Një ditë pas publikimit të projektligjit, Shqiptarja.com zbulon edhe listën me 20 deputetë të cilët kërkojnë të përjashtojnë përfundimisht ish-kryeministrin Sali Berisha nga politika shqiptare dhe zgjedhjet parlamentare të 2021, përmes nismës së lustracionit, për dekomunistizimin e politikës dhe shtetit shqiptar. Nisma ligjore e depozituar në Kuvend dhe e përfshirë në axhendën e punimeve, gjithnjë nëse do të miratohet, prek edhe kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, deputetët Spartak Braho, Fatmir Xhafaj etj., të cilët përfshihen në kategoritë ndaluese të projektligjit. Ndërkaq, në listën e 20 deputetëve propozues, përveç Myslim Murrizit, bën pjesë deputetja Rudina Hajdari, e zgjedhur në listat e Partisë Demokratike, por e përjashtuar më pas nga partia nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha, pasi zonja Hajdari refuzoi të zbatonte vendimin politik të PD për të ‘djegur’ mandatin e deputetit vitin e kaluar, në kuadër të aksionit politik të opozitës për të rrëzuar qeverinë. 

Deputetët e tjerë propozues janë Halit Valteri, Korab Lita, i cili ka qenë më parë nënkryetar i Bashkisë Kamëz, kur jo e fundit drejtohej nga Xhelal Mziu, deputeti Ralf Gjoni, deputeti Adriatik Alimadhi, i cili u infektua nga koronavirusi, Artur Roshi, Edlira Hyseni, Majlinda Halilaj, Besnik Troplini, Ligoraq Karamelo, Arben Elezi, Krenar Rryçi, Arlind. Çarçani etj. Deputetët thonë në relacionin shpjegues për Kuvendin se projektligj nuk synon përafrimin me legjislacionin e BE-së, nuk ka efekte financiare dhe mbështetet në nenin 81 të Kushtetutës dhe nenin 68 të Rregullores se Kuvendit. Sipas tyre, nisma ligjore është në përputhje dhe zbatim të rezolutës nr. 1481 të Asamblesë Parlamentare të KE-së votoi Rezolutën mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste dhe disa rezolutave të Kuvendit të Shqipërisë. 

Projektligji figuron në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 16 prill deri në 30 maj. Për shqyrtimin e nismës ligjore është caktuar Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Por, nuk ka një datë se kur Komisioni i Ligjeve do ta marrë në shqyrtim. Nisma ligjore pritet të prodhojë debate të forta pikërisht për shkak të efekteve të saj. 


Kategoritë që përjashtohen 
1.    Anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe të Partisë Punës së Shqipërisë;
2.    Ish-funksionarët e Sistemit Komunist;
3.    Ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-oficere të Sigurimit të Shtetit Komunist, dhe ish- bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit (spiunë Sigurimi);
4.    Të shkolluarit dhe të kualifikuarit në shkollat e larta politike të Partisë Punës së Shqipërisë (PPSH-së) dhe të Sigurimit të Shtetit të Mbrojtjes në ish-vendet e traktatit të Varshavës;
5.    Ish-anëtarët ose bashkëpunëtoret e Shërbimeve te Inteligjencës se ish-vendeve të Traktatit të Varshavës.

Pozicionet nga të cilat përjashtohen 
1.    President 
2.    Kryeministër 
3.    Deputet i Kuvendit 
4.    Ministër
5.    Zëvendësministër 
6.    Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
7.    Anëtarë të Gjykatës së Lartë
8.    Anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 
9.    Anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor 
10.    Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë 
11.    Titullarë të institucioneve të pavarura kushtetuese që zgjidhen ose emërohen nga
12.    Kuvendi, Presidenti, Kryeministri, Këshilli i Ministrave
13.    Prokurorë ose gjyqtarë të të gjitha niveleve
14.    Kryetar bashkie
15.    Prefekt
16.    Drejtor të përgjithshëm, drejtor drejtorie, drejtorë rajonalë në të gjitha
17.    institucionet shtetërore
18.    Drejtorë dhe drejtues në Policinë e Shtetit
19.    Të Shërbimit Informativ të Shtetit
20.    Të Gardës së Republikës 
21.    Të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
22.    Ambasador
23.    Konsull
24.    Sekretare të Përgjithshëm në çdo institucion
25.    Këshilltarë dhe shefe kabineti të Presidentit të Republikës, kryeministrit, kryetarit të
26.    Kuvendit, ministrave, të institucioneve kushtetuese