TIRANE - Rreth 700 është numri i fëmijëve që për shkak të ngujimit nuk mund të nisin vitin e ri shkollor. Shifrat janë bërë publike nga komiteti i pajtimit mbarëkombëtar, pas ekspeditës disa ditore, përmes së cilës synohet lirimi i grave dhe fëmijëve nga ngujimi.

Sipas përfaqësuesve të këtij komiteti, 123 fëmijë përballen me rrezikun e lartë të fenomenit të gjakmarrjes, ndërsa 600 të tjerë që nuk do të mund të shkojnë në shkollë bashkë me familjet e tyre jetojnë kryesisht në Tiranë dhe në Durrës. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve punojnë për të ndihmuar familjen duke fshehur identitetin dhe origjinën nga kanë ardhur.

Sipas këtij komiteti, deri tani është bërë e mundur që të lirohen nga ngujimi 46 familje të përfshira në hasmëri.

(jd/Gre.m/Shqiptarja.com)