Nga sot ne qeli, po kush është ‘Il capo dei capi’ Messina Denaro? Nga fiksimi për ‘puzzle’, vrasjet e pamëshirshme te pendesa e madhe për shkollën! Mburrej se paguhej si ‘i papunë’

Nga sot ne qeli, po kush është ‘Il capo dei capi’ Messina Denaro? Nga fiksimi për ‘puzzle’, vrasjet e pamëshirshme te pendesa e madhe për shkollën! Mburrej se paguhej si ‘i papunë’

Messina Denaro

Matteo Messina Denaro, një prej kriminelëve më rrezikshëm në të gjithë botën, sot e sheh veten prapa hekurave në një qeli të ftohtë në Palermo, pas 30 vitesh arrati. Kreu i Cosa Nostra, pinjoll i Toto Riina dhe bernardo provencianos, është arrestuar mëngjesin e ditës së sotme nga autoritetet italiane.

Edhe pse prej 3 dekadash i zhdukur, autoritetet dinin shumë gjëra për të: se ai vuante nga një shikim i dobët, se i pëlqente ëmbëlsirat me djath dhe se shumë nga orët e tij i kalonte si i arratisur duke luajtur videolojëra (dëshmi e disa të penduarve) dhe duke plotësuar ‘puzzle’ (tregohet se një herë kishte kontaktuar një besnik të tij në një kompani prodhuese për të gjetur një copë të humbur të një ‘puzzle’), se e quanin ‘u siccu’(i holli) dhe se i kishte vënë vetes pseudonimin Diabolik. Ata e dinin gjithashtu se ai kishte hequr dorë me ngurrim nga inicialet e qepura në mëngët e këmishave të tij, një e dhënë e mundshme për identitetin e tij dhe se, përsëri sipas të penduarit, ai përdorte shpesh biçikletën e palëvizshme për të mbajtur fizikun në formë.

Me kalimin e kohës, prokurorë nga e gjithë Italia dhe forca policore nga e gjithë bota janë përfshirë në kërkimin e Messina Denaro-s, siç tregohet nga operacioni i çuditshëm i kryer në shtator 2021 nga forcat speciale holandeze në një restorant në Hagë. Prokuroria Publike e Trentos, e cila po hetonte një rrjet të pastrimit të parave, u bind se në atë restorant ndodhej Matteo Messina Denaro: ndërhyrja përfundoi me një ‘shkëmbim të bujshëm personash’: në vend të tij u arrestua një anglez.

Për 30 vite Matteo Messina Denaro konsiderohej "numri një" në mesin e të arratisurve italianë dhe një nga më të kërkuarit në botë. Hera e fundit që dikush e kishte parë të lirë ishte në gusht 1993: Messina Denaro ishte me pushime në Forte dei Marmi me miqtë e tij të besuar Filippo dhe Giuseppe Graviano. Nga atëherë asgjë deri më sot. Rrëfimet për të kishin skicuar figurën e një mafioz të pamëshirshëm, gati për të vrarë edhe të pafajshmit, ndoshta më i zgjuar se të tjerët, sigurisht më i matur, në kufi me paranojën. Deri më sot ai nuk kishte qenë kurrë në burg.

Messina Denaro lindi në Castelvetrano (Trapani), në luginën Belice, në vitin 1962. Ai ndoqi shkollën atje derisa u tërhoq. Siç raportohet në librin "The Invisible", shkruar nga Giacomo Di Girolamo, në një letër të gjetur nga policia në vitin 2015, Messina Denaro shkroi: "Kam disa pishmane në jetën time, që nuk kam studiuar është një prej tyre. Ishte një nga gabimet më të mëdha të jetës sime, zemërimi im më i madh është se isha student i mirë vetëm por u shpërqendrova me diçka tjetër”.

Ajo që e shpërqendroi Messina Denaron ishte të ndiqte gjurmët e babait të tij, Francesco, don Ciccio, bosi mafioz i Castelvetrano-s i lidhur nga një aleancë e ngushtë me ‘Corleonesët’ e Totò Riina, klani fitues i viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë. Në moshën njëzet vjeç, Messina Denaro mori pjesë aktive, së bashku me njerëzit e Toto Riinës, në luftën kundër familjeve rebele të Marsala dhe Belice. Ai u bë nxënës i Totò Riina. Ai ishte tashmë një mafioz, por merrte përfitimet e papunësisë nga shteti italian dhe mburrej për këtë. Ai qarkullonte me një Porsche, mbante Armani, mbante një Rolex Daytona në kyçin e dorës.

Ishte Paolo Borsellino, në vitin 1989, ai që futi për herë të parë emrin e tij në një dosje hetimore. Një komisar policie nga Castelvetrano, Rino Germanà, filloi të hetonte atë dhe Denaro vendosi ta vriste. Messina Denaro, Leoluca Bagarella dhe Giuseppe Graviano, në bordin e një Fiat Tipo, e morën policin Germanà në breg të detit të Mazara del Vallo. Filluan të qëllonin, inspektori iu përgjigj zjarrit, doli nga makina dhe u hodh në det, i ndjekur nga Bagarella të cilit iu bllokua kallashnikovi. Vite më vonë, Giovanni Brusca tha gjatë seancës së një gjyqi: "Bagarella nuk di të përdorë armë moderne". Germana shpëtoi.

Pas sulmit, Messina Denaro u bë një i arratisur: emri i tij u fut zyrtarisht në listën e të kërkuarve më 2 qershor 1993. Në atë moment ai ishte bërë tashmë kreu i Cosa Nostra në provincën e Trapanit, lideri i padiskutueshëm i rekrutëve të rinj. Paratë vinin nga zhvatja: për shumicën e kontratave, marrëveshjeve, transaksioneve në zonën e Trapanit, një përqindje duhej t'i paguhej Messina Denaros.

Shumë para të tjera erdhën nga depozitimi i paligjshëm i mbetjeve, pastrimi i parave dhe natyrisht trafiku i drogës. Messina Denaro bëri, dhe me sa duket ka bërë deri tani, biznes në Amerikën e Jugut, Spanjë, Francë, Holandë, Afrikën e Veriut. Shumë besnik ndaj Totò Riina, Messina Denaro ushtroi kontroll ushtarak mbi zonën e Trapanit. Ishte ai që vendosi objektivat për të goditur, ishte ai që komandonte ushtritë në luftërat mafioze.

Shumë para vinin edhe nga kontratat: familja e tij praktikisht kishte monopolin e ndërtimit në krahinë. I gjithë cikli i prodhimit që çoi në ndërtimin e shtëpive të paligjshme kudo i përkiste familjes. Ndër të tjera, samitet e mafias u mbajtën në një nga kompanitë e prodhimit të betonit në Mazara del Vallo

Messina Denaro është përpjekur gjithmonë të shfaqet ndryshe nga figura klasike e mafiozëve. Në një letër të datës 1 shkurt 2005, e gjetur në një strehë të braktisur dhe e nënshkruar me Alessio (pseudonim që ai përdorte shpesh), ai shkruante, me njëfarë ‘përsosjeje’: Sot jetoj ashtu siç më ka dashur fati, më intereson vetëm të jem njeri korrekt, korrektësinë e kam bërë filozofinë time të jetës dhe shpresoj të vdes një njeri i drejtë, gjithçka tjetër nuk ka më vlerë. Mos mendo se e them me mendjemadhësi, po të më shihte do të vinte re vetëm përulësi në thënien time, në fjalët e mia nuk ka as keqdashje dhe urrejtje ndaj askujt; shiko, kam njohur dëshpërimin e pastër dhe kam qenë vetëm, kam njohur ferrin dhe kam qenë vetëm, kam rënë shumë herë dhe jam ngritur vetëm; Unë kam njohur mosmirënjohje të pastër nga ana e të gjithëve dhe të kujtdo dhe kam qenë vetëm, kam njohur shijen e pluhurit dhe në vetmi jam ushqyer me të; a mund të ketë ende besim një njeri që i ka kaluar të gjitha këto në heshtje? Unë nuk mendoj. Sot pres që të më plotësohet fati duke ndjekur këtë mendim: “Pashë çfarë më dha jeta dhe nuk u tremba dhe nuk e hodha sytë dhe nuk fala atë që nuk falet”.

Pas arrestimit të Totò Riina më 15 janar 1993, Messina Denaro u bë udhëheqësi i padiskutueshëm i Cosa Nostra-s. Nuk kishte mundësi të tjera, ai ishte “delfini” i saj. Më vonë Riina dukej se u pendua për këtë zgjedhje. Në vitin 2013, në burgun e Operas ku mbahej nën regjimin 41 bis, ai u regjistrua duke biseduar me Alberto Lorusso, nga Pulia e Sacra Corona Unita: «Babain e kishte të mirë por ky djali nuk merr vesh asgjë. Ky zoti Messina që i bën këto shtylla, shtyllat e erës, shtyllat e dritës, mund t'i vendosë në b*thë. Ky e ndien si komandues, i duket sikur hedh dritë kudo, ngre kunja për të marrë para”. Riina ndoshta ankohej për strategjinë e re të pasardhësit të tij, liderit të gjeneratës së re të Cosa Nostra-s, atë të sipërmarrësve mafiozë që, siç thoshte një pentito, "preferonin të vrisnin një më pak dhe të bënin më shumë para".

Ka shumë gjëra që e dallojnë Messina Denaron nga mafiozët si Totò Riina dhe Bernardo Provenzano. Njëra është se Denaro nuk është i martuar, nuk ka një familje tradicionale rreth tij. Sonias, një prej të fejuarave të tij, ai i shkroi në periudhën e tij të parë në arrati: “Nuk dua as të mendoj të të përfshij në këtë labirint nga i cili nuk e di se si do të dal për faktin e thjeshtë, që nuk e di si dhe kur kam hyrë në të. Mos mendo më për mua, nuk ia vlen”.

Një grua luajti një rol shumë të madh në jetën e tij, motra Patrizia. Ishte ajo që për një kohë të gjatë mbante mesazhet e të vëllait dhe i merrte nga të tjerët për t’i transferuar tek ai.  Në vitin 2018, ajo u dënua me 14 vjet burg për bashkëpunim me mafiozët. Në arsyet e dënimit shkruhej: “Konstatohet se e pandehura kishte përcjellë komunikime shumë të rëndësishme në dhe nga burgu, duke vepruar si ndërmjetëse mes të burgosurve të tjerë mafioz dhe vëllait të saj të arratisur”.

Kur Bernardo Provenzano u arrestua më 11 prill 2006, i fshehur në një shtëpi në një fermë pranë Corleone, policia gjeti piceri të shumta në të cilat Messina Denaro i shpjegonte shefit të moshuar se çfarë biznesi po krijonte me Vaccarino. Ish-kryebashkiaku më pas mori një copëz të fundit në të cilën Messina Denaro rekomandoi "të bënte një jetë transparente në mënyrë që të mos përfshihej në hetime".

Ndoshta edhe falë sistemit të ‘çikërrimave’, Messina Denaro arriti të ishte i arratisur për 30 vjet, duke ruajtur fuqinë e tij të paprekur. Nuk kishte asnjë gjurmë gishtash të tij, kishte vetëm një regjistrim në të cilin dëgjohej zëri i tij: ruhej në arkivin e gjykatës Marsala dhe daton në vitin 1993. Fotografitë e qarkulluara deri më tani ishin të vjetra, nuk kishte asnjë sinjalistikë sepse ai kurrë nuk ka qenë i burgosur. Në fakt, kishte vetëm rikonstruksione se si mund të dukej ai sot, në moshën 60-vjeçare. Por sot gjithçka mori fund, dhe ai do të mbyllë vitet e fundit të jetës në qelinë e ftohtë të burgut, atje ku edhe ‘shefat’ ikën të urryer dhe të vetëm me zero lavdi. /Përshtatur në shqip nga ilpost.it Shqiptarja.com

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ci bojn: 17/01/2023 00:10

    Ky po vdes prandaj u dorzua.

    Përgjigju
  • rezi: 17/01/2023 00:02

    30 vjet, mu para syve të shtetit, m´trajtohej si i papunë, paguhej se s'kishte dhe ai shëtiste me makina e rroba të shtrenjta. Si t'ja vëmë emrin? Dy gjyqtarë që i kishin zbuluar, i hodhën në erë. Ky është kapitalizmi ku s'pyet njeriu për njeriun, vetëm kur vdesin bëjnë funerale që më shumë tregojnë hipokrizinë e shoqërisë. Rastësi që pikërisht kur shfaqet filmi për gjeneralin Dala Kieza, u kap ky kriminel që ka patur rol të rëndësishëm në vrasje të bujshme. Rrjeti i pasurive të tij ishte në bashkëpunim me familjen, por as nuk janë hetuar, gjithshka nën hundën e shtetit. Mjerë ata që humbën jetën për një shoqëri më të mirë.

    Përgjigju
  • Beni: 16/01/2023 21:37

    E kapen mbas 30 vjetesh tani qe po vdes!

    Përgjigju
  • Kobra: 16/01/2023 19:30

    Pse edhe italianet paskan mafioza, uau

    Përgjigju
    • Tirona: 18/01/2023 00:48

      Italiont e kan shpik mafian me histori italiansh jan bo killera shqiptaret

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja