Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një deklaratë për media ka thënë se ka ndarë shqetësimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin serb.
Ai u shpreh se i frikësohet tensioneve të reja në Veri të Kosovës për shkak të rregullores së re të Bankës Qendrore të vendit lidhur me heqjen e dinarit serb.
Hovenier ka thënë se duhet të merren veprime të duhura për të siguruar që serbët do të ndihen të sigurt, pasi sot ka hyrë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, e cila e ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.
“Serbët do të ndihen të shkëputur nga benefitet që përfitojnë. Askush nuk e dëshiron këtë”, tha Hovenier pas takimit me kryeministrin Kurti, teksa nuk dha detaje rreth diskutimeve me të parin e ekzekutivit.