Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi paraditen e sotme zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Byrosë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës, një projekt i Departamentit Amerikan të Shtetit në mbështetje të strukturave të reja të drejtësisë në Shqipëri.
Kreu i KLP-së informoi mbi ecurinë e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, ndërsa shtoi se institucioni që ai drejton aktualisht funksionon ende pa staf administrativ mbështetës, rekrutimi i të cilit pritet të zhvillohet në muajt në vijim.
Gjithashtu, Ibrahimi theksoi se mungesa e një godine për Këshillin e Lartë të Prokurorisë sjell mjaft probleme në funksionimin e institucionit dhe zgjidhja duhet imediate në kushtet kur KLP ndodhet para fillimit të procesit të rekrutimit të administratës ndihmëse të saj.
Ndërsa, drejtoresha e projektit Julie Craven vlerësoi punën e deritanishme të Këshillit te Lartë të Prokurorisë dhe siguroi se projekti drejtuar prej saj do të ofrojë mbështetje financiare, asistencë juridike dhe programe trajnimi institucioneve të reja të drejtësisë deri në fazën finale të konstituimit dhe funksionimit me kapacitete të plota.