Dhjetëra Maserati me dizajne të viteve 1920 dhe 1930 janë ndërtuar posaçërisht për një film artistik mbi ditët e para të kompanisë italiane të makinave, me një kast aktorësh të udhëhequr nga Anthony Hopkins.

Maserati: The Brothers” tregon historinë e vëllezërve që, të shtyrë nga dashuria për makinat, krijuan nga e para një kompani automobilistike. Gjithçka nisi në një garazh të vogël në qytetin italian të Bolonjës: në vitin 1914 ata themeluan një kompani makinash sportive superluksoze, e cila më pas prodhoi disa nga automjetet më të shpejta në planet.

Deri në 60 makina janë ndërtuar për filmin, një investim i jashtëzakonshëm brenda një buxheti që mendohet të jetë mbi 90 milionë paund, shumë më tepër se shumica e filmave të pavarur.

Hopkins, i cili ka pasion makinat klasike, luan rolin kyç të një financieri italian që mbështet financiarisht vëllezërit Maserati. Aktori fitues i ccmimit Oscar tha se ishte “një personazh intrigues dhe i fortë për t’u interpretuar”.

Filmi drejtohet nga një tjetër fitues i Oscarit, Bobby Moresco, i cili e përshkroi atë si “një histori qëndrueshmërie, inovacioni dhe shpirtit njerëzor”. Në kast bëjnë pjesë gjithashtu Al Pacino, Michele Morrone, Andy García dhe Jessica Alba.

I vendosur në Italinë e fillimit të shekullit XX, filmi përqendrohet te vëllai më i madh Carlo, Alfieri ambicioz dhe vëllezërit e tyre Bindo, Ettore dhe Ernesto, teksa ndjekin idenë për të ndërtuar makina novatore që ndërthurin artin me teknologjinë.

Tensionet rriten për shkak të vështirësive financiare, rreziqeve të garave dhe një historie dashurie të ndaluar. Carlo përpiqet të bashkojë familjen rreth qëllimit të përbashkët për themelimin e Maseratit, por vdes nga tuberkulozi pa e parë ëndrrën e tij të realizuar. Alfieri ëndërron të garojë dhe të fitojë gara prestigjioze, por vdes në vitin 1932 nga komplikacionet e plagëve të marra vite më parë në një aksident.

Filmi prodhohet nga Andrea Iervolino, një italiano-kanadez që është shndërruar në një nga producentët e pavarur më të rëndësishëm të Hollywood-it, duke punuar me disa nga yjet më të mëdhenj të industrisë, përfshirë Pacinon në filmin e vlerësuar “The Merchant of Venice”.

Iervolino tha për Hopkinsin: “Ai është vërtet i përfshirë artistikisht në këtë film. Ka punuar shumë mbi skenarin. Madje ka ndryshuar edhe disa nga dialogët e tij për të përcjellë një mesazh më të mirë. Ai vërtet kujdeset për këtë film. Ndonjëherë, kur punon me yje kaq të mëdhenj, ata interesohen vetëm për pagesën. Por ky nuk është rasti. Anthony është vërtet një artist i jashtëzakonshëm. Ai luan një rol shumë të rëndësishëm në film, sepse në atë kohë mund të ishe ëndërrimtar, por duhej të gjeje njerëz që kishin para. Në atë kohë ishte e vështirë të gjeje njerëz me para, sepse industria financiare nuk ishte e zhvilluar si sot.”

Edhe pse Hopkins luan një personazh italian, ai nuk flet me theks italian. Iervolino tha: “Mendoj se imitimi i theksit është vetëm një problem. Ajo që, për shembull, bënë në filmin ‘Gucci’ ishte e tepërt. Nëse do të shohësh italianin e vërtetë, atëherë është më mirë të xhirosh një film në gjuhën italiane. Pse duhet të imitosh theksin me një artist të këtij niveli? Pak është në rregull, por kur e tepron, bëhesh si një papagall. Ky është një film serioz.”

Italia është e famshme për makinat me performancë të lartë, me marka si Maserati, Ferrari, Lamborghini, Bugatti, Alfa Romeo dhe Lancia.

Iervolino ka prodhuar edhe dy filma të tjerë të vlerësuar për botën e automobilizmit: “Lamborghini: The Man Behind the Legend” të Morescos dhe “Ferrari” të Michael Mann, me Adam Driver dhe Penélope Cruz. Ai po planifikon gjithashtu një film për Bugattin.

“Italia ishte dhe është si Silicon Valley i makinave,” tha ai. “Maserati, Lamborghini, Ferrari, Alfa Romeo, Lancia. Nëse udhëton nga Bolonja në Milano, aty janë të përqendruara të gjitha këto kompani prodhuese makinash. Në atë kohë, secila prej tyre ëndërronte makinën më të shpejtë, numrin një, më luksozen. Por jo shumë njerëz e njohin historinë që fshihet pas tyre. Pas trashëgimisë qëndronte një ‘ëndërrimtar’. Kjo e bën këtë zhanër filmik shumë frymëzues.”

Makinat janë ndërtuar në një punishte të autorizuar nga Maserati. Pamja e jashtme ruan dizajnet origjinale, por motorët përmbushin standardet moderne, duke rikrijuar njëkohësisht tingujt origjinalë.

Filmi pritet të shfaqet në kinema më vonë gjatë këtij viti.