TIRANË-Nga mbrëmja e së enjtes kanë nisur masat e reja parandaluese ndaj Covid-19. Komiteti i Eksperteve vendosi ndalimin e qarkullimit nga ora 20:00 si dhe një sërë masash të tjera. Edhe pse në rrethe ora 20:00 boshatisi rrugët dhe çdo njeri u fut në shtëpi, duket se në Tiranë ora 20:00 i ka gjetur njerëzit duke nxituar për të ikur në banesë duke shkaktuar një trafik të rënduar thuajse në të gjitha akset kryesore të vendit. Në zonën e bllokut madje ka pasur edhe policë që kanë nisur me gjobat për drejtuesit  e mjeteve që nuk kanë respektuar orarin e kufizimit.

Një vendim i tillë vlen për lëvizjen e njerëzve, por edhe për baret e restorantet, të cilat janë konsideruar si vatra kryesore të përhapjes së infeksion. Kjo ishte një nga masat e marra ditën e djeshme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, pasi vendi ynë njohu një rritje të madhe të të infektuarve në 24 orë. Teksa në kryeqytet ka pasur ende lëvizje pas orës 20:00, në rrethe qytetarët janë ndërgjegjësuar.

Në shumicën e qyteteve, banorët kanë respektuar masat kufizuese ndërsa bizneset, lokalet, baret e restorantet janë mbyllur edhe më herët se ora 20:00. Edhe në këto qytete, kontrollet nga ana e efektivëve të policisë kanë qenë intensive. Shumë forca të rendit dhe ato 'Shqiponjat' qarkullojnë në rrugë për të evidentuar qytetarë që thyejnë masat kufizuese.

Për më tepër, në qytetin e Shkodrës ka zbritur në terren dhe drejtori i policisë të këtij qarku Niko Brahimaj. Ky i fundit, në një deklaratë për mediat, ka dhënë një deklaratë të fortë. Ai tha se nuk ka asnjë lokal të hapur pas orës 20:00. I pyetur nga gazetarët se nëse lokalet nuk e respektojnë këtë rregull, ai tha se do të japë dorëheqjen.

Masat e reja kufizuese i bëri të ditura Komiteti Teknik i Ekspertëve ditën e djeshme gjatë një deklarate për mediat. Përveç orës policore pas orës 20:00, disa nga masat e tjera janë edhe për gjimnazet. Në 7 bashki të vendit, gjimnazet do të vijojnë mësimin tërësisht online.

Masat e reja anti COVID
1.Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes - 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt - 25 Shkurt.
 2.Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes - 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt - 25 Shkurt.
3.Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt - 26 shkurt.
 4.Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet anti COVID.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:32
Heshtja mbizotëron në rrugët e Beratit, Fierit dhe Sarandës pas fillimit të orës policore

 

Ora 20:30 e mbrëmjes së sotme i ka gjetur rrugët e qytetit të Beratit totalisht të boshatisura dhe baret e restorantet të mbyllura, ndërkohë që të gjitha rrugët e qytetit janë blinduar nga forca të shumta policie.

Ashtu siç edhe u vendos nga Ministria e Shëndetësisë për ndryshimin e orarit të karantinës në vend, baret dhe restorantet në Berat shpejtuan të mbyllin qepenat disa minuta përpara orës 20:00, për të respektuar masat e vendosura, si e vetmja mënyrë për të minimizuar përhapjen e COVID-19.

Edhe rrugët e qytetit filluan të boshatiseshin që prej orës 19:30,ndëkohë që në rrugët e qytetit shihen kudo forca të shumta policore,që janë duke patrulluar në çdo aks rrugor për të kontrolluar respektimin e karantinës.

E njëjta situatë është edhe në qytetin e Fierit ku qetësia mbizotëron në rrugë. Të vetmit që qarkullojnë janë efektivët e policisë të cilët monitorojnë respektimin e masave kufizuese.

Heshtja mbizotëron dhe në rrugët e qytetit të Sarandës ku qytetarët respektojnë masat kufizuese.

Ora 21:32
Orari i kufizimit, qytetarët në Kukës, Elbasan dhe Durrës respektojnë masat

 

Baret dhe restorantet në Elbasan nisën të mbyllen që prej 19:30 mbrëmjen e sotme për shkak të orarit të kufizimit. Pas këtij orari ka pasur lëvizje të paktë të automjeteve dhe qytetarëve.

Efektivet e 'Shqiponja' dhe rendit u ndanë në nyjet kyçe të qytetit si rrethrrotullimi luleve, 1 maji, stadiumi.

Ora policore ka boshatisur qytetin e Kukësit, baret dhe restorantet mbyllen. Rrugët janë të mbushura nga forca të shumta policie në rrugët për monitorim, ndërkohë temperaturat në mbrëmje kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Edhe në qytetin e Durrësit, qytetarët kanë zbatuar orën policore. Pas orës 20:00 ka pasur vetëm një lëvizje të ulët të automjeteve.

Ora 21:23
Masat kufizuese pas orës 20:00, Drejtori i Policisë Shkodër: Nëse gjeni një lokal hapur, unë jap dorëheqjen

 

Drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj, ka zbritur në terren për të monitoruar respektimin e masave kufizuese nga qytetarët. I pyetur nga gazetarët se cilat do jenë masat ndëshkimore nëse në qytetin e Shkodrës do të ketë lokale hapur pas orës policore, Brahimaj shprehet se do japë dorëheqjen.

Brahimaj: Është ndërgjegjësim i kujtdo. Ne duam që të na mirëkuptojnë dhe të zbatojnë rregullat e vendosura nga një strukturë e posaçme shtetërore. Duam që qytetarët të na mirëkuptojnë, duam që niveli i gjobave të jetë zero por nuk do ketë tolerancë.

Gazetari: Ka shumë lokale që nuk e respektojnë këtë masë?

Brahimaj: Më thoni një lokal që është hapur dhe shkojmë bashkë aty. Më thoni një lokal hapur në Shkodër dhe të gjitha bashkitë.            

Gazetari: Në rast se do të ketë hapur?

Brahimaj: Do jap dorëheqjen unë.

Ora 20:40
Fillimi i orës policore, qytetarët e Korçës zbatojnë kufizimet e lëvizjes

 

Ora 20:00 që shënon dhe orën e re policore në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19 e ka gjetur qytetin e Korçës me biznese të mbyllura dhe me një numër shumë të pakët këmbësorësh të cilët nxitojnë për të respektuar kufizimet e vendosura.

Ndryshe nga pronarët e bizneseve të cilët kanë ulur qepenat në orën 20:00 ,në rruget e qytetit sheh disa automjete të cilët lëvizin dhe pas këtij orari.

Sipas burimeve për Report Tv, deri tani në komisariatin e Korçës janë shoqëruar dy drejtues të cilët nuk kanë respektuar orën policore.

Ndërkohë forca të shumta policie ndodhen në pikat kyçe të qytetit për të monitoruar situatën.

Ora 20:31
Ndalimi i lëvizjes pas orës 20:00, pak qarkullim automjetesh në Vlorë, Shkodër dhe Lezhë! Shtohen kontrollet nga policia

 

Edhe në qytetin e Vlorës, pavarësisht orës policore, ka lëvizje të automjeteve. Shumë efektivë policie kanë dalë në terren për të kryer kontrolle.

Ndërkohë në qytetin e Shkodrës, situata duket më e qetë pasi nuk ka shumë qarkullim të makinave. Policia ka zbritur në terren në krye të planit të masave drejtori Niko Brahimaj.

Lokalet i binden vendimit të qeverisë, këmbësorët dhe mjetet nxitojnë të shkojnë në destinacionet e tyre për të mos u gjobitur nga policia.

Edhe në Lezhë, qytetarët duket se janë ndërgjegjësuar pasi nuk ka lëvizje të shumta pas orës policore.

Ora 20:04
Hyn në fuqi ora policore, trafik i rënduar në disa rrugë të Tiranës

 

Ka hyrë në fuqi ora policore për ndalim qarkullimi pas orës 20:00.

Por pavarësisht këtij kufizimi, rrugët e Tiranës vijojnë të jenë mbushura me makina duke krijuar trafik në disa zona.

Trafik ka në zonën e Bllokut, rrugën e Kavajës, rruga e Barikadave dhe në zonën pranë pallatit me Shigjeta.