Mësohet se Byroja Kombëtare e Hetimit apo siç u emërua asokohe “FBI”-ja shqiptare ka qënë një propozim i këshilltarit të Ramës, ish-kryeministrit britanik Toni Bler, për të precizuar tërë skemën e reformimit të strukturave të hetimit në një qendër koordinuese, diçka e ngjashme me FBI-në amerikane, por e përshtatur për realitetin shqiptar të një vendi të vogël.
Nga burime të rezervuara brenda mazhorancës mësohet se në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë ish-Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili ndonëse anëtar i Asamblesë Kombëtare nuk ka preferuar të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Njëherësh, ndonëse ka fituar gjyqin për shkarkimin e tij nga kryeprokuror dhe gjykata ka kërkuar kthimin e tij në detyrën që ka pasur, nuk e preferon më këtë post, duke lënë hapur rrugën për të qënë në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku që me ngritjen e saj si strukturë pranë kryeministrit të merret me ngritjen nga e para të saj.
FUNKSIONIMI
Byroja Kombëtare e Hetimit është një drejtori qëndrore pranë kryeministrit që do të funksionojë për koordinimin e të gjitha shërbimeve, përmes një zyrë koordinative. Deri më tani shërbimet veprojnë paralelisht, duke nxjerrë jashtë skemës dhe informacione që s’duhet të dalin, por dhe duke u përdorur për luftën politike.
Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i detyrojë të gjitha këto shërbime të mos punojnë paralel. Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga e gjithë asistenca e specializuar ndërkombëtare për Shqipërinë, për të bashkuar në një strukturë të vetme një sërë çështjesh që sot janë të pakoordinuara. Në këtë strukturë do të organizohen të gjitha këto shërbime, që kanë drejtime të ndryshme, por që sot janë të pakoordinuara e konsumojnë para pa punë. Kjo strukturë do të organizojë dhe do të garantojë mirëfunksionim edhe në pjesë të tjera të organizmit shtetëror. Programi i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka këto pjesë shumë të rëndësishme. Ajo ka analizën e informacionit kriminal, lufta kundër trafiqeve njerëzore, armëve eksplozive anti-terrori, drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, njësinë speciale të agjentëve të mbulimit, policia shkencore dhe antikrimi kompjuterik, mbrojtja e dëshmitarëve, policia e qarkullimit e rendit etj. Këto shërbime do amalgamohen në një strukturë të vetme dhe kalimi i informacionit nga poshtë-lart të bëhet transparent, i kontrolluar nga mekanizma të ndryshëm dhe i pamanipulueshëm. Pikërisht këtë strukturë pritet të ngrejë menjëherë kryeministri Rama, për të reformuar sistemin.
KANDIDATURA
Burime të rezervuara brenda mazhorancës mësohet se në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit do jetë ish-Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili ndonëse anëtar i Asamblesë Kombëtare nuk ka preferuar të jetë në listën e kandidatyëve për deputetë të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Cili do të jetë funksioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit
- Byroja Kombëtare e Hetimit do të merret me analizën e informacionit kriminal i cili do të vijë nga shërbimet e specializuara të shtetit shqiptar.
- Me luftën kundër trafiqeve njerëzore që janë kthyer në një gangrenë në Shqipëri.
- Me luftën kundër kontrabandës në kufirin e Shqipërisë me rajonin dhe kontrabandën ndërkombëtare.
- Luftën kundër trafikut të drogës dhe të lëndëve radiaktive.
- Luftën për eliminimin e armëve eksplozive dhe anti-terrorin.
- Drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit. Me njësinë speciale të agjentëve të mbulimit.
- Policinë shkencore dhe antikrimin kompjuterik.
- Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe akomodimin e tyre.
- Policinë e qarkullimit, të rendit dhe gjithë policitë e tjera.
- Do garantohet një rritje shumë të shpejtë të cilësisë së punës hetimore e shkëputje shumë të shpejtë të lidhjeve të konsoliduara që kompromentojnë punën hetimore.
- Këto shërbime do amalgamohen në një strukturë të vetme dhe kalimi i informacionit nga poshtë-lart të bëhet transparent.
- Informacioni do jetë i kontrolluar nga mekanizma të ndryshëm dhe i pamanipulueshëm
RAMA NE FUSHATE: BYROJA KOMBETARE, DO RRISIM CILESINE E HETIMIT
Kryeministri Edi Rama në fushatë ka deklaruar se “pas ardhjes në pushtet të PS, policia do t’i nënshtrohet një risktrukturimi të plotë, duke reduktuar disa struktura e duke aktivizuar të tjera”. Në këtë kuadër premtoi themelimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, që do hetojë krimet e mëdha dhe brenda do përfshihet policia shkencore, antikrimi kompjuterik e mbrojtja e dëshmitarëve si dhe një reformim të SHKB. “Do themelohet Byroja kombëtare e hetimit, ndërsa SHKB nga një strukturë e domosdoshme është kthyer në një strukturë famëkeqe dhe presione për shantazhe do kthehet në një gardian të integritetit moral. Me byronë e SHKB do garantojmë një rritje shumë të shpejtë të cilësisë së punës hetimore e shkëputje shumë të shpejtë të lidhjeve të konsoliduara që kompromentojnë punën hetimore. Kush është nën uniformën blu nuk duhet të ketë lidhje jo vetëm me krimin, korrupsionin por as me ryshfetin banal", tha Rama. Ai premtoi rishikimin e gradave të policisë si dhe paga dinjitoze nga punonjësi i policisë më i thjeshtë deri tek zyrtari më i lartë.
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)