Ministria e Shëndetësisë, një nga degët më të rëndësishme të qeverisë, ka hartuar planin e tretë kombëtar për mbrojtjen e të drejtave, ofrimin e shërbimeve cilësore dhe pranimin në shoqëri të personave LGBTI+ në Shqipëri, që është një nga kushtet për integrimin e vendit në BE. Plani i tretë parashikon marrjen e disa masave gjatë periudhës 2021-2027. Parashikohet mundësia e ndryshimeve në Kodin Penal, për të ndëshkuar penalisht format e urrejtjes apo dhunës ndaj personave LGBTI+. Parashikohet ndryshimi i Kodit të Familjes dhe ligjit të birësimit, për të adresuar çështjet e personave LGBTI+. Personat e komunitetit LGBTI+ kërkojnë të drejtën e birësimit të fëmijëve si dhe barazi në martesë, çështje të cila kanë prodhuar reagime të forta dhe polemika.

Në vende të tjera, LGBTI+ kanë kërkuar edhe heqjen e fjalëve ‘nënë’ dhe ‘baba’ nga Kodi i Familjes dhe terminologjia ligjore. Ndërkaq, plani 7-vjeçar i veprimit parashikon edhe hartimin e një ligji të posaçëm për njohjen e identitetit gjinor. Gjithashtu, parashikohet përfshirja e moduleve të trajnimit mbi çështjet LGBTI+ në kurrikulat e universiteteve, në Shkollën e Magjistraturës, në Akademinë e Sigurisë, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike etj. Synohet gjithashtu marrja e masave për të rritur aksesin në qendrat sportive, klubet, federatat sportive, etj., të personave LGBTI+, ku përfshihen lezbike, gej, biseksuale, transgjinorë etj.

Plani i veprimit parashikon edhe zbatimin e ndryshimeve ligjore në një ligjin e vitit 2018 për strehimin, ku janë përfshirë personat LGBTI+ si grup përfituesish. Dokumenti, gjatë 7 viteve në vijim, parashikon rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të opinionit publik për pranimin dhe gjithëpërfshirjen e personave LGBTI+, si dhe respektimin e të drejtave të tyre njerëzore. Plani i veprimit është aktualisht në proces konsultimi, që do të thotë se mund të pësojë ndryshime në vijim, deri ku të miratohet nga qeveria, për të t’i hapur rrugë zbatimit.

(Kliko këtu) Planit kombëtar i veprimit për personat LGBTI+, 2021 - 2027