Në ekspozenë e mbajtur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti tha se mandati i ri do të fokusohet te rritja e mirëqenies së qytetarëve, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i mbrojtjes së vendit.
Mes premtimeve kryesore ishte rritja e pagës mesatare në sektorin publik në mbi 1 mijë euro në muaj.
Kurti tha gjithashtu se do të vazhdojë zbatimi i pagës së 13-të në sektorin publik, ndërsa synimi është që në të ardhmen të planifikohet edhe paga e 14-të, si dhe të punohet që paga e 13-të të shtrihet edhe në sektorin privat.
Ai premtoi edhe rritjen e shtesave për fëmijët. Sipas tij, për familjet me tre ose më shumë fëmijë, shtesa do të dyfishohet, nga 45 në 90 euro për çdo fëmijë. Kurti njoftoi gjithashtu se gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat nga 13 deri në 36 muaj, kur të dy prindërit janë në punë, do të përfitojnë 100 euro shtesë në muaj.
Në planin ekonomik, Kurti tha se Qeveria synon të nisë një transformim të madh industrial, duke krijuar një program prej 1 miliard eurosh për prodhimin dhe industrinë. Sipas tij, Banka Zhvillimore do të financojë projekte strategjike dhe do të mbështesë ndërmarrjet e vogla e të mesme, si edhe prodhuesit dhe eksportuesit.
Një tjetër prioritet, sipas Kurtit, do të jetë mbrojtja. Ai premtoi se gjatë katër viteve të ardhshme do të investohen mbi 1 miliard euro për ushtrinë, ndërsa industria ushtarake do të fokusohet në prodhimin e municioneve, dronëve dhe robotëve.
Në politikën e jashtme, Kurti tha se synimi i Qeverisë është që deri në vitin 2030 Kosova të përmbyllë kapitujt e integrimit në Bashkimin Evropian dhe të avancojë në procesin e anëtarësimit.
Ai përmendi gjithashtu angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, si edhe realizimin e disa projekteve infrastrukturore, mes tyre autostradën e Gjilanit, rrugën Prizren-Tetovë dhe rrugën e Dukagjinit.
Lajmi kryesor:
Votëbesohet qeveria e re e Kosovës, Kurti 4 merr detyrën me mendjen te zgjedhja e Presidentit! Kreu i ri i shtetit duhet brenda 60 ditësh, ndryshe në zgjedhje! Opozita bojkoton seancën, Lista Serbe voton kundër










