Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish-Presidenti Hashim Thaçi u eliminuan politikisht nga kryeministri Albin Kurti.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku komentoi vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, që pezulloi përkohësisht dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Parlamentit, pasi legjislativi nuk arriti të zgjidhte Presidentin e ri të Kosovës.

Spahiu tha se Kurti duke parë afrimin e Osmanit me administratën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, vendosi ta eliminonte politikisht atë, duke mos e propozuar për mandatin e dytë si Presidente të Kosovës.

Ai shtoi se Kurti kishte vënë re afrimin e Osmanit edhe me kryeministrin Edi Rama, që sipas Spahiut do i garantonte mbështetjen e deputetëve të opozitës nëse do të kandidohej nga Vetëvendosje për Presidente.

“Dekreti i Presidentes Osmani është një dekret politik juridik që është edhe kushtetues. Pas dy javësh do të lihet në fuqi si i ligjshëm nga Kushtetuesja, e cila do të anatemohet si argate e Serbisë nga Vetëvendosja. Albin Kurti ka shkelur çdo lloj parimi. Kurti e ndjeu që Vjosa Osmani nëse propozohej nga Vetëvendosja siguronte kuorumin për votat, sepse ndjeu që Rama u afrua me Ramën dhe ai do i garantonte vota opozitare. Dhe kjo e hodhi në erë Vjosa Omanin. Ishte Kurti që e çoi drejt krizës dhe u kujtua në 24 orët e fundit. Një Vjosë që vinte nga Shtëpia e Bardhë duhej ekzekutuar politikisht. Siç e çuan në pranga Thaçin, po ekzekutojnë politikisht edhe Osmanin. Njërin nuk e lanë të hipte në avion dhe tjetrin nuk e lanë të kandidojë. Nuk është rastësi që dy Presidentë që lidhen me shtëpinë e Bardhë, njëri futet në burg dhe tjetra kërcënohet me vdekje dhe nuk lejohet të kandidojë”, tha mes të tjerash Spahiu.

Kujtojmë se Kosova prej kohësh në një ngërç politik, pasi edhe pas votimit në Kuvend të qeverisë së re, nuk po arrihet zgjedhja e Presidentit të ri, ç’ka mund ta fusë vendin në zgjedhje të tjera parlamentare.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Ballukun e duan të arrestuar, ndërsa Berishën të pandehur e nxjerrin kandidat për kryeministër