Gazetarja e BBC, Emily Wither ka realizuar një ‘podcast’ për Shqipërinë lidhur me vizitën e Ivanka Trump dhe Jared KushnerVlorë dhe projektin për Sazanin, si dhe për aeroportin e ri.

Në një sintezë të këtij audio-dokumentari, thuhet:

Shqipëria ka pasur shumë fytyra të ndryshme gjatë njëqind viteve të fundit. Dikur e sunduar nga osmanët, ajo u bë një mbretëri përpara se të shndërrohej në një shtet totalitar komunist pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë kësaj kohe, askush nuk lejohej të hynte apo të dilte; e gjithë prona private u bë pronë shtetërore dhe bunkerë u ndërtuan në të gjithë vendin. Pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria u zhyt në kaos. Në vitin 1996, një skemë piramidale, në të cilën kishin investuar tre të katërtat e popullsisë, u shemb. Njerëzit humbën gjithçka dhe vendi, veçanërisht jugu, shpërtheu në dhunë.

“Nuk i dorëzojmë armët tona derisa Sali Berisha të gjykohet si kriminel. Jemi gati të vdesim derisa ai të rrëzohet”, duket të jetë një deklaratë e asaj periudhe që gazetarja ka siguruar.

Sot, Shqipëria synon të lërë pas të kaluarën e saj dhe të transformojë reputacionin nga një vend i shënuar nga korrupsioni në një vend të njohur për turizëm luksoz. Me kilometra të tëra plazhesh të paprekura, male me maja të mbuluara me dëborë dhe ullishte që mund të rivalizojnë çdo gjë që ofron Greqia, nuk është çudi që po tërheq shpejt investitorë.

Ndër ta janë Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, të cilët shpresojnë të ndërtojnë një resort në një ishull pranë bregdetit të Vlorës. Ata kanë vizituar plazhet e izoluara të Zvërnecit dhe Nartës, të cilat aktualisht janë shtëpi vetëm për foka të rrezikuara, breshka deti dhe disa dele.

“Qetësia e këtij fshati shumë shpejt mund të shkërmoqet. Gjithçka lidhet me vizitën e Ivanka Trump muaj më parë në plazh”, thotë gazetarja.

Ivanka Trump dhe Kushner, si të tjerët, shpresojnë të përfitojnë nga nxitjet e reja qeveritare për të ndërtuar resorte luksoze me më shumë se 5 yje.

Këtu, banorët shprehin edhe frikën e tyre: “Ajo (Ivanka) do ta marrë gjithë fshatin”, i thonë ata Wither. Madje, sipas tyre, do të nevojitej shumë investim për të rehabilituar zonën.

“Vetë laguna është 2 metër e thellë kështu që do t’u duhej shumë punë e investim”, thonë ata.

Megjithatë, hijet e së kaluarës komuniste të Shqipërisë ende mbeten, vijon ajo më tej duke evidentuar mosmarrëveshjet me pronat për shkak të atij që njihet rëndom si ligji 7501.

Ndërkohë për aeroportin e Vlorës, gazetarja thotë: “Nuk ka tren, por po ndërtohet një aeroport i ri”, por një tjetër banor shpreh shqetësim:

“Nuk po e hapin dot sepse zona përmbytet. Ka një pishinë të madhe brenda aeroportit, kështu që si do të jetë kur të bjerë shi i dendur?”

Akuzat për korrupsion dhe mungesa e infrastrukturës mund t’i pengojnë këto resorte edhe para se të fillojë ndërtimi, vijon shkrimi përmbledhës.

Në audio dëgjohen gjithashtu edhe molotovët gjatë protestave të opozitës dhe kërkesat e saj për largimin e Ramës.

Gazetarja thekson se lidhur me investimin për Sazanin, është kontaktuar Affinity Partners e Kushner, por nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë është kontaktuar edhe vetë zyra e kryeministrit Rama që ka shprehur gatishmëri për një intervistë, por nuk është arritur dot të dakordësohet një orar.

Në fund, ndërsa flet për problemet duke i vendosur përballë peizazhit që ka përpara syve, gazetarja e BBC thotë se mësoi një shprehje, të cilën e shqipton në shqip: “I forti mbizotëron”, përmbyll ajo.