Nga kooperativa në komunizëm, në Policinë e Shtetit: Historia e agjentes nga Kukësi

Nga kooperativa në komunizëm, në Policinë e Shtetit: Historia e agjentes nga Kukësi

Nga Arnela Avdiaj

Pas mbarimit të shkollës si Agronome, M.P, ashtu si shumë vajza shqiptare të periudhës së komunizmit punoi për një periudhë kohe në kooperativë. Ulur në karrigen e saj, teksa shtrëngon duart, pas 25 vitesh punë në Policinë e Shtetit ajo kujton me nostalgji vështirësitë e asaj kohe.

Lindur në krahinën e Lumës në fshatin Bicaj në vitin 1964, një zonë e shquar për prodhimin e artizanales, me të cilin furnizoheshin një pjesë e madhe e Europës Lindore, ajo punoi për një periudhë 9 mujore. Puna në artizanat kishte goxha vështirësi tregon ajo, ndërsa shton se kur ishte martuar, nëna e saj i kishte lënë vetëm një amanet vjehrrit, babait të burrit: Vetëm në atë punë mos ma fut vajzën.

Pikërisht ky ishte dhe momenti kur  vendosi të shkëputej nga artizanati dhe t’i futej rrugës që do ta shoqëronte për plot 25 vite, atë të një femre ushtatarake.  Ajo tregon se ishte një çmenduri për kohën pasi shumë femra në atë periudhë nuk gëzonin lirinë për tu arsimuar pasi martoheshin në një moshë të re. Fillimi tregon se ka qenë i vështirë sepse ishte e rrethuar vetëm me meshkuj dhe shpeshherë i duhej që të merrte pjesë në operacione të ndryshme.

Teksa shikon fytyrën e saj të rrudhur dhe sytë që i shkëlqejnë plot pasion kur flet për punën e saj, kupton se asgjë nuk ka ndryshuar edhe pse ajo ka 25 vite në këtë profesion. “Kur kthej kokën pas dhe shikoj gjithë rrugëtimin tim, ndjehem krenare që kam mbërritur deri këtu ku jam sepse gjithçka që kam bërë ka qenë realizimi i një ëndrre rinore”, shprehet ajo.

Pyetjes time se ku e shikonte veten pas 5 vitesh, i’u përgjigj duke qeshur me plot nur, se tashmë e vetmja gjë që i kishte ngelur ishte pensioni.

Në pamje të parë të jepte përshtypjen e një gruaje të brishtë, fliste me një ton shumë të qetë, ishte e buzëqeshur dhe e kuruar në detaje, por teksa filloi të fliste për veten, për vështirësitë që kishte kaluar, kuptova që brenda saj fshihej një botë e madhe vuajtjesh dhe sakrificash.

Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në vendlindje, në fshatin Bicaj, aty ku do t’i lindte dhe dëshira për tu bërë oficere. “Kam qenë shumë e apasionuar pas shkollës ushtarake, kisha dëshirë të bëhesha oficere pasi përgatitjen ushtarake na e bënte një oficere”, rrëfen ajo, ndërsa thotë se për shkak të biografisë nuk ju dha e drejta për të vazhduar arsimin e lartë.

Në moshën 22 vjeçare, në pamundësi për të vazhduar universitetin ajo martohet dhe nga kjo martesë vijnë në jetë tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem. Edhe pse kishin kaluar vite, dëshira e madhe që ajo kishte për tu bërë oficere ende e ndiqte nga pas. Në gushtin e vitit ’93 asaj i jepet mundësia të futet në radhët e Policisë së Shtetit, jo në shërbim, por në administratë në disa pozicione.

“Gjatë gjithë kësaj kohe i kam shërbyer komunitetit, kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me njerëz nga më të ndryshmit”, thotë ajo, ndërsa shton se edhe me kolegët ka pasur marrëdhënië shumë të mira dhe gëzonte respektin e të gjithëve. “Në 25 vite punë, kam qenë e gatshme të dilja ditën dhe natën, në çdo orë që më kanë kërkuar, pvarësisht se isha një grua me fëmijë.”

Pas disa vitesh punë në administratë, për shkak të shkurtimit të organikës, ajo del në punë në terren, si agjente. Për të, ky ishte profesioni që aq shumë kishte ëndërruar që në përfundim të shkollës së mesme. “Kam pasur në dorë shumë sekrete, për persona të rrezikshëm apo dhe në kërkim por ato ishin informacione që nuk duhet t’i ndaja me askënd. Edhe ne mendje po ta përsërisje po them, nuk duhej”, rrëfen ajo.

Pasionin që kishte për shkollën ushtarake, do t’ia “impononte” dhe të bijës. Ajo rrëfen se teksa ishte nisur për ta regjistruar në universitet për Angisht, rrugës takon një miken e saj që do të regjistronte djalin në shkollën Ushtarake “Skënderbej”, dhe aty vendos që të dërgojë dhe vajzën e saj.

“Vajza nuk kishte bërë as fiskulturë si unë, por ashtu me nxitim e regjistrova. Ajo konkuroi dhe e fitoi shkollën, dhe pas pesë vitesh doli oficere duke ndjekur shembullin tim. Edhe pse unë e regjistrova në shkollën ushtarake pa dijeninë e saj, ajo e vazhdoi vetë dhe ja doli”, tregon agjentja e policisë.

Edhe pse nënë e tre fëmijëve ajo tregon se profesioni si agjente, një punë pa orare fikse, nuk është bërë asnjëherë pengesë për familjen e saj. Një ndihmë të madhe asaj i kanë dhënë dhe prindërit e bashkëshortit pasi kur fëmijët i kishte ende të vegjël, ata e ndihmonin duke u kujdesur. “Kur kaluam në shtëpinë tonë, bashkëshorti ishte mbështetja ime më e madhe pasi edhe pse duhet të dilja në punë në mes të natës, ai kurrë nuk më ka penguar, madje mbante të tre fëmijët”, rrëfen ajo.

Pas dy dekadash e gjysmë në polici, ajo me shumë bindje thotë se është punë shumë e mirë, sidomos për femrat, dhe nuk është penduar aspak që e ka zgjedhur. E pyetur për përditshmërinë, ajo tregon “Zgjohem në mëngjes dhe paraqitem në punë pak para orarit zyrtar.

Edhe pse agjente kam zyrën time ku përmbledh në kompjuter gjithë punën ditore që kam bërë por nxjerr dhe ato që duhet të bëj. Pastaj bëjmë mbledhje me shefin, ku secilit i përcaktohen detyrat e veta dhe dalim në terren.”

Pavarësisht  punës si agjente, ajo thotë se nuk e privon veten nga daljet me shoqërinë dhe argëtimi. Bashkë me koleget dalin në raste të festave zyrtare si dhe organizjonë ekskursione brenda dhe jashtë vendit.

Si një punonjëse me eksperiencë në radhët e policisë, dhe jo në detyrë shumë të lehtë, ajo tregon se nëse e ke me dëshirë, nuk është aspak e vështirë. “Për një femër nuk është e vështirë të përshtatet. Unë them se jo vetëm në polici, por dhe në çdo lloj pune tjetër nëse e bën me pasion mund t’ja dalësh”, tregon agjentja M.P.

Në pozicionet që ka mbajtur ajo ka kaluar shumë momente të bukura, por  menjëherë sapo e pyet për këtë, në mendje i vjen një rast ” Isha në pritje të njerëzve dhe vjen një qytetar për aplikim për pasaportë, si gjithë qytetarët e tjerë i pranova dokmentacionin dhe e sqarova për çdo gjë.

Më kërkoj  ndihmë dhe për një problem tjetër që kishte dhe me mirësjellje u largua nga zyra” rrëfen ajo ndërsa shton se pasi kishte dalë jashtë, ishte kthyer përsëri që ta falenderonte dhe i kishte thënë ‘Kam vajtur në zyra shteti, por këtë pritje dhe këtë respekt akoma nuk e kam parë. Sikur të ishin të gjithë punonjësit e shtetit si ju’, pavarësisht se sipas saj nuk kishte bërë asgjë më shumë se detyrën që i takon.

Ajo shton se figura e femrës duhet të jetë prezente edhe në profesione të tjera, jo vetëm në polici. Sipas saj, femrat punojnë me sinqeritet më të madh se meshkujt, ndaj duhet të jenë edhe më të shumta në këto pozicione që kanë lidhje direkt me komunitetin.

Për këtë, ajo thotë se kur është futur vetë në Polici në vitin 1993, aty ishin vetëm dy punonjëse femra, M.P dhe një kolege e saj. “Në mentalitetin e asaj kohe, ne na shihnin disi ndryshe sepse ishim femra. Por me figurën tënde të pastër krijon dhe respekt te komuniteti, shoqëria dhe çdokush tjetër që të rrethon”, rrëfen ajo. Ndërsa kur e pyet se nëse do t’ja këshillonte dikujt punën në polici, agjentja shton “Unë them mirë është të jesh në radhët e Policisë sepse po të punosh dhe të jesh i pastër ke respektin e të gjithëve.”

Futja në polici, nga një pasion i hershëm është bërë për të një punë e pazëvendësueshme nga e cila nuk ka menduar të tërhiqet kurrë, ndërsa me keqardhje kujton pensionin. “Më vjen keq që mosha e pensionit po vjen kaq shpejt dhe do më duhet të shkëputem nga kjo punë”, thotë M.P.

Në fund, e pyetur nëse tashmë pas dy dekadash e gjysmë punë në Polici, e sheh veten më të plotësuar, ajo e përmbledh gjithë rrugëtimin e saj në pak rreshta, por me shumë domethënie.

“Gjithë rrugëtimi im në Polici ka qenë një plotësim ëndërrash dhe dëshirash të rinisë time që po e përfundoj duke i shërbyer komunitetit me ndërgjegje e pastërti të madhe”, përmbyll agjentja M.P.

P.S: Për shkak se M.P është agjente në terren, janë përdorur vetëm inicialet

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Raketat ruse godasin një infrastrukturë në Odessa

Raketat ruse godasin një infrastrukturë në Odessa