Ngërçi për Gjykatën e Lartë
Meta: Përcaktoni kritere shtesë

Ngërçi për Gjykatën e Lartë<br />Meta: Përcaktoni kritere shtesë
TIRANE -Në kushtet kur presidenti dhe mazhoranca nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, kryetari i Parlamentit Ilir Meta, i bëri apel palëve të vendosin kritere shtesë për këtë proces dhe t’i japin fund ngërcit që deri më tani është shoqëruar me rrëzimin e 5 dekreteve. 

Në një konferencë për mediat nga kryesia e Kuvendit, kryeparlamentari i vuri palët para presionit të afatit që duhet për t’i plotësuar dy vendet e anëtarëve në Gjykatën e Lartë…por theksoi se për këtë, mbi të gjitha duhet konsultim dhe jo ndikim emocional. E përderisa ende nuk është gjetur zgjidhja, Meta propozoi zhvillimin e takimeve mes Presidentit e grupeve parlamentare dhe përcaktimin e kritereve shtesë për përzgjedhjen e anëtarëve. 

Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve të zhvilluar të martën e 28 tetorit, deputetët e mazhorancës rrëzuan dy kandidaturat e propozuara nga presidenti Nishani me argumentin se nuk ka respektuarat procedurat dhe nuk është konsultuar me Kuvendin. E njëjta situatë mes është regjistruar edhe gjatë viteve kur në krye të shtetit ishte Bamir Topi dhe kur në mazhorancë ishte Partia Demokratike. Edhe në atë kohë mazhoranca qeverisëse rrëzoi disa herë dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë, derisa Topi e ktheu në traditë konsultimin em grupet parlamentare para se të propozonte kandidaturat.

Në çelje të konferencës për media, Meta i bëri apel opozitës që t’i japë fund bojkotit parlamentar dhe të sjellë deputetët dhe kryetarët në dy komisionet hetimore që mazhoranca votoi me kërkesë të të djathtëve, të enjten e kaluar.

Në fokus të konferencës u vendosën edhe incidentet në ndeshjen Serbi-Shqipëri mbrëmjen e 14 tetorit në Beograd, ku Meta u kujdes të theksojë se nga pala serbe nuk pati vetëm akuza, por edhe qëndrime objektive. Ai tha se e sheh pakthim politikën e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal, ndërsa vlerësoi vendosmërinë e kryeministri Rama për të vijuar me axhendën e vizitës së tij në Beogradin zyrtar më 10 nëntor.
 
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për plotësimin e vendeve bosh në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, kryeparlamentari Meta tha se në seancën e së enjtes do të bëhen transparente procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve.

Konferenca e kryetarit te Kuvendit Ilir Meta

Meta: Kritere shtesë për anëtarët e Gjykatës së Lartë

"Besoj se debatet janë gjithnjë të dobishme por në rastin konkret do theksoj rëndësinë e procesit dhe të mos ndikohen emocionalisht pasi ky proces për zgjedhjet të kandidatëve për Gjykatën e Lartë përputhet me vetë kërkesën e ligjit, ka nevojë dhe për vendosjen e kritereve shtesë si rezultat i një konsultimi që duhet të realizohet mes presidentit dhe grupeve parlamentare dhe që më pas është mbështetur dhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se ky konsultim duhet të realizohet sa më shpejt për të ecur sa më shpejt për përzgjedhjen e kandidatëve."

Ilir meta

Meta: Mbështes Ramën në Beograd, politika jonë bashkëpunuese pa kthim mbrapa
Meta shprehu mbështetjen e tij, për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Beograd, që siç u shpreh ai i shërben të ardhmes së përbashkët europiane. Kryeparlamentari theksoi se nuk ka kthim mbrapa, të politikës së jashtme të Shqipërisë, pasi ajo është në funksion të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit.

I pyetur lidhur me deklaratat e bëra nga ana e zyrtarëve të lartë serbë për ndeshjen Serbi-Shqipëri, Kreu i Kuvendit u shpreh se kjo është një çështje sportive e cila nuk duhet të kthehet në çështje politike. Ndër të tjera Meta nënvizoi se ka pasur edhe zyrtarë serbë të cilët kanë bërë deklarata objektive.

“Unë jam shumë dakord me vlerësimet e drejtuesit të klubit sportiv të Partizanit të Beogradit dhe me evitimin e konflikteve nëpërmjet futbollit që më pas kthehen në konflikte politike, por nuk dua ta bëj për diversion pasi ka pasur vlerësime realiste nga Serbia, që kanë mbajtur qëndrime objektive. Nuk dëshiroj të kthehem tek ndeshja pasi kjo është një çështje që i takon institucioneve sportive. Ajo që është me rëndësi është të punojmë për një të ardhme që ndihmon edhe Shqipërinë edhe Serbinë edhe Ballkanin për të ardhmen e përbashkët euroipane. Është pa kthim politika e Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal në funksion të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe në këtë funksion e vlerësoj vullnetin e Ramës për të vijuar axhendën në kontribut të paqes në rajon, siç duhet të jetë në raport me BE.” theksoi Meta

Meta: Guvernatori me konsensus, nesër votohet mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve të Këshillit Mbikqyrës
I pyetur lidhur me përzgjedhjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, Meta u shpreh se zgjidhja duhet të vijë në konsensus mes palëve që zgjedhja të jetë ajo e duhura. Ndërsa sa i takon plotësimit të vendeve vakante në Këshillin Mbikqyrës nga ana e Kuvendit, Meta theksoi se në seancën e nesërme do të bëhet votimi në Kuvend i procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve, duke nënvizuar se e gjithë procedura do të jetë në transparencë të plotë me publikun.

“Për çëshjten e Guvernatorit të ardhshëm kam shprehur besimin se është një çështje që duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe në konsensus dhe besoj se ky konsensus do të ishte mjaft i dobishëm për zgjidhjen e duhur. Lidhur me detyrimet që ka Kuvendi për të plotësuar vendet vakante në Këshillin Mbikqyrës, patjetër që Kuvendi do ta plotësojë këtë detyrim, për mënyrën e përzgjedhjes në transparencë të plotë për të gjithë kandidatët. Kjo do të miratohet në seancën e nesërme për të qenë sa më transparentë për opinionin publik.” bëri të ditur kreu i Kuvendit

Ndërsa sa i përket çështjes së përgjimeve nga ana e SHISH, Meta ripërsëriti qëndrimin e tij se do të pritet përfundimi i punës së Komisionit Hetimor. 

PDF - Fjala e plotë e Metes në konference për mediat

Redaksia Online
(e.c/Gre.M/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Përleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin e stadiumit 'Camp Nou'

Përleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin e stadiumit 'Camp Nou'