Nga sa ''Alket Hysenë'' është 
ende i rrethuar Edi Rama?

Ka një linjë që lidh gafën e Edi Ramës, i cili nga Kuçova ftoi policët jashtë shërbimit të bënin fushatë për PS, dhe talljet e Alket Hysenit, i cili u paraqit në zyrat elektorale të PD dhe LSI në Sarandë duke kërkuar vota për Partinë Socialiste, dhe të dyja janë simptoma të së njejtës sëmundje: mëndjemadhësisë, që rrjedh nga siguria se zgjedhjet i kanë të fituara.

Sondazhet e pavarura vijojnë të tregojnë një avantazh të pastër të Partisë Socialiste ndaj kundërshtarëve të saj dhe është mjaft e mundshme që, me të vërtetë, pas 25 qershorit Edi Rama do të marrë nga zgjedhësit formulën matematike për të qenë përsëri kryeministër, me apo pa 71 mandatet që dëshiron për ta patur gjithë timonin në duart e tij. Përtej deklaratave publike, që dëgjohen nëpër mitingjet e ndryshme elektorale, të gjithë liderët politikë parashikojnë po këtë rezultat dhe kjo shpjegon pse disa shfaqen nervozë dhe të tjerë shfaqen, në të kundërt, arrogantë. 

"U bëj thirrje të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në momentin që lënë uniformën, pas punës, të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS-në, në mënyrë që të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën e tyre", tha dje Rama në Kuçovë.

Një thirrje e gabuar, pasi Rama harroi që Policia shqiptare prej vitesh ndalohet të kryejë çdo lloj aktiviteti politik, edhe kur nuk është në shërbim.

Pas reagimeve të forta dhe të justifikuara të PD dhe LSI, Rama, duke treguar edhe një herë se është njeri inteligjent, kërkoi falje, duke konfirmuar se di të bëjë gjeste që politikanë të tjerë shqiptarë nuk i njohin: “Ndjesë për zhurmën e krijuar nga thirrja ime për punonjësit e Policisë! S'ishte aspak qëllimi im çka thonë keqdashësit, por gabimi mbetet imi”, shkruan Rama në Twitter.

Problemi është se jo të gjithë kandidatët socialistë kanë të njejtën inteligjencë te Ramës. Marrim për shembull rastin e Alket Hysenit. Dy ditë më parë, kandidati socialist numër 3 i Qarkut të Vlorës u paraqit në zyrat elektorale të PD dhe LSI në Sarandë duke i kërkuar stafit të vullnetarëve që ndodheshin aty brenda, të votonin për Partinë Socialiste.

alket hyseni
(Kandidati i PS në Sarandë, Alket Hyseni duke u futur në zyrën elektorale të PD)

Hyseni, madje, ftoi edhe një vajzë 18-vjeçare të LRI-së të vinte në zyrën e tij, duke e siguruar se për atë kishte propozime shumë më interesante se ato të partisë tek e cila ajo militonte.
Alket Hyseni
(Alket Hyseni te zyra elektorale e LSI)

Një provokim i pastër, i bërë në prani të një skuadre mbështetësish të tij dhe kameramanit të tij, që filmonte të gjitha skenat. Ministri i Transportit i LSI-së, Sokol Dervishi, denoncoi publikisht këtë incident, duke ua sinjalizuar sjelljen provokuese të Alket Hysenit zyrave të OSBE-ODIHR-it. Dhe si u përgjigj Alket Hyseni? Kërkoi falje si shefi i tij? Absolutisht jo: i infektuar nga virusi i arrogancës, jo vetëm që pranoi me krenari inkursionin e tij në zyrat e LSI-së dhe PD-së, duke e konfirmuar me provën fotografike, por me një postim të eksituar në Facebook, këmbënguli, duke deklaruar se “Nuk do të reshtim asnjë herë të trokasim derë më derë, shtëpi më shtëpi, dyqan më dyqan për të takuar votuesit tanë”. Nëse një kandidat arrin të konsiderojë stafin elektoral të partive kundërshtare si “votuesit tanë”, atëhere arroganca është kthyer në një delir.

Edi Rama është një lider karizmatik, i cili gjithnjë e ka bazuar ngritjen e tij politike mbi provokimin: duke e konsideruar si një artist që i është dhënë hua politikës, gati të gjithë deri më sot kanë qenë të gatshëm t’ia falin ekstravagancat e tij estetike dhe paradokset e tij në sjellje. Problemi fillon kur kandidatët e tij duan ta kopjojnë.

Alket Hyseni është shembulli tipik: pasi erdhi në Sarandë me një kostum gri 2.000 eurosh dhe një makinë që vlen 100.000 euro, për t’u zhytur në popull e për të kërkuar votat zgjodhi të veshë “uniformën Rama”: atlete, pantallona sportive dhe T-shirt me të njejtin simbol të dy gishtave, që përdor Rama për të provokuar PD-në dhe në të njejtën kohë për të treguar numrin 2, që i korrespondon listës socialiste.

alket hyseni
(Alket Hyseni me T-shirt dhe simbolin e dy gishtave në fushatë)

Vetëm se tek Rama provokacioni është i qartë, pasi të gjithë e dinë se është fjala për liderin socialist, ndërkohë që i njejti simbol i ekspozuar nga Alket Hyseni rrezikon të krijojë konfuzion tek zgjedhësit, duke qenë se askush nuk e njeh dhe kështu që, në fund të fundit, paradoksi është se mund t’u duket kalimtarëve si një kandidat i PD-së.

Alket Hyseni nuk kopjon Ramën vetëm në veshje, por edhe me postimet e tij të vazhdueshme në Facebook: lexoni se çfarë shkruan dhe duket sikur janë tekste të kopjuara nga faqja në Facebook e liderit të tij.

Alket Hyseni në listën e Vlorës ka marrë vendin që ishte i Koço Kokëdhimës në zgjedhjet e vitit 2013 dhe ndoshta mendon të marrë në të ardhmen edhe rolin e tij, duke futur nga dritarja ca lidhje që kishin mbetur jashtë derës. Ndoshta arroganca i vjen prej kësaj, si dhe nga pafytyrësia që, njëkohësisht, përfaqëson Edi Ramën në fushatën elektorale dhe ndërkohë darkon me Koço Kokëdhimës, i cili shan ditë e natë Edi Ramën. Se kush e bën lojën e dyfishtë, kjo do të kuptohet shumë shpejt. 

Por problemi nuk është vetëm ai. Problemi është shumë më i madh dhe lidhet direkt me Edi Ramën dhe detyrën e tij të mundshme, sërish si kryeministër: sa “Alket Hysenë” të tjerë qendrojnë rreth tij? Arroganca e rritur në katër vjet qeverisje tek shumë prej ministrave të tij ka qenë një sëmundje që vetë Rama e ka denoncuar shpesh here, publikisht apo edhe në mbledhjet e partisë. Po si do të përhapet kjo sëmundje në qeverinë e re, nëse arroganca që tani dominon sjelljen e kandidatëve? Natyrisht është shpejt të flitet për një gjë të tillë, por do të ishte mirë që Rama një mesazh ta jepte që tani.

Ndoshta duke ftuar kandidatët të shprehin personalitetet e tyre dhe jo të kopjonin liderin e tyre dhe duke kërkuar nga Alketi i vockël që të kërkojë publikisht ndjesë për atë çka ka ndodhur në Sarandë, pikërisht ashtu si bëri Rama pas gafës së Kuçovës. Meqë e imiton, le ta bëjë së paku në gjestet e inteligjencës.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID te 'Shefqet Ndroqi' , Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID te 'Shefqet Ndroqi' , Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)