Virusi i Nilit Perëndimor po përhapet me ritme të shpejta në Europë. Italia kryeson për numrin e rasteve të konfirmuara, ndërsa në Greqi, vetëm pak kilometra larg Shqipërisë, janë regjistruar 65 të infektuar dhe gjashtë viktima.

Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 29 korrik raste janë raportuar në Itali, Greqi, Rumani, Francë, Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Gjermani. Në total janë identifikuar 49 zona të prekura në shtatë vende europiane, 30 prej tyre vetëm në Itali.

Italia kryeson me 94 raste të konfirmuara. Pas saj renditet Greqia me 65 raste, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Spanja kanë raportuar nga shtatë raste secila, Rumania pesë, Franca dy dhe Gjermania një rast.

Në Greqi, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 23 raste të reja. Që nga fillimi i sezonit të transmetimit e deri më 5 gusht janë konfirmuar gjithsej 65 raste. Prej tyre, 54 pacientë kanë shfaqur komplikacione të rënda neurologjike, si encefalit, meningjit ose paralizë akute, ndërsa 11 kanë pasur simptoma të lehta ose nuk kanë shfaqur dëmtime të sistemit nervor qendror.

Deri tani janë raportuar gjashtë viktima, të gjitha mbi moshën 65 vjeç dhe me përfshirje të rëndë të sistemit nervor qendror.

Autoritetet shëndetësore greke paralajmërojnë se numri real i të infektuarve mund të jetë shumë më i lartë se ai i rasteve të konfirmuara. Sipas të dhënave seroepidemiologjike, për çdo rast me përfshirje të sistemit nervor qendror vlerësohet se rreth 140 persona të tjerë janë infektuar, por kanë pasur simptoma të lehta ose nuk kanë shfaqur fare shenja të sëmundjes.

Rastet në Greqi janë regjistruar në 25 bashki të rajoneve të Atikës, Thesalisë dhe Maqedonisë Qendrore. Aktualisht, 20 pacientë vijojnë të trajtohen në spital, 12 në pavijone dhe tetë në terapi intensive. Tridhjetë e tetë pacientë janë larguar nga spitali, ndërsa një nuk ka pasur nevojë për shtrim.

Çfarë është virusi i Nilit Perëndimor?

Virusi i Nilit Perëndimor është një virus që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Mushkonjat infektohen pasi ushqehen me zogj që mbartin virusin dhe më pas mund ta transmetojnë te njerëzit ose te kuajt. Virusi nuk përhapet nga njeriu te njeriu përmes kontaktit të zakonshëm. Shumica e të infektuarve nuk shfaqin simptoma, ndërsa disa mund të kenë ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh ose skuqje në lëkurë.

Në një numër të vogël rastesh, sidomos te të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar, infeksioni mund të shkaktojë komplikacione të rënda neurologjike, si meningjit ose encefalit. Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1937 në Ugandë, në distriktin West Nile, prej nga ka marrë edhe emrin.