Ngatërresë ndjenjash

Ngatërresë ndjenjash
Kjo që do të shkruaj nuk them se është e Vërteta. Eshtë vetëm perceptimi im, që mund të jetë po aq i ngatërruar sa i kujtdo tjetër që unë mendoj se nuk sheh e ndjen mirë. E megjithatë, në këtë dritaren time të lirë, po provoj të shpreh ashtu siç shoh realitetin e siç konstatoj që po ndodh në Shqipëri. Ku më duket se ne, si bletë të çorientuara nuk e di se prej çfarë, ndjekim të marrim pjalmin në lule plastike, të vendosura anembanë.

Ngatërresa e madhe m’u duk se u shfaq me një fjalim që çorri cipën plastike që na ka veshur e ç’nuk nxorri nën të nga ne të gjithë. Lotët e fermeres mirditore Rigerta Loku Tushaj, historitë e treguara prej saj e kërkesat për një fshat më dinjitoz e më të mirë, shkaktuan reagime të ndryshme. Shumë gra dhe vajza, që të parat duhet të kuptonin se një grua nis e qan shpeshherë me fjalët e veta (mendoni pastaj kur sheh një film, apo një ngjarje të vërtetë realiteti) nxituan të deklaronin se ishte një falsitet, interpretim, deri gënjeshtër, por më e rënda, dhe më e shpeshta që qarkullon mes nesh: se nuk mendonte me kokën e saj. Shumë prej tyre, personalitete publike të politikës, artit e massmedias, që i sheh të vendosin pëlqime, komente aprovuese, mbështëtëse për gra të politikës apo të fushave të tjera, që vërtetë recitojnë nën petkun real të botoksit, plastikës apo të retushimeve të firmave më të shtrenjta e luksoze të botës, që vërtetë janë në sipërfaqë të cipës, por besoj se nuk mund të kundërshtojmë se vendosen aty nga dëshirat që vijnë nga brendësia e cilësia e zemrës. Në vendin më të varfër të Europës.

Ngjarja tjetër që tregoi se ngatërresta e perceptimit të realitetit tek ne është për mendimin tim tepër e madhe, ishte video e dy të miturve në një fshat në Jug të Shqipërisë, që vranë me forcën e sëpatës dhe të dhunës që buronte nga trupat e mitur të tyre, një qenush të bardhë. Reagimi i dhunshëm i njerëzve, shpesh dhe nëna e gra, ndaj dy të miturve të çorientuar në rrugëtimin e ekzistencës, ishte po aq i frikshëm sa goditjet më sëpatë që vogëlushët bënin mbi kafshën e gjorë. Nuk e di kush është më shumë për ndihmë në këtë rast: Kafshët në vendin tonë, vogëlushët, apo ne të rriturit që po krijojmë një ekzistencë ku gjërat po i ngatërrojmë. Eshtë false ajo që është e vërtetë, është natyrale ajo që është prej plastike, është i mirë ai që është i keq, është i pasur ai që është trafikant i vlerave njerëzore? Duhet nderuar njeriu i ndershëm i punës, i ideve, i hapave të vegjël, por të ngritura mbi shtylla të vërteta djerse, sakrificash e talenti apo ai i kullave xixëlluese të realizuara me para korrupsioni drejtësie, politike apo servilizmi të kthyer në një profesion të sigurt karriere? Perceptime të ngatërruara nga padituria apo nga hile që të bëjnë të arrish sa më shpejt majave që nuk dihet nëse janë vërtetë maja të ndonjë gjëje? Që nuk dihet nëse janë vërtetë maja mirëqënieje.
 
Kjo më ndodh këto ditë të mendoj, ndërsa reflektoj mbi atë që shkruhet e thuhet lart e poshtë, ku urrejtja është dhe hidhet aq e madhe dhe e dhunshme mbi gjëra që ende nuk e dimë sesa të vërteta janë, e ku indiferenca është po aq e humnertë për të tjera që flasin e duken qartë.
 
Në vetëm dy shkrime, për këto dy ngjarje, prej dy penave të reja të shtypit shqiptar: Në atë të Alma Nikollit për historinë e dy të miturve që godasin për vdekje qenushin e bardhë dhe ajo e Kristi Gongos që ndjek gjurmët e Rigerta Loku Tushajt, duke gjetur e duke folur me Kristinën, 45 vjeçaren në fshatrat e Mirditës, që mendon se jeta e saj ka mbaruar, shoh dritën e qartë. Janë dy gazetare të reja që flasin, shkruajnë, me llampën e logjikës gjithnjë të ndezur e për mua, është një shpresë që më jep një gëzim që nuk mund të tregohet e shkruhet.
Eshtë sikur shoh dy qirinj të ndezur në errësirën e shkaktuar nga kakofonia që lëviz mes valësh të padukshme e na bën ne, shqiptarë aq të hutueshëm sa të mos dallojmë e kuptojnë ngjyrat e nuancat e holla të jetës.
Merret vesh. Jam edhe unë në këtë mes që mund të jem po aq gabim sa gjithë të tjerët, por vetëm doja të ndaja me ju këtë mendim, duke kërkuar të kuptoj nëse ka të tjerë që kështu e shohin dhe e mendojnë si unë, këtë realitetin të krijuar e perceptuar.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut, më 22 maj rivotime në disa qendra votimi

Maqedoni e Veriut, më 22 maj rivotime në disa qendra votimi