Ekzekutimi me 7 goditje me thikë i Premtim Begaj në fshatin Borsh të Sarandës dhe plasoja e Enea Myftaraj, ka sjellë dënimin e tre autorëve të këtij krimi të rëndë të ndodhur në korrik të vitin 2017. Njëri nga të pandehurit, Nasi Hodo, është dënuar pesë ditë më parë me 18 vite burgim, për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë në dëm të Enea Myftaraj dhe “Vrasjes me dashje” të Premtim Begaj.

Në vendimin që disponon “Shqiptarja.com” rezulton se Nasi Hodo është dënuar dhe me dy vite burgim për plagosjen e lehtë me dashje të Donald Kosta. Në fund të gjykimit Nasi Hodo është dënuar përfundimisht me 18 vite heqje lirie.

Ndërsa bashkëpunëtori i Hodos në këtë krim, Xhonatan Muçaj është dënuar me 20 vite burgim nga gjykata e Vlorës, e cila konstatoi se Muçaj ishte personi kryesor dhe më aktivi në këtë veprimtari kriminale. Muçaj u dënua për vrasjen e Premtim Begaj dhe tentativën e vrasjes ndaj Enea Myftaraj.

I dënuar nga ky proces gjyqësor ka dalë dhe Ronaldo Shehu, i cili është dënuar për “Moskallëzim Krimi” me 3 vite burgim. Sipas dosjes gjyqësore, shkak për këtë ngjarje të rëndë është bërë një konflikt banal.

Viktima Premtim Bega ka qenë duke kaluar me makinë pranë një lokali, ku po qëndronin dy autorët. Për shkak të shpejtësisë, nga rruga e prishur është ngritur pluhur. Ky veprim iu është dukur i qëllimshëm autorëve, të cilët kanë ofenduar dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me viktimën, duke përdorur thika dhe sende të forta, me të cilat kanë vrarë Premtim Begaj dhe plagosur rëndë Enea Myftaraj.