Ngjela:Fotot? Berisha provincial
Ramës iu bë presion për Kodin

Ngjela:Fotot? Berisha provincial<br />Ramës iu bë presion për Kodin
TIRANE - Humor dhe ironi... këtë ka përcjellë avokati Spartak Ngjela në studion e A1 Report në një intervistë me gazetaren Mira Kazhani, teksa komentoi fotot Vip që vijnë përmes zyrës kryeministrore të takimit të Berishës me homologun britanik, David Cameron, si dhe fotot e Berishës ndërsa thyente “rekordin” personal në not në ujërat e Dhërmiut.

“Provincial” është epiteti i përbashkët që avokati Ngjela i vë Berishës për të dy rastet, ndërsa për foton me Cameron, Ngjela hedh dyshime se mund të jetë montazh ose e paguar, pasi sipas tij, nuk ka një protokoll zyrtar të takimit mes dy kryeministrave.

Po me kaq ironi, Ngjela përcjell dhe imazhet kryeministrore ku Sali Berisha duket duke notuar në Dhërmi.

“Kryeministri nuk di as not dhe as makinë”, komenton ai, ndërsa shton se “këto foto përdoren nga media për të vënë në lojë kryeministrin”.

Biseda me gazetaren, Mira Kazhani nuk la mënjanë edhe çështjet politike të ditës, siç ishte ajo për zgjedhjen e presidentit Nishani, imunitetin dhe reformën zgjedhore.

Gjithnjë duke akuzuar Berishën, Spartak Ngjela tha se Nishani, që sipas tij s’ka as vlera fizike dhe as intelektuale, është vënë në atë post për t’i shërbyer Kryeministrit.

Gjithashtu, imuniteti është mjet që Berisha po e përdor për të trembur opozitën, kurse për reformën zgjedhore, sipas Ngjelës, Rama bëri kompromis me kryeministrin i detyruar nga ndërkombëtarët.

Për të mbyllur këtë bisedë, ashtu sikurse dhe nisi me humor, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi tha i duhet Kuvendit për qëndrimet e tij konsekuente dhe pa kompromis.

Në vijim intervista e plotë:

Zoti Avokat, shumica e politikanëve ndodhen me pushime, ju si keni nisur akoma?
Me datë 1 gusht. Unë zakonisht nuk bëj pushimet në verë, meqenëse e hapët këtë muhabet. Unë zakonisht i bëj pushimet në dimër, ndërsa sivjet kam vendosur ti bëj me datë 1 gusht.

Domethënë vazhdoni të punoni?
Po sigurisht.

Vini nga ndonjë seancë gjyqësore tani?
Po vij nga një takim për një proçes.

Në një email të ardhur në redaksinë tonë, mbase nga një komandë e gabuar nga zyra e shtypit, kanë dalë në pah edhe shifrat që duhen paguar për këtë foto mes Berishës dhe Camerun. Përse duhet kaq shumë, kaq e rëndësishme është një foto?
Është fatkeqësi për një vend kur kryeministri është provincial. Është njëri i rritur në rrethe mjerimi, provincë. Doli befas dhe tani bën vetëm budallallëqe. Shqiptarët nuk i hanë fare këto gjëra sepse e urrejnë, ai këtë e ka për efekt të brëndshëm.

Pesëdhjetë përqind e Shqiptarëve e duan?
Të shikojmë sa do të dalë, se ky njëzet i vjedh. Njëzet përqind Berisha i manipulon. Këtë herë do të marë pesëmbëdhjetë përqind, nga ku mund të manipulojë njëzet dhe do të dalë me tridhjetë e pesë përqind. Pra, të jemi realist ka një urretje sot në popull edhe po bëhet qesharak. Po bëhet qesharak sepse është në dilemën e madhe të krimeve që ka bërë. Ka bërë krime të mëdha, abuzime. E para, del në perëndim dhe perëndimi se pranon, unë e di mirë këtë sepse kam qenë atje dhe i njoh mirë, por Berisha nuk e pranon. Dhe ka të drejtë që se pranon sepse nuk mund të jetë ky interlokutori i perëndimit.

Unë si qytetare e thjeshtë shof një foto dhe ndikohem...
Normale, ai prandaj e ka bërë, gjithsesi shqiptarët nuk çajnë kokë se një foto ta marrin. Meqë e hapët këtë muhabet, përsa i përket kryeministrit Britanik, kur ndodhesha në Londër në një konventë të konservativëve në vjeshtë të 2006-2007, Berisha i’u ishte qepur Tony Blair -it, donte ta takonte me patjetër. Këtë ma treguan vetë ato të stafit të ministrisë së Jashtme. Pas kërkesave të shumta ato i’u ishin kthyer duke e pyetur se përse dëshironte ta takonte zotin Blair, në atë kohë kryeministër i Britanisë. Që prej kohës që i kërkuan arsyen e takimit ata u shprehën se kishin rënë rehat, pasi që prej asaj kohe kishin ambasadorin Shqiptarë në Britani, i cili kërkonte takim një herë në javë. Pra Berisha të gjitha këto i bën për efekt të vendit. Përsa i përket kësa fotos ku i dihet, në e ka bërë në të vërtetë apo jo, në është montazh apo është e paguar. Këto janë gjëra që i ka një shoqëri borgjeze. Ata ta japin fotot por nuk ia merr mëndja së ky do ta përdori për të neutralizuar gjëndjen në Shqipëri. Çdo intelektual e kupton këtë.

Por kjo foto nuk duket të jetë montazh?
Po në rregull, ai ka paguar për këtë foto, gjithsesi çdo intelektual e kupton që të takosh kryeministrin britanik duhet një protokoll. Kryeministri Britanik të pret në Downing Street 10, Berisha hyri gjë atje?

Jo në fakt takimi ishte në Birmingham Palace...
Epo atje kanë qenë njerëz nga e gjithë bota, kanë qenë që të gjithë. Edhe Kryeministri ynë vajti ajte të shikonte meqë kishte skuadër.

Në fakt pamë edhe pamjet kur po takonte përfaqësuesit olimpik Shqiptarë, madje ka deklaruar edhe në mbledhjen e grupit kuvendor të partisë demokratike, ku dikur keni qenë edhe ju pjesë zoti Ngjela. Berisha është shprehur se është ndjerë si Liza në botën e çudirave.
Nëse më keni thërritur për nonsenset e Berishës, gjithsesi kur isha unë nuk fliste kaq shumë budallalliqe, thoshte më pak.

Vërtetë, por përse mendoni se në atë kohë ishte ndryshe, mos ndoshta e keni parë ju me simpati ndaj dhe ju dukej ndryshe?

Jo jo, budallalliqe të këtij niveli nuk nxirrte, po të leshonte të këtilla unë i ikja nga salla.

Si kanë qenë mbledhjet e grupit në kohën tuaj zoti Ngjela? A flasin deputetët e tjerë gjatë mbledhjeve?
Ky vjen dhe mban fjalime, vinte dhe i fliste grupit thua se ishte në opozitë. Ky zotëria vetëm kryeministër nuk është. Ky është një mësjetarë që nuk di se ku tia gjej vendin.

Zoti Ngjela, kemi edhe një foto tjetër që ka dalë dje nga kryeministria, për të cilën nuk pati një sqarim apo reagim në fakt rreth çështjes së fotos me kryeministrin Britanik, por me foton tjetër sikur na dhanë përgjigje duke na e servivur të cilën ne sigurisht e kemi trasmetuar. Bëhet fjalë për një foto të kryeministrit Berisha duke notuar në Dhërmi. Këtë vit ka bërë 9 minuta më shumë se vitin e shkuar. Këtë vit ka numëruar 144 minuta duke notuar.

Nuk është se do rrimë gjithë kohës të merremi me budallalliqet e tij, apo të tallemi me kryeministrin e Berishës. Une e kuptoj që për gazetarë në botë do të ishte kënaqësi të tallej me kryeministrin e vendit. Por ky joni, është kaq budalla sa ju duhet ta mëshironi.E para e punës ai s’di not dhe nuk ka sesi ta kishte mësuar notin nëpër lumenjë, e para kjo. E dyta, edhe atë not që di, është si puna e anglishtes, besoj të gjithë e kemi dëgjuar si flet anglisht. E keni parë si flet shqip? Ashtu di dhe not. Pra ne kemi një kryeministër unik. E dini që kryeministri ynë nuk di ti japë makinës dhe sot në botën e qytetëruar nuk ka kryeministër në botë që të mos dijë makinën. Nesër mund të na dalë që ta ngasë makinën si noti. Ky njeri ka dy anë të medaljes, bën budallalliqe, është qesharak, dhe nga ana tjetër abuzon. Këto ka ky njeri si veprimtari, ndaj le të merremi kur ta rrëzojmë.

Në fakt zoti Ngjela ju jeni një njerri që keni lexuar shumë dhe keni informacion përsa i përket politikave të imazhit, ju e dini si funksionojnë. Mendoni se kjo historia e imazheve ka efekt tek elektorati? Dhe cilat personalitete i preferojnë?
Berisha këto i ka anti PR (public relation), por nuk arrin ta kuptojë. I ka të gjitha kundra imazhit të vet. Fakti që të ka dhënë mundësinë që ju keni një çerek ore që talleni me të , tregon shume rreth imazhit që ky kryeministër ka. Kur flas për tallje nuk jeni vetëm ju në këtë mes, por të gjithë gazetarët, të gjithë gazetarët tallen. S’ka kryeministër që thyen rekorde në not, pa e ditur notin. E keni parë teksa bën not? Ai bën not kali, po ta hedhësh kalin në detë noton, ndaj ky i Bërishes nuk është not. E keni parë si bëhët noti? Keni parë patinazh? Se nesër mund të na dalë duke na bërë patinazh. Berisha i bën të gjitha, ndaj ju lutem shumë injorojeni dhe mos u tallni kaq gjatë.

Mendoj se isha serioze që në fillim, gjithsesi do vazhdojmë të jemi seriozë në pyetjet në vazhdim.
Absolutisht ju serioze jeni, por konteksti është qesharak. Ju keni të drejtë të talleni sepse ju jep matërial, por ju lutem mos më bëni edhe mua pjesë të kësaj talljeje sepse unë e kam kundërshtarë.

Zoti Ngjela, këto janë politika të PR, para disa ditësh tek “The Times” ishte nje foto e Presidentit Obama me gruan e tij, të cilët tregonin për njëri tjetrin rreth puthjeve të tyre, madje edhe kishin shkëmbyer një puthje teksa shikonin një ndeshje volejbolli, pra kudo liderët përpiqen të bëjnë për vete teleshikuesit, votuesit, pasi dihet që ato janë mjaft të rëndësishëm në prag të zgjedhjeve. Ndaj nuk besoj se përbën tallje, pasi dyshoj se Reuters apo BBC janë tallur me Barack Obama sepse puthi Michelen apo bëri një foto.
Por ata nuk vajtën të bëjnë not, por ky i joni as not nuk di. Unë them e lemë këtë çështje. Nesër sikur të vij unë dhe të them që Berisha s'di tenis ai do dalë duke luajtur. Ju lutem, ky është niveli i tij, mbajeni edhe ca kohë, kur të vijë koha rrëzojeni. Kjo është një komedi dhe ky zotëria është një karagjoz që tallet me të tërë, kjo nuk diskutohet, ama biletat e kësaj varieteje i paguan populli.
Populli e ka votuar kryeministër zoti Ngjela, nuk besoj se është komike edhe gjysma e Shqipërisë. Gjithsesi le të flasim për çështje të tjera. Sot është transmetuar në A1 Report takimi i parë i zhvilluar mes presidentit Bujar Nishani dhe Ambasadorit të OSBE-së Eugen Wolfarth.
Përsa i përket Wolfarth mallëngjehem sa herë e kujtoj, megjithatë punë e tija, ka ardhur këtu si ambasador. Përsa i përket presidentit, mund të them se ishte një zgjedhje abuzive e Saliut.

Cfarë bëri opozita e majtë që të ishte një zgjidhje demokratike?
Opozita nuk diti të luante, të nxirrte kandidaturat e veta.

Përse opozita nuk nxorri asnjë kandidaturë të sajën?
Sepse u tremb nga Nano, nuk di përse u tremb.

Mendoni se një opozitë që trembet është një opozitë?
Absolutisht jo. Gjithsesi unë po ju them arsyen përse ndodhi. Potencialisht kshte mundësi të hidhte tre kandidatura, se kush do të dilte në sallë ky ishte problem tjetër. Jo këtu, por në gjithë botën, ka shumë forca që veprojnë në zgjedhjen e një presidenti. Ka politikë ndërkombëtare, ka agjensi ndërkombëtare, si dhe flukse të brëndshme, sepse vota është e fshehtë. Opozita nuk i hodhi tre kandidaturat e veta, por u fut në kafkullën e breshkës dhe breshka nuk fiton kurrë. Breshka është gjynafqare.

Qenkeni kthyer në një kritik të madh të opozitës? Disa kohë po e mbështesnit..
Unë kam një marrëveshje vetëm me një njesi. Unë kam raport vetëm me të vërtën dhe e vërteta është kjo: Opozita kishte mundësinë e tre kandidaturave dhe këtë ia kam thënë edhe zotit Rama.

Kur është hera e fundit që e keni takuar zotin Rama? Dhe si iu është përgjigjur lideri i grupit socialist, meqë ju thoni gjithmonë të vërtetën?
E kam diskutuar këtë në një nga mbledhjet e grupit. Unë i kam thënë zotit Rama për mundësinë e tre kandidaturave dhe ai më është përgjigjur se nuk kishin numra apo përgjigje të tjera të cilat nuk janë përgjigje. Çështja është, di të luash shah, hidh tre kandidatura. Nëse ti hedh tre edhe tjetri do të hedhë tre kandidaturat e tij. Atëherë do të kishim gjashtë kandidatura në parlament do të bëhej një garë normale të cilën do ta shihte edhe populli. Jo siç ka ndodhur tani, që kanë marrë një gjynafqarë dhe e kanë vendosur për president. E para e punës ai nuk ka kapacitet fizik, e dyta nuk ka kapacitet intelektual, e treta është i panjohur për opinioni publik dhe e katërta, e kanë sjellë atje për të mbyllur abuzimet. Ai është viktimë njësoj si Hekuran Isai, Simon Stefani, Lenka Çuko, të cilët i mori dhe i implementoi Enver Hoxha për qëllimet e veta, që të ndalonte gjenerimin normal, intelektual, të partisë së vet. Besoj ju e mbani mend sesi përfunduan në 1992- shin, që ranë të gjithë në burg dhe nuk u mor vesh si erdhën në pushtet dhe si ranë nëpër burgje. Pra, problemi është që ishin viktima. Le të kthehemi në këtë moment. Ky do të viktimizohet, pasi këta e kanë sjellë që ky t'i ndihmojë në abuzimin e tyre. Sepse ska arsye tjetër përse t'a kenë sjellë. Ky person nuk është as figurë publike, s'ka impakt politik, s'ka impakt intelektual në shoqëri, është i sëmurë. Po të ishte president të cilit i ka rënë ajo sëmundje që e ka paralizuar atëherë do ikte nga presidenca. Por këta e çojnë president. Atëherë këtu ka dy gjëra: Kërkojnë të mbyllin abuzimet me të, ndaj dhe lind çështja: a do ta realizojnë? Historia na ka treguar se këta janë të kapur. Mund ta kenë edhe këtë të kapur në ndonjë vend. Gjithsesi nuk ka zot që e bën Saliun diktator. Ky zotëria që ne sot kemi për Presindet ka ardhur që të abuzojë, të ndihmojë në abuzimin e Berishës. Në do ta bëjë dot, këtë nuk e di, do ta shikojmë. Por unë mendoj se nuk e bën dot dhe do bjerë viktime.
Nuk kemi dëgjuar të ketë patur probleme korrupsioni përsa i përket zotit Nishani dhe përsa i përket problemit të tij shëndetësorë, ai vetë e ka sqaruar që bëhet fjalë për një problem estetik dhe zgjat të paktën një vit e gjysëm, dhe nuk është më sëmundje por është e kuruar. Madje për këtë çështje ka folur edhe doktori i tij personal. Gjithsesi mendoj se ky vend nuk ka vuajtur nga probleme të tilla estetike por ka vuajtur për një president që të ketë qenë i paanshëm.
Ju lutem, unë ju thashë se nuk ka nivel intelektual, që është kryesorja, është low-level (nivel i ulët). Nuk janë shqiptarët niveli i tij, ai e kupton edhe vetë këtë. Përse duhet të vinte president? Lind problemi se përse kanë zgjedhur president dikë që nuk ka asnjë vlerë intelektuale? Nuk ka asnjë impakt politik në opinion, nuk ka treguar anjëherë personalitet. Përse? Atëherë dy gjëra ka: Kërkojnë që me anë të tij, duke qenë se e shikojnë që është një plastelinë, të cilën mund ta ndërtojnë si të duan, të retushojnë abuzimet e tyre. Dhe për këtë e kanë vënë në atë post. Pyetja është, a do ta bëjë?

Për këtë motiv cuan edhe ish presidentin, zotin Bamir Topi, por nuk rezultoi kështu apo jo?
Normal, sepse zoti Topi ishte intelektual.

Atëherë ju lutem të mos paragjykojmë në këtë rast, pasi nuk i dihet.
Ju lutem, unë them po e bëri do të bjerë viktimë. Gjithsesi nuk shof të ketë kapacitet që të mos e bëjë. Parashikimet e mija nuk janë pozitive. Unë i kam dalë borxhit. I kam thënë: dy gjëra ka; largohu, se ndryshe nuk e përballon dot, do të viktimizohesh. Ose pastaj nëse del i fuqishëm dhe ruan shtetin, do jetë gjë e madhe, por unë kam dyshimet e mija.

Sipas jush zoti Ngjela, përse hezitojnë intelektualët të shkojnë në krye të shtetit? Përse hezitoi Zaganjori dhe përse politika nuk hedh asnjëherë emra të denjë për president? Ne nëpër tavolina e kemi bërë shpesh por politika nuk e ka bërë asnjëhere. Përse hezitohet?
Këtë nuk duhet të ma pyesni mua, unë e dhashë mendimin tim. Duhet të ishte opozita që duhet të kishte hedhur tre kandidatura, aq e kishte kapacitetin. Ka gjashtëmbëdhjetë deputetë dhe mund të nxirrte tre kandidatura.

Atëherë sipas këndvështrimin tuaj, është më përgjegjëse opozita sesa maxhoranca?
Në këtë rast po. Opozita do të mbajë përgjegjësinë e vet, në rastin se shteti do degradojë për arsye të këtij presidenti. Në rast se shteti nuk degradon, skemi çthemi. Por, nëse shteti do degradojë për shkak të këtij presidenti atëherë përgjegjësia e opozitës do të jetë shumë e madhe. Në çdo rast të kundërt unë do ju them se gabova. Por ato që e kanë nisur këtë gjë, kam përshtypjen se do ta trajtojnë shumë keq. E para gjë që duhet të kishte bërë ky person që sot kemi për president, duhet të kishte pyetur veten përse po vij president dhe e dyta pastaj është "what are you going to do with it" çfarë ke ndërmend të bësh me këtë? Çfarë do bësh ti me këtë pozicion? Ku di ai çfarë duhet të bëjë si president? Ai ska mundësi, potencë intelektuale për të mbajtur atë pozicion.

A nuk është pak nihilizem nga ana juaj zoti Ngjela të thuash Kryeministri nuk e di, Presidenti nuk e di, Kryetari i opozitës nuk e di, ka njerëz që dinë në këtë vënd?
Përsa i përket kryeministit thashë që ai e ka marrë dhe e ka vënë me qëllim në atë pozicion. E ka marrë pikërisht sepse i duhet për të sheshuar të gjithë abuzimin që ka bërë ndaj shqiptarëve. Problemi është këtij çfarë i duhej? Ata që e kanë çuar e kanë çuar për interesin e tyre personal. Nishani duhet t'ia kishte bërë pyetje vetes, përse jam unë këtu? Pasi t'i kishte dhënë përgjigje të vendoste. Nëse e ka bërë këtë pyetje dhe e ka marrë përgjigjen, që jam këtu për ti shërbyer këtyre dhe do t'i shërbej, atëherë do bjerë viktimë. Nëse e ka bërë pyetjen dhe e ka analizuar përgjigjen se kujt do t'i shërbejë, atëherë paska forcë të rrijë dhe do rrijë.

Zoti Ngjela ende nuk ka një qartësi për çështjen e imunitetit, PS ka paraqitur dy drafte, e cila pengon ato nen që kanë të bëjnë me ndryshimet në Kushtetutë për imunitetin. A mund të na i zbardhni?
Kjo është një medalje me dy krahë. Nëse ka një person që ka më shumë frikë nga imuniteti është kryeministri Berisha. Ndaj ai trembi opozitën për ta bërë imunitetin të kufizuar. Këtu do të humbasi Saliu, nëse nuk do të kthehet tek drafti i opozitës. Sepse Berisha mendoi që të trembte opozitën, që pikërisht t’i çonte këtu, sepse ai kërkon marrëveshje. Imunitetin e heq kur të duash nuk ka problem. Kryetarja e Kuvendit ka në dorë ndjekjen penale të deputetit.

Janë hequr Imunitete edhe nga mazhoranca...
Është tjetër gjë ajo. Po të dojë mazhoranca nuk e heq atë, për një person të caktuar. Pra po të dojë mazhoranca, vetes nuk ja heq imunitetin. Në një Parlament imunitet ka mazhoranca. Opozitës i hiqet imuniteti. Këtë e kërkojnë ndërkombëtarët edhe kjo do të bëhet. Nuk ka të kufizuar do të heqin të gjithë. Tani vimë tek tjetra. Opozita është dakord për të hequr imunitetin, por kërkon garanci, garanci për pushtetin gjyqësor. Se vërtetë ti e heq, por duhet të ketë pushtet gjyqësor të pavarur. Vërtetë nuk ka imunitet në Amerika, por ka gjyqtarë. Atëherë thotë Prokurori i Përgjithshëm me tre të pestat, anëtarët e Gjykatës së Lartë me tre të pestat (e kam kërkuar edhe unë këtë po s’ma kanë pranuar).

Është e vërtetë që opozita do të ketë Kryprokurorin, emër të tij?
Jo ajo nuk kërkon që ta ketë emër të tij. Jo ajo kërkon që të votohet me tre të pestat. Dhe kjo do ta çojë PS dhe PD në marrëveshje për të zgjedhur emrin e Prokurorit të Përgjithshëm. Unë e kam kërkuar me dy të tretat. Dhe kjo nuk të çon drejt emërimit politik. Pikërisht Berisha ka çuar Presidentin Nishanin për të marrë këto, që opozita po lufton që ti votojë më 84 vota. Ndaj do të votohet gjithë paketa e PS, që të respektohet karakteri konsensual të organeve të drejtësisë. Këtu zgjidhet Avokati i Popullit me tre të pestat, dhe si mund ta lejojmë që Prokurorin ta zgjidhim me 73 vota. Ndaj eja të diskutojmë me një forum dhe ndryshimet e tjera, që të bëjmë ndryshime cilësore në Kushtetutë, jo në interes të një force politike, por për të gjithë. Unë të lë imunitetit, ti më jep grancinë.

Nishani gjatë një interviste ka thënë se kreu i SHISH emërohet nga Kryeministri dhe kalon për tu dekretuar nga Presidenti...
Presideti mund të shpreh vullnetin për të mos e dekretuar. Por për të emëruar kreun e SHISH duhet të pyesësh shërbimin partner

Është e pamundur?
Gjithçka është e mundur, por ndikon në prishjen e imazhit të Shqipërisë. Ja ndodh që kryeministri bën not, pa ditur not. Merr Ipad pa ditur ta përdori.

E vlerësoni punën e zotit Shaqiri?
Është një çështje e mbyllur nuk është e hapur.

Për zonjën Rama cili është vlerësimi juaj?
Me një bilanc të përgjithshëm është pozitiv. Me këtë pozicion që ka pushteti gjyqësor, ajo është kryeprokurorja më e mirë nga të gjitha ata që kanë kaluar. Edhe çështjet e rëndësishme, i ka prishur gjykata. I ka ndodhur një gjë shumë e rëndë, duhet ti nxirrte kryeministrit mandat arresti, se bëri dot, se përkrahu njëri. E akuzoi Kryeministri Presidentin, duhet ti nxirrte mandat arresti. Duhet ta marrin vesh këta birbo se Çeço ka biçak. Si gjykatëse ka qenë shumë e mrië, por për të analizuar kategoritë si çështje, në një analizë profesionale, poltiktike dhe ekonomike kam pështypjen se në disa çështje do të ketë një notë jo pozitive. Bilanci ka sjellë një frymë të re ndaj akuzës. Ajo e bëri një gazetar fërtele se i hyri në profesion, një gazetar që doli përpara me pyetjet e Saliut, por ajo e sfidoi. Vlera e Ina Ramës do të duket kur ajo të largohet.

Ne njerëzit i vlerësojmë kur largohen, siç ndodhi me Presidentin Moisiu, apo si do të ndodh me Topin...
Topi e mbrojti shtetin. Ai nuk e la Saliun që të emëronte diktator.

Do i bashkoheni FRD, sepse ju mbeteni demokrat?
Këto janë probleme që kanë të bëjnë me ecurinë e politikës. Aktualisht nuk kam marrë një vendim.

Por ngeleni i hapur...
Ligji i ri nxorri jashtë rolit numërimin e votës së lirë.

Pas realizimit të Reformës Zgjedhore, mes Berishës dhe Ramës munguan vetëm gotat e shampanjës...
Mua më tha Rama që kaq fuqi kam. Më doli OSBE kundër për chekin-in elektonik të kartës.

Pse gjithmon janë ambsadorët që mendojnë për fatin tonë?
Ka partnership normal midis dy shërbimeve. Shqipëria është vend i rrezikshëm i terrorizmit islamik në botë. Saliu është i akuzuar për islamist.

Si do të jetë vota në 2013, e lirë?
Shqiptarët duhet të jenë të vëmendshëm, ashtu sikurse dhe partitë politike. Sepse këta i kanë marrë masat, do manipulojnë me karta, siç e kanë bërë.

Ju ka marrë malli të ktheheni në parlament, të mbash edhe njëherë ato fjalimet brilante?
Mall nuk i takon kësaj. Malli është një raport midis dy individëve. E ndjej që dua të kthehem por atë e kanë njerëzit në dorë. Unë jam i detyruar t'ju kërkoj votën, ndërsa këta do ta manipulojnë.

Fola me një avokat pesimist apo optimist?
Realist.

(ns/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital