Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar zyrtarisht ndërhyrje ligjore për t'i dhënë fund ngërçit të krijuar nga bojkoti i avokatëve, duke argumentuar se mospjesëmarrja kolektive në seancat gjyqësore nuk mund të konsiderohet grevë dhe nuk mund të bllokojë zhvillimin e proceseve.
Në një shkresë të datës 13 tetor, dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendit dhe institucioneve të tjera, GJKKO informon se bojkoti i seancave ka sjellë shtyrjen e proceseve gjyqësore dhe ka krijuar pasoja për administrimin e drejtësisë. Bashkë me shkresën është dërguar edhe një relacion analitik prej 43 faqesh, ku analizohet kuadri kushtetues, ligjor dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
GJKKO vlerëson se bojkoti nuk gjen mbështetje në legjislacionin shqiptar.
"Mospjesëmarrja kolektive procedurale nuk mund të trajtohet si grevë në kuptimin juridik, nuk prodhon efekte juridike për të përjashtuar detyrimin procedural individual dhe nuk mund të shërbejë si shkak për pezullimin e veprimtarisë gjyqësore. Për rrjedhojë, mungesa e një rregullimi të posaçëm ligjor nuk mund të shërbejë si bazë për t'i njohur bojkotit efekte që cenojnë zhvillimin e procesit gjyqësor."
Për zgjidhjen e situatës, GJKKO propozon një sërë ndryshimesh ligjore, me synimin që bojkotet kolektive të avokatëve të mos bllokojnë më proceset gjyqësore.
Konkretisht, gjykata kërkon krijimin e mekanizmave ligjorë që të garantojnë vijimësinë e gjykimeve edhe në raste të refuzimit kolektiv të mbrojtjes, si dhe parashikimin e përgjegjësisë individuale dhe disiplinore për avokatët që mungojnë në seanca në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale.
GJKKO propozon gjithshtu forcimin e rolit mbikëqyrës të Dhomës Kombëtare të Avokatisë ndaj anëtarëve të saj dhe kërkon që të shqyrtohen ndryshime në ligjin "Për profesionin e avokatit", në mënyrë që situata të tilla të mos çojnë më në bllokimin e proceseve gjyqësore.
Ngërçi në GJKKO nisi pas kundërshtimit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë të Rregullores së re të Gjykatës, e cila vendosi rregulla të reja për hyrjen dhe përdorimin e pajisjeve elektronike në ambientet e saj. Si formë proteste, avokatët bojkotuan seancat gjyqësore, duke sjellë shtyrjen e një sërë proceseve, mes tyre edhe çështje me interes të lartë publik si ajo e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Lajm në përditësim

Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote










Komente
Komento