Renzo Bossi, i njohur si “Trota”, djali i ish-liderit historik të Legës Umberto Bossi, ishte një nga njerëzit që i qëndroi më pranë të atit deri në fund. Por ndryshe nga figura e fortë e babait, rruga e tij u shoqërua me polemika, dështime dhe një dalje të shpejtë nga politika.

Në Itali, emri Bossi për dekada lidhej me pushtetin dhe Legën. Por për shumë njerëz, sidomos në vitet e fundit, një tjetër Bossi u bë i njohur: Renzo, i cili sot shihet shpesh në Gemonio duke shpërndarë produkte ushqimore nga biznesi i tij.
Nofka “Trota” i mbeti që herët, e vendosur nga vetë i ati, kur u pyet nëse djali mund të ishte pasardhësi i tij politik. “Çfarë delfini thua, maksimumi është një troftë”, kishte thënë Bossi, një batutë që e ndoqi për vite.
Renzo u bë figurë publike shumë i ri, vetëm 16 vjeç, kur qëndronte pranë babait pas problemeve shëndetësore që ky i fundit kaloi. Në atë kohë u pa si një figurë në rritje brenda rrethit të Legës.
Por rruga e tij në arsim u kthye shpejt në objekt talljeje publike. Ai e mori maturën vetëm pas disa tentativash të dështuara, ndërsa më pas shpërtheu një nga skandalet më të mëdha që lidhen edhe me Shqipërinë.
Në qendër të debatit ishte një diplomë universitare në universitetin Kristal në Tiranë, për të cilën u tha se kishte kushtuar rreth 77 mijë euro dhe ishte paguar me para publike. Rasti përfundoi në gjykatë, ku Renzo Bossi u mbrojt duke deklaruar se nuk kishte dijeni për këtë diplomë.
“Diplomë në Shqipëri? E blerë pa dijeninë time”, u shpreh ai gjatë procesit. Madje shtoi se nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri dhe se dokumentet i kishte parë vetëm pasi kishin nisur hetimet, duke vënë në dyshim edhe vetë autenticitetin e tyre.

Deklarata e tij shkaktoi reagime të forta dhe ironi të madhe, si në media ashtu edhe në rrjetet sociale. Shprehja “pa dijeninë time” u krahasua me raste të tjera të njohura në politikën italiane dhe u kthye në meme.
Madje u krijuan edhe faqe satirike në internet që ironizonin “diplomën shqiptare”, duke ofruar në mënyrë humoristike “udhëzime” për të marrë një diplomë pa studiuar.
Në politikë, Renzo Bossi pati një moment suksesi në vitin 2010, kur mori rreth 13 mijë vota në zgjedhjet rajonale në Lombardi. Por karriera e tij u ndërpre shpejt pas skandalit të rimbursimeve të fryra në rajon, që e detyroi të japë dorëheqjen në vitin 2012.
Që nga ai moment, ai u tërhoq nga politika dhe zgjodhi një jetë krejt tjetër. Së bashku me vëllain Roberto Libertà, hapi një fermë në zonën e Valcuvias, ku prodhojnë dhe shesin produkte vendase si djathë, bulmet dhe mjaltë.
Biznesi, i quajtur “Terra Nostra”, është tashmë i konsoliduar dhe furnizon si klientë privatë ashtu edhe restorante lokale.
Në rrjetet sociale, Renzo e përshkruan veten si “autonomist, federalist dhe fermer që nga viti 2012”, duke treguar se, edhe pse larg politikës aktive, vijon të lidhet me identitetin e vjetër të Legës.
Në jetën personale, ai u martua në janar 2024 me një sipërmarrëse rumune, në një ceremoni të thjeshtë në Gemonio, larg vëmendjes politike dhe pa praninë e figurave të njohura të partisë.
Sipas raportimeve, në javët e fundit të jetës së Umberto Bossit, Renzo ishte një nga njerëzit më të afërt pranë tij, duke qëndruar deri në fund pranë figurës që për vite u quajt “Shefi”.
Historia e tij mbetet ajo e një trashëgimtari që nuk arriti të ndjekë hapat e të atit në politikë, por që sot ka zgjedhur një jetë më të qetë, larg skenës publike dhe shumë më pranë tokës./Përshtatur nga CorrieredellaSera
Komente










