Për herë të parë me një numër kaq të zgjeruar, 48 përfaqësuese, do të mësojnë të premten në orën 18:00 kundërshtarët për Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Një Botëror unik që nuk do të zgjasë më 4, por 5 javë. Fillon me 11 qershor dhe mbyllet me 19 korrik.
48 përfaqësueset, 42 deri më tani të kualifikuara dhe 6 të tjera që do vijnë nga faza ‘play-off’, do të jenë të ndara në 12 grupe me nga 4 skuadra. FIFA ka bërë ndarjen në vazo sipas renditjes së muajit nëntor, ndërsa nga grupet do të kualifikohen 32 përfaqësuese. Vendi i parë dhe i dytë për secilin grup si dhe 8 vendet e 3-ta më të mira nga 12 grupe që janë gjithsej.
6 kombëtaret që do të kualifikohen në ‘play-off’, që do të mësohen në muajin mars, do të jenë në vazon e 4 ose ndryshe të fundit në grupin që do të përcaktohet sipas shortit. Pjesë e ‘play-off-it’ në Evropë është Shqipëria dhe Kosova. Sa i takon kuqezinjve me 26 mars përballen me Poloninë dhe në rast se kualifikohen do të luajnë finalen për një biletë botërorit me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.
Shortin e fazës së grupeve të Botërorit në Uashington do ta prezantojë gazetarja Samantha Johnson e ndihmuar nga legjenda e Anglisë Rio Ferdinand, ndërsa pjesë e procedurës së tërheqjes së goglave janë 4 ish-sportistë të njohur në Amerikë si Tom Bredy i NFL-së, Wayne Gretzky i hokejt, Aaron Judge i bejsbollit si dhe Shaquille O’Neill i basketbollit. Prezent në këtë event pritet të jetë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.
Vlen për t’u theksuar se tifozët mbetën shumë të shqetësuar për çmimet e biletave, pasi FIFA ka menduar që për herë të parë vlera të vendoset në bazë të kërkesës. Për fazën e grupeve, një biletë nis minumi nga 60 dollarë, ndërsa një biletë e finales sipas çmimeve të përcaktuara nga vetë FIFA do të ketë maksimumin 6730 dollarë. Megjithatë në treg të zi çmimet e tyre janë shumëfishuar, me një biletë të finales që ka kapur vlerën e 33 mijë dollarëve. Deri më tani ka pasur shitje të rastësishme të biletave, ndërsa pas shortit, nga 11 dhjetori deri më 13 janar, do të ketë një fazë të dytë. Për t’u theksuar se FIFA ka krijuar një market online për biletat ku në rast rishitje do të fitojë sërish minimalisht 30% të vlerës. 15% të vendosjes kur bileta vendoset në market dhe 15% të tjera kur ajo rishitet. Çmime fikse biletash do të ketë vetëm për tifozët e abonuar në federatat respektive.
Komente










