Nga vdekja e bashkëshortit te djegia aksidentale e djalit, rrëfehet mes lotësh autorja Mimoza Nebiaj: Varfëri e sëmundje, po provoj të ngrihem mbi dhimbjen!

Këto vargje që Mimoza Nebiaj reciton, ia ka dedikuar bashkëshortit të saj të ndjerë. Janë të shënjuara nga dhimbja.

“Historia ime është shumë e hidhur, pas vdekjes së bashkëshortit tim nga një sëmundje e pashërueshme, leucemia. Aty filloi pastaj kalvari i gjatë i vuajtjeve të mia, peripecitë e shumta..”, tregon Mimoza Nebiaj, autore.

Ishte vetëm 27 vjeçe me dy fëmijë të vegjël. Jeta në fshatin Valare të Gjirokastrës ishte e vështirë.

“Shteti më lidhi 12 mijë lekë (të vjetra) pension, një absurditet në atë kohë për të rritur dy fëmijë jetim. Por falë atyre prindërve që ishin të durueshëm me mua, munda disi të vazhdoja”, tregon më tej.

Shumë kush mund t’i ketë hasur poezitë e saj të botuara në vëllimin “Trishtë dhe ndjenjë’ , por dhe të tjera. Një lloj ditari i mbrujtur në tragjedinë e historisë personale, si jastëk shpirtëror për makthet e varfërisë

“Do bëja bukën me dorë, rrobat i laja në kazan, do bëja barrën me dru dhe mbi të do hidhja djalin... Por, ëndrra ime ka qenë poezia dhe kënga! Kur ishte në jetë, bashkëshorti më dëgjonte që këndoja dhe më thotë t’i këndon dhe shkruan bukur dhe kur të vdesdua që ti ta vazhdosh ëndrrën tënde, të shkruash”, tregon ajo.

Pas bashkëshortit humbet dhe të atin, por zemra e saj duhet të duronte ende. Djali i vogël, do të pësonte një aksident gjatë një loje me zjarr me të tjerë fëmijë, ku do të humbiste gjymtyrët e poshtëm.

“Djali m’u dogj me zjarr tek luante me fëmijët tek ana e kopshtit. Kujtoj që  vjen djali i madh dhe më thotë mami Soni u dogj, te mbeturinat. Djali ishte 6 vjeç, më erdhi me flakë deri në mes. Pastaj e çuam në spital ishte në gradë të fundit”, tregon mes lotësh Mimoza.

Një jetë e vështirë, ku për Mimozën e dy djemtë e saj që përballeshin me trishtimin e skamjen ka pasur edhe duar që janë zgjatur. Si nënë Matilda, murgesha që e ndihmoi të cilës ia shpreh mirënjohjen edhe përmes poezisë.

“Kërkova ndihmë nga murgeshat në Gjirokastër dhe nënë Matilda, se për mua e tillë ishte nënë, më ka ndihmuar, me ushqime,  me batanije, me çadër... Mbaj mend që improvizoja çarçafët dhe mbuloja fëmijët me trupin tim, nënë Matilda m’u gjend dhe do t’i jem mirënjohëse përjetë”, tregon më tej.

Ndonëse kanë kaluar mbi dekada nga këto ngjarje, jeta për Mimozën nuk ka ndryshuar shumë. Mes përpjekjeve për rimëkëmbje është përballur me të tjera disfata, që e kanë zhytur në mjegullnajën e depresionit krahas sëmundjeve të tjera fizike.

“Jeta është e vështirë, pas këtij kalvari të gjatë vuajtjesh jetoj në kushte të vështira me 20 mijë lekë ndihmë ekonomike (të vjetra). Trajtohem me kemp 100 mijë lekë (të vjetra) aq sa nuk përballoj dot faturat e energjisë elektrike, se jam me depresion me madhor kam dy operacione të vështira që i kam kryer në shtyllë kurrizore dhe në parakrah , kurohem nga gjiri dhe të tjera shqetësime” thotë me tej.

Rrëfen se ka pasur një moment që ka tentuar t’i jap fund jetës së saj, që e ka përballur me sfidë pas sfide.

“Pas disa disfatave të fundit pata këtë moment të rëndë, që ende po e përjetoj, por po tentoj të ringrihem”, thotë Nebiaj.

Diku po merr sinjale ndihme, edhe nga Bashkia Gjirokastër. Rrëfen se ka nevojë për më shumë. Dëshira për jetuar, për të ndërtuar një jetë mbi tragjedinë e humbjen ngre krye edhe në dorëshkrimin e saj, që e titullon “Të ngrihesh mbi dhimbjen”, të cilin do të donte ta shikonte të botuar.

/S.Ç/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë