Prokuroria e Elbasanit ka filluar me iniciativë të saj hetimet për dëmtimet që prej ditës së djeshme kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec.

Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor.

Për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi rruga Librazhd-Pogradec, Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi tërësisht qarkullimin në këtë aks, jo vetëm për automjetet, pro edhe për këmbësorët. 

Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rruge që kalohet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe që shton distancën me një orë. 

    Prej dy ditësh qarkullimi kryhej me vështirësi në një korsi, ndërsa sot u mbyll plotësisht pasi situata u përkeqësua, me zhvendosje të trupit të rrugës

    Për drejtuesit e mjeteve, ARRSH thotë se duhet të përdorin rrugët Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë, ndërsa drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, duhet të përdorin rrugët në Pikën doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe Pikë doganore të Bllatës – Rruga e Arbërit.

    lajm në përditësim...

    Rendit zhvillimet sipas orarit:
    Ora 12:24
    Shembja e rrugës Librazhd-Pogradec, kreu i ARRSH: Gjendja po përkeqësohet, presim rekomandimet e shërbimit gjeologjik! Ura tërësisht e degraduar

    1771759422_drejtoriiarrsh.jpg

    Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, tha se rruga Librazhd-Pogradec aktualisht është përfundimisht e papërdorshme për qarkullim dhe gjendja e saj vijon të degradohet, pavarësisht përpjekjeve të kompanisë kontraktore "ANK" të lotit ku kanë ndodhur dëmtimet më të rënda, për ta rikthyer në normalitet.

    "Gjatë gjithë mbrëmjes është vijuar me punimet nga ana e kontraktorit dhe ka pasur ritme të mira. Ura dhe terreni kanë patur lëvizje edhe gjatë mbrëmjes; ura paraqitet në një plan zhvendosje 40 cm, 7 cm nga dita e djeshme.

    Kontraktori vijon punimet intensivisht, por aksi vijon të jetë i mbyllur, në shpresojmë shumë të mund ta hapim ditën e nesërme.

    Jemi në pritje të rezultateve dhe rekomandimeve të shërbimit gjeologjik shqiptar. Rezultatet paraprake tregojnë se ka një plan rrëshqitjeje deri në 7 metra.

    Ky sezon dimëror ka qenë jashtë normales; çdo vit në këtë sezon të vitit ka probleme të rrëshqitjeve, por si kurrë më parë kemi qenë 3 muaj pa ndërprerje shirash.

    Gjithë dokumentacioni është i rregullt nga ana e kontraktorit.

    Raporti i shërbimit gjeologjik do të na japë rekomandimet për masat që duhet të ndërmarrim; më pas mblidhemi me këshillin teknik dhe të adresojmë zgjidhjen. Ura është e vitit ’97 dhe me dëmtimet që ka pësuar këto ditë e bën më të degraduar dhe jashtë funksionit",-tha Kozeli.