përbashkëta me njëri-tjetrin. Janë të varfër për nga dija dhe nderi. Si pasojë nuk mund të thuhet se udhëhiqen nga ndonjë ide, apo që kanë ndonjë vizion politik. Duke qenë të padijshëm e të pandershëm, ata janë korruptuar me kohë. Korrupsioni i tyre fillimisht ka qenë banal, në formë të uzurpimit dhe të vjedhjes direkte. Me kalimin e kohës ky korrupsion është sofistikuar dhe ka futur në valle edhe përfaqësues ndërkombëtarë. Në Kosovë janë publikuar edhe në media aferat korruptive që lidhin ish-ambasadorin amerikan C. Dell me kontratën e shumëpërfolur të autostradës Prishtinë - Morinë, ashtu siç janë botuar edhe aferat korruptive të EULEX-it. Pra, rrënjët e korrupsionit janë futur thellë tashmë, dhe shpesh korrupsioni shfaqet në publik si kompromis.
 
Pushtetarët në Kosovë, duke qenë të gjithë me dosje, janë nën kërcënimin direkt të ndërkombëtarëve. Për pasojë, qasja e tyre ndaj kërkesave që vijnë kryesisht prej Brukselit, është në masë të madhe servile.Brukseli shërben si ndërmjetës mes Beogradit e Prishtinës.Por ndërkohë që Beogradi i paraqet kërkesat e veta të artikuluara qartë, Prishtina nuk dërgon asnjë kërkesë. Vazhdimisht kemi pyetur qeverinë tëna i tregojë kërkesat që delegacioni i Kosovës i paraqet në Bruksel dhe strategjinë e tyre, por kurrë nuk i kemi parë ato. Shkurt, pushtetarët e Kosovës shkojnë në Bruksel vetëm për të pranuar.Ndërsa serbët shkojnë si një shtet i vërtetë, me synime, me strategji e kërkesa, dhe duket qartë se 16 vite pas luftës, ata po i arrijnë synimet e tyre në Kosovë.
 

Pse në politikën mbarëshqiptare është i vështirë dialogu mes palëve politike, por sidomos konsultimi i popullit për vëndimmarrje të rëndësishme? Për shembull Tsipras në Greqi, pyeti grekët në lidhje me vendime të rëndësishme që kishin të bënin me marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe pastaj vendosi.Pse në Shqipëri dhe në Kosovë pushtetet tona të të gjitha kohërave, injorojnë hapur lypjen e një mendimi popullor për çështje të rëndësishme?
 

Duke qenë skajshmërisht servilë ndaj ndërkombëtarëve, e duke qenë të shantazhuar e me dosje prej së shkuarës së tyre kriminale e të tashmes së tyre korruptive, qeveritarëve tanë nuk iu mbetet rrugë tjetër, veçse të shtypin sa më ashpërsisht çdo lloj lëvizje të pakënaqësisë popullore e qytetare.
 
Në Kosovë psh.referendumet janë të ndaluara. Janë vetë pushtetarët ata që kanë frikë nga referendumet, ashtu siç kanë frikë nga protestat e nga çdo shprehje e një vullneti qytetar të drejtpërdrejtë.
 
E vetmja "demokraci" që ata pranojnë, është ajo elektorale - e cila është shndërruar në një treg të imazheve.Në zgjedhje paraqiten disa parti, si në një supermarket.Të vetmet dallime janë të ambalazhit, e jo të përmbajtjes. Kësisoj kemi kaluar në një krizë të përfaqësimit.Deputetë milionerë, familjarët e të cilëve menaxhojnë biznese të mëdha, fëmijët e të cilëve studiojnë në universitete të huaja, e të cilët vetë i marrin nga 5-6 rroga nëpër borde, universitete, ministri etj.këta pretendojnë se përfaqësojnë një popull të stërvarfëruar, të papunë, të paarsimuar, të cilit po i largohen të rinjtë me qindra mijëra, drejt emigracionit të paligjshëm.
 
I vetmi subjekt që e prish këtë ekuacion të "demokracisë së supermarketit" është Lëvizja VETËVENDOSJE!.Ne jemi subjekti që bashkon shtresën e mesme me atë të varfër, në kërkim të një kohezioni social që lejon shprehjen e demokracisë në forma të ndryshme e kreative, e jo thjesht si një hipostazë e formalizuar juridike e proceduriale.
 
Për këtë arsye pushteti i partive e sheh Lëvizjen VETËVENDOSJE! si armiken më të madhe. Ata duan stabilitetin dhe statusquo-në, sepse kjo është rehatia e levërdia e tyre. Lëvizja do të sillte paqartësi në të ardhmen e tyre dhe dritë qartësuese për të ardhmen e popullit. Që të kthjellohet, uji duhet të lëvizë, thotë populli. E ne do ta lëvizim ujin e ndenjur të pushtetit në Kosovë, do ta trazojmë, deri sa të kullohet.
 
A besoni se ne shqiptarët e kësaj kohe jemi të vetëdijshëm dhe po punojmë drejt për çështjet tona?
 

Nuk më pëlqejnë përgjithësimet dhe nuk jam në gjendje të bëj të tilla. Mendoj se teknologjia e informacionit sigurisht që e lehtëson informimin, dhe ne përpiqemi të jemi kreativë në përdorimin e teknologjisë së re për të komunikuar me sa më shumë njerëz.
 
Por nga ana tjetër, teknologjia si mjet është gjithnjë e më shumë e zotëruar nga pushtetet.Shumë media, sidomos ato jotradicionale, portalet etj.duke vepruar në një mënyrë joetike, thjeshtojnë, dekontekstualizojnë, reduktojnë fjalët në imazh etj. dhe shpeshherë edhe shpifin, mashtrojnë apo keqinformojnë. Në kushtet e shumëfishimit të menjëhershëm që ofron rrjeti, mund të lindin paranoja, frika, apo edhe linçimi.Ndërsa efekti i përditshëm që prodhohet prej ekspozimit ndaj menjëhershmërisë së imponuar të lajmit, është hutimi. Ndoshta kjo bën që disa njerëz ta kenë më të vështirë të përqendrohen, lexojnë më pak, më shkurt e shpesh më cekët, dhe kjo redukton edhe aftësitë e tyre për të reflektuar, për të imagjinuar e për të menduar kritikisht. E një situatë e tillë është tepër e leverdisshme për pushtetet. Nuk guxoj as ta imagjinoj se ç'do të kishte bërë një Goebels me mjete të tilla në dispozicion.
 
Për të ardhur te pyetja juaj, mendoj se jetojmë në një nga periudhat kur sistemi arsimor është në situatë të mjerueshme, përgjithësisht ndër shqiptarët. Kështu që vetëdija nuk mund të jetë në nivelin e duhur. Por secila gjeneratë i ka sfidat e veta, sfida e gjeneratës sonë është të punojmë në këto kushte, pa u dorëzuar, të përpiqemi të mos e humbim rrugën në supermarketin e imazheve të zbrazëta, dhe të përpiqemi të ngremë një vetëdije qytetare dhe një mendim kritik, sa më gjerë e sa më thellë.
 
Cilat konsideroni sot çështje jetësore për shqiptarët dhe si na shikoni të pozicionuar në Rajon mes fqinjëve dhe në Evropë?
 
Çështje jetësore për shqiptarët mbetet bashkimi, së pari i Kosovës me Shqipërinë. Të qenit të ndarë nuk na ka ndihmuar, përkundrazi na ka penguar. Jemi shtete të vogla të një kombi të mesëm për nga madhësia në botë, dhe ndarja prodhon reduktim në kapacitetet tona për të pasur ekonomi e ekologji, kulturë e shkencë, siguri e mbrojtje, energji e prodhim, demokraci e drejtësi. Jam i vetëdijshëm që ka shumë njerëz të gatshëm të numërojnë problemet që paraqet rruga deri te Bashkimi. Por, po të isha ironik, do të mund të thosha se secili projekt që vërtet ia vlen, ka kostot edhe problemet e veta deri sa të zbatohet. Asgjë e mirë nuk do të vijë ndonjëherë në formë dhurate.
 
Në rajon, si të ndarë jetojmë nëpër minishtete. Qoftë si territor, si demografi, si volum ekonomik, si kapacitet për siguri, si prodhim material a shpirtëror, jemi shumë më të vegjël krahasuar me Serbinë, Greqinë, Bullgarinë, apo edhe Kroacinë. Të qenit shumë më të vegjël se fqinjët është problem në vetvete, meqenëse shumë shpesh këta fqinjë nuk po i kufizojnë apetitet e tyre të cilat ndonjëherë janë për territor, por më shpesh janë për hegjemoni tregtare e infrastrukturore, dhe i shprehin aspiratat e tyre hegjemonike edhe në terrenin ndërkombëtar, ku vazhdimisht kanë kapacitete më të forta edhe diplomatike, siç e dëshmoi edhe rasti i fundit ku Serbia mbërriti të pengonte anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
 
Sa i përket politikave të sigurisë, Kosova nuk ka ushtri të sajën, për shkak të paaftësisë së qeveritarëve të vet.Shqipëria është në NATO, dhe kjo sigurisht është një faktor pozitiv për ne.Por edhe ushtria e Shqipërisë është e vogël edhe e pakrahasueshme me ato të fqinjëve të lartpërmendur. Dikush mund të thotë se të qenit pjesë e NATO-s e bën të panevojshëm investimin në ushtri, mirëpo po të shohim raste nga rajoni, ndër të cilët më tipiku është ai mes Turqisë dhe Greqisë që janë të dy anëtarë të NATO-s, kuptojmë se politikat e sigurisë e të mbrojtjes nuk janë kaq të thjeshta.Pastaj, Nato nuk ka armatim të vetin.I gjithë armatimi i NATO-s është ai i shteteve anëtare që e vënë atë në dispozicion.
 
A keni ju personalisht sot pika të rëndësishme referimi dhe konsultimi mes kokave të mençura shqiptare?
 
Unë jetoj brenda shoqërisë sonë, si gjithë shqiptarët e tjerë. Ka shumë njerëz që kanë dhënë kontribute me vlerë në fusha të ndryshme, dhe kanë lënë impakt të pamohueshëm edhe gjerësisht në shoqëri. Ndonjëherë njerëzit priren që për shkak të kontradiktave politike apo ideologjike të mohojnë kontributin e këtyre figurave sa kohë këta janë gjallë, dhe t'i vlerësojnë ata vetëm pas vdekjes. Por unë nuk e shoh veten pjesë të këtij nihilizmi vleror.Një pjesë të figurave që i vlerësoj shumë, të letërsisë, artit, shkencës, politikës e rezistencës i njoh personalisht dhe përpiqem të ndërtoj një raport të respektit, edhe në rastet kur kemi mospajtime. Nuk do të përmend këtu emra, sepse nuk dëshiroj t'i mbetem borxh askujt prej tyre, e njëkohësisht nuk dëshiroj t'i përdor emrat e tyre për kapital politik. Ata e dinë se cilët janë, sepse janë të cituar në shkrimet tona, në aktivitetet tona politike, apo edhe në jetën tonë prej aktivistësh.
 
Në vitet e globalizimit dhe të rrëzimit të kufijve mos duhet dhe një këndvështrim i ri ndaj serbëve dhe Serbisë? Ndoshta një bashkëpunim më tepër pragmatist, kulturor, ekonomik, pa humbur identitetin dhe dinjitetin tonë, sigurisht.
 
Nëse jetojmë në kohën e rrëzimit të kufijve, a mos duhet të na shpjegojë dikush se pse në Kosovë po pretendohet të ngrihen kufij të rinj, etnikë, të cilët e ndajnë komunitetin serb në Kosovë përfundimisht prej shumicës? Apo, pse Mali i Zi dëshiron të marrë prej Kosovës mbi 8200 hektarë në Dukagjin? Apo pse Greqia pretendon të arrijë një marrëveshje sa më të leverdisshme për demarkacionin e kufirit ujor me Shqipërinë? Apo pse, fundi i fundit, Serbia ende këmbëngul që Kosova është pjesë e saj?Unë mendoj, siç thashë më lart, se kemi të bëjmë me një prej momenteve ideologjike.Sa më shumë propagandohet për dashurinë, aq më shumë ka vetmi, pamundësi komunikimi, individualizëm e egocentrizëm.Sa më shumë flitet për rrëzimin e kufijve, aq më shumë mure ngrihen nëpër botë.Sot po flitet për mure që ndajnë SHBA-të nga Meksika, ndërkohë që telat me gjemba tashmë ndajnë Hungarinë prej Serbisë, për të mbajtur jashtë refugjatët e luftës dhe emigrantët.Brenda në Bashkimin Evropian ende ka diskutime të pazgjidhura për kufijtë, si ato mes Kroacisë e Sllovenisë, e dhjetra të tjera.
 
Në fakt, i vetmi mur që ka rënë ka qenë ai që ndante dy Gjermanitë kundër vullnetit popullor. Ai është muri që duam të rrëzojmë dhe ne, muri që ndan Shqipërinë e Kosovën në një mënyrë arbitrare e kundër çdo vullneti popullor.
 
Sa i përket këndvështrimit ndaj serbëve dhe Serbisë, nuk është e udhës t'i njësojmë këto të dyja.Këndvështrimi ndaj Serbisë duhet të jetë një këndvështrim ndaj një shteti që ka përgjegjësi historike e aktuale, që ka politika e institucione me impakt të qartë, të matshëm e të vlerësueshëm.Ndërsa këndvështrimi ndaj serbëve nuk mund të jetë përgjithësues.Mes tyre ka individë që kanë bërë krime lufte, apo që kanë mbështetur luftën, ashtu siç ka edhe individë që i janë kundërvënë luftës dhe që i kanë kritikuar qeveritë shovene. Pra nuk mund të kemi një këndvështrim përgjithësues duke i shtënë të gjithë në një thes.
 
Sa i përket Serbisë, mirë është që të jemi realistë.Ç'do të thotë normalizim i marrëdhënieve me një shtet që pretendon se Kosova është pjesë e tij, dhe që nuk njeh e as nuk kërkon falje për krimet e luftës? Kjo është normalizim i një marrëdhënieje të padrejtë dhe joreciproke.Pra është normalizim i pabarazisë dhe i padrejtësisë.Ne jemi për normalizim vetëm kur Serbia të sillet normalisht ndaj Kosovës. Si fillim, Serbia duhet të njohë Kosovën, duhet të njohë krimet e luftës, të kërkojë falje për to, të dënojë kriminelët, të dëmshpërblejë viktimat, e t'i kthejë Kosovës një sërë sendesh e dokumentesh të vjedhura. Përndryshe, si mund të flasim për normalizim? A mundet dikush t'ju vjedhë shtëpinë me dhunë, e një ditë më vonë t'ju thotë se plaçkën nuk do t'jua kthejë e as falje nuk do t'ju kërkojë, por mirë është të pajtoheni? 
 
Si i konsideroni zhvillimet politike dhe në Tiranë? A ka Kosova vëmendjen dhe sinqeritetin në marrëdhëniet me Tiranën?
 
Politikat në Tiranë e Prishtinë kanë inflacion të menaxhimeve ditore e javore duke spikatur kështu më shumë qëndrueshmërinë e qeverive sesa ndryshimin e vendit. Tirana e Prishtina duhet ta mendojnë e zhvillojnë kombin shqiptar në shekullin XXI që mund të jetë ca më i lehtë sesa shekulli XX por s’ka garanci për këtë gjë. Lidhur me vëmendjen dhe sinqeritetin e Kosovës ndaj Tiranës, mund të them se i gjeni të dyja këto te populli dhe asnjërën te koniuktura udhëheqëse. Fundja, shqiptarët të cilët si individë përfitojnë më së shumti nga të qenit të ndarë të shqiptarëve si kolektivitet janë ata shqiptarë që janë në pushtet ose afër tij, kurse më së shumti humbin qytetarët e thjeshtë shqiptarë.Zaten, kur të bashkohemi na rritet ekonomia dhe siguria porse na zvogëlohen ofiqet për ministra e kryeministra. Kosova si popull pret shumë më tepër nga Tirana.
 
Aktualisht ndodheni në arrest shtëpiak pas burgut të sigurisë së lartë, si e shihni ju të ardhmen e politikës mbarëshqiptare dhe tuajën personalisht?
 
Në Ballkanin perëndimor, ende të paintegruar në Bashkimin Evropian, janë gjashtë shtete: Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Serbia. Dhe, katër fuqi të mëdha: ShBA-të, Gjermania, Rusia dhe Turqia. Në BE nuk duket se do të anëtarësohet ndonjë shtet i ri edhe për afër një dekadë. Jetojmë në kohëra interesante, për të mos thënë vendimtare. Nganjëherë më duket se kush e parashikon vitin 2025 e ka kollaj mandej edhe me parashikimin e vitit 2050. Politika mbarëshqiptare duhet t’i përqendrojë të gjitha pasuritë dhe energjitë e kombit tonë në ekonominë, sigurinë dhe arsimin e shqiptarëve. Në këto tri shtylla i jep idetë, angazhimin dhe kontributin e saj edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!.Lëvizja jonë betejat më të rëndësishme i ka para vetes e jo pas. Aty jam e do jem edhe unë.  

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin