Andi Hasani, 45 vjeç, dhe 48-vjeçari Agron Goxhaj, u zbuluan në prill të këtij viti nga policia, për vjedhjen në një banesë në zonën e Porcelanit në Tiranë.

Pronarin e saj e vëzhguan derisa doli dhe më pas me një çelës të falsifikuar hynë brenda nga ku dolën me një kasafortë të cilën kur e hapën gjetën para, bizhuteri floriri dhe një pistoletë që i zoti e kishte me leje. Në panik me dyshimin se pronari mund të ishte punonjës policie, Hasani dhe Goxhaj vendosën të rifuten në banesë, këtë radhë jo për të vjedhur por për të kthyer kasafortën vetëm me armën. Aty gjetën policinë që po hetonte ngjarjen, dhe hajdutët nuk mundën të shpëtonin pavarësisht se tentuan të largoheshin me vrap.

Në banesën e Agron Goxhajt, në prill u gjet një punishte e përshtatur për të modifikuar çelësa për hapjen e bravave të apartamenteve, kopje të tyre pa nevojën që të kishin çelësin origjinal.

Më shumë se 3 muaj më parë të dy, të cilëve gjykata u kishte caktuar masë sigurie arrest në shtëpi, iu rikthyen sërish punës së vjetër. Policia i gjeti në qytetin e Vlorës, në tentativë për të hapur derën e një banese në lagjen "Bashkimi".

Sipas policisë ata shkuan nga Tirana në Vlorë për të kryer vjedhjen, ndërsa gjatë arrestimit iu sekuestruan pajisjet për hapjen e bravave dhe kasafortave. Blutë i sekuestruan edhe një automjet që përdorej nga autorët, si dhe 2 celularë.

"Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. G., 48 vjeç dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në momentin që, me pajisje të posaçme, po tentonin të hapnin derën e një banese në lagjen "Bashkimi", me qëllim vjedhjen. Nga verifikimet rezultoi se të dy kishin thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe ishin zhvendosur nga Tirana në Vlorë, për të vijuar veprimtarinë e tyre kriminale", njofton Policia. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprat penale "Vjedhja", mbetur në tentativë, dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë