Lufta në Iran, e cila shpërtheu më 28 shkurt dhe u ndërpre nga një armëpushim i arritur gjatë natës midis 7 dhe 8 prillit, është shënuar jo vetëm nga operacionet ushtarake, por edhe nga një mori deklaratash nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Nga kërcënimet ndaj Teheranit deri te sulmet ndaj NATO-s dhe anëtarëve të saj, shumë nga deklaratat e Shtëpisë së Bardhë kanë shkaktuar polemika në javët e fundit.
“Khamenei ndër njerëzit më të këqij në histori”
Lufta filloi më 28 shkurt, me sulme ushtarake të cilat Trump i quajti "një sukses". Sipas presidentit, "ne kemi shkaktuar dëme të mëdha. Do të duhen vite për ta rindërtuar." Dita e parë e konfliktit u shënua nga vrasja e Udhëheqësit Suprem: "Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur. Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin iranian, por për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe për ata njerëz në shumë vende të botës që u vranë ose u gjymtuan nga Khamenei dhe banda e tij e kriminelëve të etur për gjak."
"Po i masakrojmë"
Të nesërmen, Trump njoftoi se operacioni në Iran mund të zgjasë "katër javë ose më pak". Më 2 mars, ai përshkroi ashpër përparimin e luftës: "Po i masakrojmë. Mendoj se po shkon shumë mirë", duke specifikuar, megjithatë, se "nuk kemi filluar t'i godasim ende fort; vala e madhe nuk i ka goditur ende. Do të vijë së shpejti".
"Mojtaba një njeri i lehtë dhe i paaftë"
Pas vrasjes së Ali Khameneit, Irani zgjodhi të birin, Mojtabën, si pasardhës të tij. Ky vendim nuk u mirëprit nga Trump, i cili e përshkroi atë si një "peshë të lehtë" dhe "të paaftë". Manjati këmbënguli se ai do dhej të ishte "përfshirë në emërim, siç ndodhi me Delcy Rodriguez në Venezuelë". Ky mendim mbeti i pandryshuar në ditët në vijim, kur në një intervistë ai refuzoi të zbulonte planet e SHBA-së për Mojtabën, por deklaroi se "nuk jam i kënaqur me të". Dhe pastaj kërcënimi: "Mendoj se ata bënë një gabim të madh. Nuk e di nëse do të zgjasë".
Irani është një "perandori e keqe"
Konflikti menjëherë shkaktoi një krizë energjitike, me çmimin e naftës bruto që u rrit me shpejtësi. Kjo nuk e ndikoi qëndrimin e Trumpit: "Shtetet e Bashkuara janë padyshim prodhuesi më i madh i naftës në botë, kështu që kur çmimet e naftës rriten, ne fitojmë shumë para", pohoi ai më 12 mars. Më pas shtoi se "me interes dhe rëndësi shumë më të madhe për mua, si president, është parandalimi i një perandorie të keqe, Iranit, nga zotërimi i armëve bërthamore dhe shkatërrimi i Lindjes së Mesme dhe botës. Unë kurrë nuk do ta lejoj këtë të ndodhë".
"Të tregojmë që kemi këllqe" dhe të kalojmë Hormuzin
Kriza energjitike u shkaktua nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, rripi i ngushtë i detit që ndan Omanin nga Irani dhe përmes të cilit, para konfliktit, kalonte afërsisht 20% e naftës globale. Me anijet e bllokuara nga frika e hakmarrjes ushtarake, zgjidhja e Trump është të "tregojmë që kemi këllqe" dhe të kalojë Ngushticën.
"Mund ta shkatërroj plotësisht Kharg"
Ndërsa operacionet vazhdojnë, Ishulli Kharg, një qendër e rëndësishme për prodhimin iranian të naftës, ka dalë në plan të parë. Duke folur për këtë më 16 mars, Trump pretendoi se "ua tha atyre hapur: Do ta shkatërroj plotësisht". Presidenti më pas shpjegoi se sulmi i parë në ishull shkatërroi të gjitha objektivat ushtarake: "Është i vdekur nga pikëpamja ushtarake". Ai përsëriti më vonë atë ditë se regjimi i Teheranit ishte "shkatërruar".
"NATO po bën një gabim të trashë".
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për luftën, dhe pasi kërkoi ndihmë nga aleatët e tij, Trump pohoi se "nuk kemi nevojë për askënd. Ne jemi kombi më i fortë në botë". Presidenti e quajti çështjen e sigurisë së Ngushticës një "test" për aleatët e tij: "Kam thënë për vite me radhë se nëse ndonjëherë na duhen, ata nuk do të jenë atje", përpara se të theksonte se "NATO po bën një gabim të trashë" ndaj Iranit.
Aleatë "frikacakë, nuk do ta harrojmë".
Megjithatë, retorika e Trumpit mbi NATO-n është bërë më nxitëse me kalimin e ditëve: më 20 mars, presidenti tha se "pa Shtetet e Bashkuara", Aleanca "është një tigër letre. Ata nuk duan të bashkohen në luftën për të ndaluar një Iran bërthamor. Tani që beteja është fituar ushtarakisht, me shumë pak rrezik për ta, ata ankohen për çmimet më të larta të naftës që duhet të paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Frikacakë, nuk do ta harrojmë".
Herzog "një gënjeshtar, i dobët dhe patetik"
Nëse aleatët e NATO-s janë "frikacakë", Trump nuk i ka kursyer kritikat as ndaj atij që e zhvilloi luftën përkrah tij: Izraelit. Më 22 mars, manjati sulmoi ashpër Presidentin izraelit Isaac Herzog, duke e quajtur atë "një gënjeshtar, të dobët dhe patetik" për mosfaljen e Benjamin Netanyahut. Presidenti amerikan pretendoi se Herzog kishte rënë dakord të falte kryeministrin izraelit "por nuk e bëri kurrë". "Ai është një person i dobët dhe një njeri patetik që nuk e bëri këtë. Ai nuk është një udhëheqës," sulmoi manjati: "Bibi duhet të përqendrohet te lufta, jo te kjo marrëzi."
Negociatorët "duhet të bëhen seriozë para se të jetë tepër vonë"
Fjalë të ashpra u përdorën edhe kundër negociatorëve iranianë, të cilët, sipas Trump, "duhet të bëhen seriozë, shpejt, para se të jetë tepër vonë". Në një postim të 26 marsit në Truth, manjati shkroi se "negociatorët iranianë janë shumë të çuditshëm. Ata po na luten të bëjmë një marrëveshje, gjë që duhet ta bëjnë pasi janë zhdukur ushtarakisht me zero shanse për rimëkëmbje, por ata pretendojnë publikisht se po shqyrtojnë vetëm propozimin tonë. GABIME!!! Më mirë të bëhen seriozë sa më shpejt, para se të jetë tepër vonë," sepse në këtë rast "NUK KA KTHIM PAS".
“Merreni vetë naftën tuaj”
Pas një sulmi të ri ndaj Iranit, Trump e ktheu vëmendjen e tij te vendet e prekura nga kriza energjetike e shkaktuar nga lufta: “Për të gjitha ato vende që nuk mund të marrin karburant për avionë për shkak të Ngushticës së Hormuzit, si Mbretëria e Bashkuar, e cila refuzoi të ndërhynte në prerjen e kokës së Iranit, kam një sugjerim për ju: Numri 1, blijeni atë nga Shtetet e Bashkuara, ne kemi me bollëk, dhe Numri 2, merrni guxim, shkoni në Ngushticë dhe thjesht merreni vetë,” shkroi ai në Truth më 31 mars. “Do të duhet të filloni të mësoni të mbroni veten. SHBA-të nuk do të jenë më aty për t'ju ndihmuar, ashtu siç ju nuk ishit aty për ne.”
“NATO është një tigër letre, po mendoj tërheqjen”
Dhe pastaj, një sulm i ri ndaj Aleancës Atlantike: “Nuk jam bindur kurrë nga NATO. Gjithmonë e dija që ata ishin një tigër letre, dhe Vladimir Putin e di këtë gjithashtu, meqë ra fjala,” argumentoi Trump më 1 prill, kur u pyet nëse do të rishqyrtonte anëtarësimin e SHBA-së në Aleancën Atlantike pas konfliktit të vazhdueshëm me Iranin. "Përveçse nuk u gjendën atje, ishte vërtet e vështirë për t'u besuar. Dhe nuk është se bëra ndonjë fushatë të madhe për t’i bindur. Thjesht thashë, 'Hej', e nuk shtyva shumë fort. Mendoj se duhet të ishte automatike", komentoi manjati, duke deklaruar se po shqyrtonte një tërheqje të SHBA-ve nga NATO.
"Do ta kthejmë Iranin në Epokën e Gurit"
As 24 orë më vonë, fokusi është përsëri te Irani: "Jemi në rrugën e duhur për të përfunduar objektivat tona ushtarake. Në dy deri në tre javët e ardhshme, do ta godasim fort Iranin dhe do ta kthejmë atë në Epokën e Gurit", tha Trump. "Jemi në prag të përfundimit të kërcënimit të Iranit ndaj Amerikës", duke i nxitur amerikanët ta konsiderojnë luftën një "investim" në të ardhmen e fëmijëve të tyre.
"48 orë kanë mbetur", pastaj do të jetë "ferri"
Pastaj, më 4 prill, filloi vrulli i fundit si i luftës ashtu edhe i deklaratave të ekzagjeruara të Donald Trump. Atë ditë, presidenti i kujtoi Iranit se kishte ende 48 orë për të arritur një marrëveshje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, përndryshe do të përballej me "ferrin". "A e mbani mend kur i dhashë Iranit dhjetë ditë për të ARRITUR NJË MARRËVESHJE ose për të HAPUR NGUSHTICËN E HORMUZIT?" shkroi Trump në Truth, duke iu referuar ultimatumit që lëshoi më 26 mars. "Koha po mbaron: kanë mbetur 48 orë para se të shpërthejë ferri", deklaroi presidenti, duke shtuar: "Lavdi ZOTIT!"
“Hapni Ngushticën e Hormuzit, o kopila”
Të nesërmen, Trump kërcënoi të godiste termocentralet dhe urat në Iran të martën nëse Teherani nuk do ta hapte Ngushticën e Hormuzit: “E marta në Iran do të jetë Dita e Centraleve elektrike dhe Dita e Urës, të gjitha të bashkuara në një. Nuk do të ketë asgjë si kjo!!! Hapni Ngushticën e mallkuar, ju o kopila të çmendur, ose do të jetoni në ferr - DO TA SHIKONI! Falënderimi i qoftë Allahut,” shkroi ai në Truth-in e tij.
“Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte!”
Ndërsa mbërriti e marta, 7 prill, Trump - gjithnjë në Truth - shkroi: “Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u ringjallur më kurrë. Nuk dua që të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë.” Por jo, disa orë më vonë erdhi njoftimi: "Pajtohem të pezulloj bombardimet dhe sulmet kundër Iranit për një periudhë dy-javore. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM dypalësh", tha Trump, duke theksuar se "arsyeja për këtë vendim është se ne tashmë kemi arritur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake dhe jemi shumë të avancuar në finalizimin e një marrëveshjeje përfundimtare në lidhje me PAQEN afatgjatë me Iranin, si dhe PAQEN në Lindjen e Mesme"./ SkyTg24
Komente











