Një konflikt i nisur me sharje në rrjetet sociale përfundoi në një pritë të organizuar pranë mbikalimit të Rinasit, ku Eduard Kuçi u rrethua, u dhunua dhe u poshtërua para kamerës nga Jozefin Marku dhe grupi që e shoqëronte.
Videoja e plotë tregon se makina e Kuçit ndalohet në rrugë nga persona që përdorin një tabelë “Stop Policia”. Sapo zbret nga automjeti, Kuçi gjendet i rrethuar nga disa djem, të cilët e kapin dhe e shtrijnë mbi kofanon e një makine.
Në këtë moment, Marku i afrohet nga pas dhe kryen lëvizje simuluese me natyrë seksuale, ndërsa personat e tjerë e mbajnë Kuçin të përkulur mbi automjet.
Më pas Kuçi goditet me shpulla dhe detyrohet të ulet në gjunjë e të kërkojë falje. Në video dëgjohet Marku duke i kërkuar llogari për ofendimet në rrjetet sociale dhe duke i thënë të shajë këngëtarin Gjesti.
Kuçi ndodhet në gjunjë, i rrethuar dhe në pa mundësi për t’u larguar.
Pas publikimit të pamjeve, Eduard Kuçi reagoi vetë në rrjetet sociale, duke e paraqitur atë që kishte ndodhur jo si një përleshje mes dy personash, por si një pritë të organizuar në të cilën ishte gjendur i vetëm përballë një grupi të madh.
“Pabesia dhe tradhtia kanë rrëzuar edhe mbretër! 15 me 1 në konakun e tyre! Shikim të këndshëm”, shkroi Kuçi, teksa publikoi edhe pamjet e dhunës.
Ndërsa Marku dha një tjetër version, duke pretenduar se gjithçka kishte qenë e inskenuar.
“Asgjë nuk ka ndodhur. Jemi aktorë, e kemi bërë vetë”, deklaroi ai.
Por ajo që Marku e quajti “aktrim” ka vënë në lëvizje policinë dhe prokurorinë në të dyja anët e kufirit. Pavarësisht se nuk ka pasur kallëzim për ngjarjen, prokuroria e Pejës hapi rast penal për “lëndim të lehtë trupor”, mori në pyetje Eduard Kuçin dhe e vendosi Markun në “stop-listën” e Policisë së Kosovës.
Këtë të shtunë, Jozefin Marku dhe një tjetër person që shfaqet në video u shoqëruan në Policinë e Tiranës. Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë pranë mbikalimit të Rinasit dhe po përpiqen të identifikojnë pjesëtarët e tjerë të grupit.
Rasti nuk kufizohet vetëm te goditjet ndaj Kuçit. Pamjet tregojnë një ndalim të organizuar në rrugë me simbole që imitojnë Policinë e Shtetit, dhunë në grup dhe një skenë poshtërimi të filmuar që më pas u shpërnda në rrjetet sociale.
Jozefin Marku është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ka dhënë deklarime për ngjarjen dhe më pas është lënë i lirë.









Komente
Komento