Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit të Vlorës, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve.

Një ndër zonat më problematike është rruga “Albano Romina”, në lagjen “Lef Sallata”, ku grumbullimi i ujit ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen. Ky aks rrugor përballet me të njëjtën situatë sa herë që qyteti përfshihet nga reshje intensive shiu.

Probleme janë evidentuar edhe në zonën e Plazhit të Vjetër, si dhe në Skelë, pranë rrugës “Kosova”, ku uji ka mbuluar pjesë të rrugëve dhe trotuareve, duke vështirësuar veçanërisht lëvizjen e këmbësorëve.

Përmbytja e rrugëve gjatë reshjeve të dendura mbetet një problem i përsëritur për banorët e këtyre zonave, duke rikthyer në vëmendje nevojën për ndërhyrje në sistemin e kullimit dhe kanalizimeve të ujërave të shiut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:21
Mbi 24 orë pa energji elektrike, reshjet e shiut lënë në errësirë fshatrat e Lezhës (VIDEO)

 

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona rurale të Lezhës. Më të prekura janë fshatrat e njësive administrative Zejmen dhe Kolsh, ku për shkak të defekteve në rrjet, banorët kanë mbetur për orë të tëra pa energji elektrike.

Në fshatrat Grykë-Manati dhe Manati, situata vijon të mbetet problematike, pasi energjia elektrike nuk është rikthyer as gjatë kësaj të premteje, duke i lënë banorët në errësirë për më shumë se 24 orë.

Banorët thonë se ndërprerjet e energjisë janë kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm, duke ua vështirësuar jetën e përditshme. Ata e konsiderojnë absurde që në vitin 2026 të përballen ende me mungesën e energjisë elektrike, për të cilën fajësojnë mungesën e investimeve në rrjet.

Ndërkohë, OSHEE bën me dije se amortizimi i rrjetit elektrik dhe kushtet e këqija atmosferike kanë shkaktuar defekte të shumta.

Sipas OSHEE-së, pjesa më e madhe e defekteve janë identifikuar dhe riparuar, ndërsa grupet e punës vijojnë ndërhyrjet për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në zonën e Manatisë.