Në Maqellarë, tokat nuk i kanë lënë djerrë. Agronomi Qatip Doda beson se e ardhmja e fermerit është frutikultura.
“Dibra ka kushtet e shkëlqyera për kultivimin e drufrutorëve, me përjashtim të limonit, mandarinës dhe portokallit që janë për zonat e ngrohta. Dibra është shtëpia e mollës, e kumbullës, e qershisë dhe dardhës. Në Maqellarë njerëzit punojnë pavarësisht mungesës së mbështetjes të vazhdueshme që nuk ka qenë në nivelin e duhur.”
Më tej zbulon arsyen pse në Dibër frutat janë më të shijshme dhe më cilësore.
“Faktorë janë kushtet klimatike-tokësore, me natën e ftohtë dhe ditën e nxehtë, përmbajtja e tokës është kryesisht me potas. Këto e bëjnë frutin shumë më të shijshëm se qarqet e tjera.”, tregon agronomi.
Në vitin 2001 krijoi pemtoren e parë me mollë. Më pas, suksesin dhe të ardhurat e kënaqshme i gjeti tek mjedrat.
“Mollët i coj në tregun e Tiranës me 70 lekë. Problemi krysor për fermerin sot është pika e grumbullimit. Në Peshkopi nuk ka pika grumbullimi të mirfillta për grumbullimin e mollës, kështu që prodhimin e shesim të freskët për shkak të mungesës së frigoriferit dhe ambienteve të ruajtjes.
Puna ime është e lidhur me bujqësinë, me tokën dhe të gjithë sipërfaqen e kam kultivuar dhe testuar me kultura të ndryshme bujqësore. Tani jam përqëndruar në ato kultura që krijojnë më shumë të ardhura për familjen.
Për herë të parë mjedrat i futëm në qershor të vitit të kaluar në një sipërfaqe prej 3 dynym. Vitin që kaloi arritëm të marrim 300 kg sa për të parë shijen dhe klientelën sesi do reagojë. Këtë vit ka qenë në prodhim të plotë. Varietetet vjeshtore prodhojnë gati 100 ditë. Afërsisht mbi 5 ton mjedra është shitur në Tiranë me çmimin 800lekë/kg.”, tregon Qatipi për emisionin “Një nga ne”.
Ka 5 vite që ka dalë në pension, por nuk i ndahet tokës. Fitimet nga frutikultura janë të larta.
“Më shtohet jeta kur e shoh prodhimin dhe mundi justifikohet në fund të vitit. Po krijove një fermë, po krijove të ardhura, po punove, gjithë të mirat i ka fshati. Me prodhimet që shes prej fermës sime, pa lëvdata shumë, mund të marr 2 mijë euro në muaj.”, thotë agronomi dibran.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente
Komento