Autoritetet e Kosovës kanë nisur të premten rrënimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në fshatin Rezallë, pranë Liqenit të Ujmanit, në territorin e komunës së Zubin Potokut, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Ai tha se nuk ka informacion se sa shtëpi do të rrënohen dhe se Policia e Kosovës vetëm po i ofron asistencë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Para rrënimit, banorët e Rezallës fillimisht morën një kërkesë nga ndërmarrja “Ibër-Lepenc” – e cila thotë se objektet janë të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në tokën e saj – për të dëshmuar pronësinë mbi pronën që përdorin. Pas skadimit të afatit për ta bërë këtë, banorët morën urdhër për t’i larguar objektet.
Ivan Galak nga fshati Rezallë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është rrënuar salla që e kishin ndërtuar vetë banorët për festa, ndërsa pretendon se ajo “nuk rrezikonte” askënd dhe se në të mblidheshin dy herë në vit.
“Janë bllokuar të gjitha rrugët drejt fshatit, salla tashmë është rrënuar, ka filluar”, tha ai.
Megjithatë, ai shtoi se shtëpia e tij nuk duhet të rrënohet, pasi kanë dorëzuar dokumentet për vërtetimin e pronësisë nga vitet ’60 të shekullit të kaluar dhe se u është thënë se ato janë pranuar.
Galak megjithatë thekson se banorët e Rezallës kishin një afat prej një jave për të dëshmuar pronësinë dhe se shumë prej tyre nuk ia dolën për shkak të, siç thotë ai, “sistemit paralel të ndërlikuar”.
Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi, njoftoi se gjatë ditës ishte planifikuar rrënimi i gjithsej gjashtë objekteve dhe kërkoi ndalimin urgjent të rrënimeve të mëtejshme.
“Kjo nuk është një rast i izoluar. Kjo është vazhdimësi e rrënimeve të paligjshme të shtëpive dhe objekteve serbe me qëllim dëbimin e serbëve, pasi deri më tani në këtë zonë janë rrënuar 17 objekte”, u tha në njoftimin e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit.
Lista Serbe kritikoi edhe komunitetin ndërkombëtar për faktin se kësaj radhe nuk ka reaguar ndaj rrënimeve, duke thënë se “një heshtje e tillë nuk mund të konsiderohet më neutralitet”.
“Populli serb me të drejtë e sheh atë si mbështetje të hapur për politikën e cenimit të të drejtave, mbijetesës dhe pronës së tij”.
Për këtë ngjarje reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cila pretendoi se autoritetet në Kosovë, përveç rrënimit të objekteve pranë Ujmanit, më 4 shtator kanë marrë nën kontroll edhe objektet në Zveçan, “me arsyetimin se ato janë pronë e ndërmarrjes Trepça”.
Në njoftim thuhet se Zyra do t’i informojë sërish për gjithçka përfaqësuesit ndërkombëtarë, ndërsa përfaqësuesit e saj, së bashku me Listën Serbe, po kërkojnë mënyra për t’u ndihmuar familjeve të prekura.
Aksioni i 4 shtatorit është vazhdim i rrënimeve të objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, objekte që Kosova thotë se janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ndërkaq pronarët e kundërshtojnë ashpër këtë gjë, duke pretenduar se kanë dokumente të lëshuara nga sistemi serb.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës, pas reagimit të komunitetit ndërkombëtar lidhur me rrëzimin e objekteve pranë Ujmanit, deklaroi se aksioni për rrënimin e objekteve afër Ujamnit është pjesë e një plani më të gjerë për mbrojtjen e burimeve ujore dhe paralajmëroi vazhdimin e rrënimit të objekteve të ndërtuara pa leje në gjithë Kosovën.
Sipas ministrisë, gjatë aksioneve të mëparshme pranë Liqenit të Ujmanit janë rrënuar 17 objekte.
Komuniteti ndërkombëtar ka kritikuar autoritetet e Kosovës për rrënimet dhe ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të tyre. Kundërshtimi kryesor lidhet me faktin se pronarët e objekteve kanë nisur procedura gjyqësore pasi morën paralajmërimin për t’u larguar, ndaj komuniteti ndërkombëtar ka vlerësuar se është dashur të pritej përfundimi i procedurave gjyqësore.
Nga ana tjetër, drejtori i ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, Faruk Mujka, ka deklaruar se ndërmarrja që ai drejton ka detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron. Ai ka thënë po ashtu se të dhënat e mbledhura tregojnë se shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar gjatë viteve 2019 dhe 2020.
Sipas tij, kjo do të thotë se ato nuk kanë mundur të legalizohen në bazë të Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili hyri në fuqi në shtator të vitit 2018.
Megjithatë, bashkëbiseduesit e REL-it, Aleksandar Jakshiq dhe Branimir Mihajlloviq, të cilëve u janë rrënuar më herët objektet, pretendojnë se i kanë ndërtuar ato para gati 20 vjetësh, pra para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Eksperti për çështje pronësore, Korab Dibra, kishte deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se neni 23 i Ligjit për pronën publike përcakton qartë se e drejta e pronësisë mbi pronën publike nuk mund të fitohet me posedim afatgjatë apo me ndërtim të objektit në kundërshtim me rregullat që rregullojnë të drejtën e ndërtimit.
Ai ka shtuar se, sipas ligjit, edhe ndërmarrja “Ibër-Lepenci” ka të drejtë dhe detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron nga çdo cenim i paautorizuar nga palët e treta”.
Megjithatë, sipas tij, ligji parashikon se organi kompetent nuk mund të ekzekutojë rrënimin nëse kërkesa për legalizim ose ankesa është ende në procedurë shqyrtimi.
Ai ka theksuar se ligji nuk e autorizon “Ibër-Lepencin”, as ndonjë ndërmarrje tjetër publike, që ta kryejë vetë rrënimin e objekteve. Sipas tij, këtë kompetencë e kanë organet përkatëse: komuna për objektet e kategorisë së parë dhe të dytë, ndërsa ministria kompetente për objektet e kategorisë së tretë.
Shtëpitë dhe vilat bëjnë pjesë në kategorinë e parë të objekteve, prandaj, sipas Dibrës, vetëm komuna është kompetente për lëshimin e lejeve ndërtimore dhe vendimeve për rrënim.
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, kishte deklaruar më herët se autoritetet komunale nuk kishin dhënë pëlqim për rrënimin e shtëpive dhe vikendicave në Ujman, duke shtuar se duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në fillim të gushtit se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertët mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, si përgjigje ndaj rrënimit të shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Ujmanit.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë, ndërsa pasoi edhe një polemikë mes zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian paralajmëroi se deklaratat e zyrtarëve të Serbisë për një ridrejtim të mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./ REL









Komente
Komento