Nga Alpet shqiptare në bregdetin e Puglias në Itali. Nga lufta e Kosovës në majën e futbollit të Serie A. Jeta dhe karriera e Ylber Ramadanit nuk ka qenë aspak e lehtë. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka rrëfyer peripecitë për kanalin zyrtar të Serisë A.
“Unë kam lindur në Gjermani, por im atë donte që të riktheheshim në Kosovë. Nuk ishte aspak e lehtë, sepse nuk kishim asgjë. E ndihmoja babanë për të shitur fruta, por nga aty rruga drejt futbollit bëhej e vështirë. Ai nuk kishte shumë besim se do bëhesha lojtar, por më vonë më mbështeti”, tha Ylber Ramadani, mesfushor i Kombëtares.
Ramadani është shndërruar në një idhull për tifozët e Lecces dhe bashkë me të edhe Medon Berisha. Tifozët iu kanë dedikuar një këngë në lidhje me Shqipërinë.
“Këndojnë gjithmonë korin për mua dhe Medonin. Jam te Lecce prej 3 vitesh dhe e njoh mirë Berishën. Ka goditje dhe kualitet që pak futbollistë e kanë në Serinë A. Krijon shumë raste. Na mungon shumë, por shpresoj që do të rikthehet shpejt", vijoi ai.
Karriera e Ramadanit është karakterizuar nga lëvizje në kultura dhe kampionate të ndryshme. Mesfushori është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga Eusebio Di Francesco, duke qenë një pikë referimi në betejën e Lecces për mbijetesë në elitën e futbollit italian.
"Kam udhëtuar përreth botës dhe kam mësuar shumë rreth kulturave të ndryshme. Ka shumë ndryshime nga një vend në tjetrin. Në Danimarkë bënte ftohtë, edhe në Skoci po ashtu. Tani luaj te Lecce dhe është sikur jam në shtëpi, ka plazh, diell dhe gjithçka”, shprehet ai.
Mesfushori shqiptar thekson se 'lufta' për të shmangur rënien nga kategoria është një nga sfidat më të vështira në futboll.
"Jam rritur shumë si lojtar. Të luftosh për të shmangur rënien nga kategoria nuk është e lehtë. Presioni rritet kur ndeshjet nuk shkojnë sipas dëshirës, sepse tifozët duan që skuadra të qëndroj në Serie A. Jam shumë i lumtur këtu, sepse kam mësuar shumë”, deklaron Ramadani.
Ramadani rrëfen se rruga drejt futbollit profesionist nuk ka qenë e lehtë. Në fillim, babai i tij ishte skeptik për karrierën e tij.
“Në fillim babai nuk më linte të luaja futboll, sepse mendonte se nuk do t’ia dilja. Më pas erdhi të më shihte duke luajtur dhe kuptoi se isha i destinuar të bëhesha futbollist. Gjithmonë e falenderoj, sepse më pas u bë krahu im i djathtë”, tregon ai.
Gjatë këtij sezoni në Serinë A, Ramadani ka luajtur 27 nga 28 ndeshjet e mundshme, duke qenë një titullar i padiskutueshëm në mesfushë. Deri tani ai ka shënuar një gol, ndërsa kontributi i tij në lojë vlerësohet i rëndësishëm për skuadrën.
Mesfushori shqiptar është pjesë e Leçes prej tre vitesh. Kontrata e tij përfundon këtë verë, por klubi pritet të aktivizojë një klauzolë që e rinovon automatikisht marrëveshjen edhe për një vit tjetër.
Komente









