Është koha kur pasioni duhet të kthehet në profesion, e kandidatët kanë edhe pak ditë kohë për të hedhur hapin e parë drejt skenës, telajos, kamerës apo studios.

“Kam aplikuar për degë të ndryshme. Zgjedhja ime e parë është ‘fashion design’, sepse e kam pasur qejf që e vogël.”, thotë një aplikonte për të studiuar në Fakultetin e Arteve të Bukura.

Martina vjen nga gjimnazi i përgjithshëm, por prej një viti është përgatitur për artet.

Kurse për ata që rrugën e artit e kanë nisur që herët, ky Universitet është destinacioni natyral

“Kam studiuar që në klasë të parë te liceu artistik, fillimisht për violinë, pastaj kalova për kanto. Do ta vazhdoj edhe këtë vit.”, kandidate për studente në degën e kantos.

Për Albanën, muzika është edhe një mundësi për të ndërtuar të ardhmen, brenda apo jashtë vendit.

Renato, nuk është aplikanti klasik që sapo ka mbaruar gjimnazin.

“Jam marrë gjatë këtyre viteve me biznes veshjesh, por kam pasur gjithmonë pasion editimin e videove dhe krijimin e kontentit. Tani thashë ta vazhdoj pasionin edhe me shkollë.”, thotë  Renato Doko, i cili kandidon për regjisurë.

Ai shton se ka realizuar edhe një film komedi, ndërsa tani synon regjinë.

“Më pëlqen regjia, dua t’i shoh gjërat në mënyrën si i shoh unë dhe t’i transmetoj në atë mënyrën time. Më pëlqen të krijoj video dhe të bëj filma.”, vijon Doko.

Por çfarë e bën të veçantë studimin në Universitetin e Arteve?

“Shkolla jonë është shkollë kombëtare, shkolla më e vjetër dhe me më shumë traditë. , thotë dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, Sadik Spahija.

Universiteti i Arteve ofron dhjetëra programe në Muzikë, Arte të Bukura dhe Art Skenik. Afati i rregjistrimeve është 18 gushti, ndërsa në tre ditët që pasojnë kandidatët do t’i nënshtrohen konkurimit

“Kemi kërkesa për secilin program. Kjo është një gjë shumë e mirë. Peshën kryesore gjithmonë e ka konkursi i pranimit dhe ajo çfarë kandidatët do të japin, interpretojnë apo realizojnë gjatë këtyre tre ditëve.”, thotë rektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli.

Ndërsa Dekani Spahija shpjegon se për të qenë student në Universitetin e Arteve nuk mjafton vetëm diploma e shkollës së mesme.

“Konkursi merr parasysh edhe kontingjentin që vjen nga shkollat e përgjithshme. Dosja dhe biseda gjatë shpjegimit të saj kanë shumë rëndësi.”, thotë dekani Spahija.

Programet që lidhen me dizajnin, fotografinë, grafikën, produksionin dhe skenën krijojnë ura me tregun e punës dhe me aktivitetin kulturor.

“Universiteti i Arteve nuk është vetëm një qendër edukimi, por edhe një qendër kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare.”, thotë Ardian Isufi, drejtues i programit të Grafikës në FAB.

Për disa, ky është konkursi i parë. Për të tjerë, një ëndërr e shtyrë prej vitesh. Por për të gjithë, ditët e ardhshme do të jenë prova nëse pasioni mund të bëhet profesion.