/ATSH-DPA/ - Dy të vegjël po luanin në dysheme, ndërkohë që nënat e tyre ushqenin me gji foshnjat.
Ndërkohë që djemtë luajnë futboll, të rinjtë bisedojnë në diell.
Tabloja e familjes duket normale, por një situatë e jashtëzakonshme qëndron pas saj.
Qindra refugjatë nga Siria, Afganistani, Pakistani, Shqipëria dhe nga vende të tjera kanë mbërritur në Mynih pasi policia hungareze hapi portat e stacionit të Keletit Lindor në Budapest.
"Ndërsa sot në mëngjes, rreth 2 000  të tjerë kishin ardhur dhe pritet që qindra të tjerë të vijnë", sipas policisë federale gjermane.
"Mynihu po përballet me një situatë emergjente", thotë Andreas Duchmann, një nga vullnetarët që bën shpërndarjen e ujit dhe ushqimit për njerëzit, shumica e të cilëve kanë ardhur vetëm me një çantë shpine apo plastike.
"Kurrë nuk ka ndodhur diçka e ngjashme si kjo në Mynih," shton 20-vjeçari duke iu referuar jo vetëm refugjatëve, por edhe vendasve, të cilët i kanë ndihmuar me ushqim, pije dhe lodra.
Një grua e re po ndihmon një djalë për të mësuar si përdoret lodra Yoyo, që ajo ia ka bërë dhuratë atij.
Refugjatët, duke përfshirë edhe shumë familje me fëmijë të vegjël, po presin në radhë për autobusët që do t'i dërgojnë në zyrat e regjistrimit në qytet apo më larg, në Bavari.
Naman Kanjo, 58 vjeç, ka ardhur nga Siria.
"Ju e dini pse-në!" është përgjigjja që ai jep rrjedhshëm në gjermanisht për arsyet pse u largua nga Siria.
"Me të vërtetë duhet ta shpjegoj?", shton ai për vendin që është në kthetrat e luftës civile dhe të ISIS-it.
Kanjo ka udhëtuar për një muaj duke humbur gjatë rrugës djalin e tij dhe katër nipërit e mbesat.
Ai i shpjegon njohuritë e tij të gjuhës gjermane duke thënë se ai ka qenë shpesh në Gjermani.
"Ata lejuan që një varkë të kalojë përmes, por varka tjetër u kap", tha ai për mbërritjen e tij në Greqi.
Shërbimet zjarrëfikëse të Mynihut i dhanë ujë të pijshëm turmës që po priste dhe kryebashkiaku i qytetit,  Dieter Reiter u siguroi çadra dhe kuti me banane.
"Gjërat po ecin shumë mirë", tha ai.
"Unë jam këtu sepse ky është qyteti im dhe kjo ka të bëjë me qeniet njerëzore. Nuk duhet harruar", thekson kryebashkiaku.
Ndërsa shumica e banorëve të Mynihut i shohin gjërat në këtë mënyrë, një pjesë e vogël neonaziste u shfaq të hënën në mbrëmje për të pritur, sipas mënyrës së tyre, refugjatët e sapoardhur./ (Nga Britta Schultejans) .