Ngrihet shërbimi psiko-social
një psikolog për 3500 gjimnazistë

Ngrihet shërbimi psiko-social<br />një psikolog për 3500 gjimnazistë
TIRANË - Një psikolog do të kujdeset për shëndetin mendor të 3500 gjimnazistëve. Ky paktën kështu sanksionon një urdhër i ish-ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, që detyron ngritjen e strukturës së shërbimit psiko-social në çdo drejtori arsimore. Sigurisht, pa vënë në dyshim qëllimin e mirë, për të cilin është marrë ky vendim, vëmë re se një psikologu i duhet të kujdeset për shëndetin mendor të plot 3500 gjimnazistëve.

Edhe nëse u referohemi shkollave të qendrës së Tiranës, që janë të tejmbushura me nxënës, një psikologu i duhet që të mbulojë së paku tre shkolla, ndërsa për shkollat e rretheve as që mund të numërohen institucionet të cilat duhet të mbulojë për të plotësuar numrin 3500. Që do të thotë, se psikologu, duhet të shkojë një ditë në një shkolë dhe një ditë në një shkollë tjetër, duke bërë që kështu puna e tij të mos ketë peshën e duhur. Jorida Rustemi, një ndër njohëset më të mira të kësaj fushe, na shpjegon se sigurisht që kjo është një nismë e mirë, por që nuk arrin të zgjidhë problemet.

“Unë e njoh shumë mirë këtë nismë, pasi kam qenë një ndër iniciatoret e projektit. Ne donim që të kishim një psikolog për çdo shkollë, por kjo gjë u konsiderua e parealizueshme me pretendimin se ne nuk kemi kaq shumë profesionistë të kësaj fushe që të mund të mbulojnë çdo shkollë, dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për shkolla të largëta që kanë shumë pak nxënës. Por as ky pretendim nuk qëndron, pasi fakulteti i Shkencave Sociale ofron madje edhe master në psikologji shkollore.

Atëherë ata gjetën këtë zgjidhje: duke caktuar një psikolog për x numër nxënësish. Sigurisht që kjo është një gjë e mirë, por le të themi të vërtetën: kjo është të bësh sikur bën punë, pasi një psikolog nuk mund të kujdeset për 3500 gjimnazistë. Kjo pasi një psikolog duhet të mbulojë dy ose tre shkolla dhe e ka të pamundur që t’i njohë nxënësit për të cilët duhet të japë shërbimin e specializuar. Dhe ndodh ajo që po ndodh realisht në shkollat tona: ku nxënësit nuk kanë besim tek psikologu, ku punën e psikologut ndodh që e merr përsipër edhe mësuesi i historisë dhe kështu nxënësit as nuk trokasin fare te dera e psikologut. Ndaj gjërat duhen bërë për të funksionuar dhe jo ti bëjmë se na i kërkojnë, pasi tani kemi edhe specialistë”, - na thotë Jorida Rustemi.

Urdhri
Sipas vendimit të fundit të MASH-it, psikologu do të funksionojë së bashku me punonjësin social. “Shërbimi Psiko-Social vlerëson gjendjen psiko-sociale të nxënësve me probleme të të nxënit ose të sjelljes dhe, në bashkëpunim me mësues e drejtues të institucioneve arsimore dhe prindërit, planifikon dhe realizon shërbime që ndihmojnë në zhvillimin arsimor, social dhe personal të nxënësve. Ky shërbim ofrohet sipas këtyre normave:

a) Në kopshtet dhe shkollat e arsimit bazë: Një psikolog dhe një punonjës social për 3000-3500 nxënës;
b) Në shkollat e arsimit të mesëm të lartë: Një psikolog dhe një punonjës social për 2800-3500 nxënës;
c) Në shkollat me arsim fillor dhe arsim të mesëm: Një psikolog dhe një punonjës social për 2500-3000 nxënës;
d) Në shkollat e arsimit special: Një psikolog dhe një punonjës social për 200 nxënës”, - thuhet në urdhërin e ish ministrit Tafaj.

Arsimimi
Psikologu: Vetëm diplomë universitare “Bachelor” në “Psikologji”. Psikologu duhet që, brenda 3 viteve nga data e fillimit të punës, të kryejë studime të thelluara në nivelin master shkencor ose profesional në degën e “Psikologjisë”
 
Shkrimi u publikua sot (22.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania