Nga Jugu në Shqipërinë e Mesme, Lelajt ‘ringjallin’ këngët e tabanit, Fatmiri rrëfen lidhjen me rrënjët dhe instrumentet e vjetër muzikorë

TIRANË- Falë tyre, historia e sazeve shqiptare nuk njeh këputje... Në katër breza, familja Lela ka kontribuuar që tabani muzikor i jugut dhe i Shqipërisë së mesme të përcillet deri në ditët e sotme.

Rrënjët përmetare i ruajnë të forta, prej shpërnguljes në Tiranë në vitin 1940 e deri në të fundit album të titulluar “Vëllezërit Lela”... Fatmiri dhe Ahmeti i sjellin në origjinal 12 këngë, të cilat i promovojnë mes miqve artistë këtë të enjte...

“Ne e kemi përfituar shumë nga babai, muzikën përmetare, leskoviqare. Ndërsa me muzikantët e vjetër që jemi rritur këtu kemi përfituar edhe muzikën tiranse, ndaj ne e morëm si obligim këtë albumin e fundit. Pra një urë lidhëse e kulturës përmetare në Tiranë, pra kemi bërë gjashtë këngë nga jugu dhe gjashtë nga Shqipëria e mesme”, rrëfen muzikanti Fatmir Lela.

Janë mbi 600 këngë në arkivin e familjes Lela e mbi 40 albume, prej viteve ’80. Ndër to, Fatmiri, që shënon edhe 70-vjetorin e lindjes, ka që veçon...

“Është një këngë e vjetër, “Penxheren e zotërisë sate”, të cilën e kemi interpretuar dhe në Francë dhe është cilësuar si një nga më të bukurat. Ndërsa të Shqipërisë së mesme kemi këngën ‘S’paske pasur pikë mëshire”, shton më tej.

Nga tingujt e Fatmirit në lahutë, te  djali i Çobanit në def, klarinetës e fizarmonikës harmonizohen në këtë album prej instrumentistëve.

Është ndër familjet tradicionale, që jo vetëm i kanë prodhuar, por edhe luajtur vetë instrumentet muzikorë. Siç tregon Fatmiri, ka prej tyre që sot nuk luhen më..., përmend një lahutë dhe mandoçelë të vjetër.

“Po të flasësh për trashëgiminë tonë duhet një natë e gjatë dimri, sepse është shumë e pasur. Ne instrumentet i kemi ruajtur. Përmend një instrument të quajtur bakllama, të cilin unë e kam rinovuar dhe në vend që të ishin tre instrumentistë unë e kam përshtatur në formë të tillë që instrumenti të bëjë punën e të treve njëherësh”, shton më tej.

Të trashëgohet e pastër e pa shtrembërime muzika e tabanit, kjo është porosia e Fatmir Lelës në këtë përvjetor.

“Është një temë që mua më dhëmb në shpirt... Le të kompozohen këngë të reja por ritmika, autenticiteti le të mbetet brenda. Të duket që kënga vjen aromë Përmeti, ose Korçe apo Tirane”, thotë muzikanti.

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona