Festat e fundvitit dhe varianti Omicron/ Në Kosovë hyjnë sot në fuqi masat e reja anti-COVID! Certifikatë vaksinimi për t'u futur në autobusë, restorante e qendra tregtare

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja parandaluese për parandalimin e përhapjes së virusit koronavirus, të cilat do të hyjnë në fuqi sot. Maska mbetet e detyrueshme, ndërsa të gjithë personat që hyjnë në Kosovë nga 3 janari e tutje duhet të kenë dëshminë e vaksinimit me dy doza. Të dielën, kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë mbajtur një konferencë për media në lidhje me gjendjen me pandeminë.

Kurti tha se këto masa janë marrë duke u bazuar në katër pika: ardhja e mërgatës në Kosovë për festat e fundvitit, situata e rëndë epidemiologjike në shtetet prej nga pritet të vijnë pjesë dërmuese e mërgimtarëve, shkalla e ulët e vaksinimit në Kosovë, dhe shfaqja e variantit të ri të COVID-19, i cili është më lehtë i transmetueshëm, Omicron.

“Rreziku i lartë për një valë të re na detyron përsëri që ta rrisim vigjilencën tonë, katër rreziqet me të cilat përballemi shpejt. Festat shoqërohen me ardhjen e një pjesë të konsiderueshme të mërgatës sonë, ky shtim në vendin tonë bashkë me grumbullimet e shumta festive e rrit dukshëm mundësinë e infektimeve duke paraqitur rrezit të lart për jetën dhe shëndetin. Së dyti, situata epidemiologjike vazhdon të jetë tejet e rëndë sidomos disa në vende ku banojnë një pjesë e mërgimtarëve, Gjermani e Zvicër dhe ardhja nga këto vende e shton rrezikun. Së treti, Kosova ka shkallën më të ulët të vaksinimit, që e bën një valë të re edhe më të mundshme, më të rrezikshme gjatë javëve dhe muajve në vijim. Katër, është shfaqur një variant i ri, “Omicron”, ky variant është përhapur në 38 vende të botës duke përfshirë 18 vende evropiane. OBSH e ka klasifikuar  si variant shqetësues dhe ka paralajmëruar mundësin e pasojave të rënda nga valët e shkaktuar nga ky variant”, tha Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi prezantoi masat e reja Anti-COVID, dhe tha se qytetarët duhet të jenë të vaksinuar për të përdorur transportin publik e privat, të hyjnë në qendra tregtare e restorante. Latifi u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, ndërsa bëri të ditur se edhe gjatë fundjavës qytetarët do të mund të vaksinohen.

Masat anti-Covid që hyjnë në fuqi nga sot:

Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë. Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj do të kërkohet testi RT-PCR negativ ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19.

Nga 3 janari 2022 për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë. Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen në vaksinim, në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit.

Tash që ka filluar vaksinimi edhe i qytetarëve mbi 12 vjeç e tutje, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura, do të lirohen personat nën 12- vjeç, personat me dëshmi mjekësore.

Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.

Për të evituar mbingarkesën spitalor, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve të institucionet publike dhe private, udhëtarët që shërbehen me transport publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe gastronomisë, do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë dhe i pjesshëm, bashkë me të rezultatin negativ të PCR.

Dëshmia e vaksinimit të plotë po ashtu do të kërkohet edhe nga personat që përdorin transportin publik.

Mbajtja e maskës vazhdon të jetë e detyrueshme. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, ky sektor lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.

Sa i përket arsimit, të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të punojnë me prani fizike dhe orar të rregullt, ndërkaq niveli universitar do të lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve dhe studentëve do t’u kërkohet që të paraqesin dëshmitë e vaksinimit apo testeve negative, nëse duan të hyjnë në objektet shkollore.

Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar