Deputeti i qarkut të Durrësit, Igli Cara, ka reaguar sot me një deklaratë për mediat lidhur vendimin e Autoritetit Portual Durrës për ngushtimin e hyrjes nr.4 të portit nga 6 korsi ekzistuese në vetëm 3 të tilla.
APD njoftoi një ditë më parë se ngushtimi vjen si pasojë e zbatimit të projektit strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit” dhe për këtë shkak do të rikonceptohet Porta nr. 4 e portit (tek Ura e Dajlanit).
“Autoriteti Portual Durrës njofton përdoruesit e Portit të Durrësit se në vijim të zbatimit të projektit strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, kanë nisur ndërhyrjet për testimin dhe rikonceptimin e Portës nr. 4 (Ura e Dajlanit). Këto ndërhyrje janë pjesë e fazës së parë të zhvillimit infrastrukturor dhe përfshijnë gjithashtu rehabilitimin e aksit rrugor të dëmtuar, si dhe rikualifikimin e portës në një lokacion të ri. Për shkak të punimeve, aktualisht do të jetë i mundur përdorimi i vetëm 3 korsive nga 6 korsitë ekzistuese në këtë hyrje-dalje. Ndërkohë, Hyrja nr. 2 vijon të jetë plotësisht funksionale dhe në eficiencë të plotë për hyrje-daljet e automjeteve të vogla. Autoriteti Portual Durrës kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të hapësirës portuale për çdo shqetësim të përkohshëm të shkaktuar nga këto punime” thuhej nw njoftim.
Për deputetin demokrat, bllokimi i gjysmës së Hyrjes nr.4 është një akt i paprecedentë, që tregon më së miri prioritetet e kryeministrit Rama dhe miqve të tij.
Ndërsa renditi rëndësitë që kjo portë hyrje – dalje ka për portin e Durrësit në aspektin ekonomik dhe strategjik, Cara nënvizoi gjithashtu se “ky bllokim me 50% të nyjes së lëvijes së mjeteve do të sillte kaos dhe trafik të rënduar gjatë të gjithë kohës, por sidomos gjatë sezonit veror, kur numri i mjeteve që vijnë me tragetet që lidhin portin e Durrësit me portet italaine dhjetëfishohet”.
Gjithashtu, gjatë prononcimit të tij për mediat, deputeti deklaroi se me këtë urdhër po prevalojnë interesat e miqve të Ramës, përsa kohë që rruga ekzistuese do të përdoret për ndërtimin e kullave të projektit të miliarderit Muhamed Alabbar, duke paraziluar kështu veprimtarinë ekonomike dhe shërbimet në portin e Durrësit, në një kohë që kalatat dhe terminalet e tij janë në punë.
Në një qytet, ku trafiku është një nga shqetësimet kryesore të banorëve të tij, “kjo rrugë duhej t’i jepej qytetit të Durrësit e jo miqve të kryeministrit” tha ndër të tjera Cara,
Deputeti demokrat i drejtoi një apel kryeministrit Rama, ministrit të infrastrukturës, ministrit të mbrojtjes, bordit drejtues të Autoritetit Portual dhe çdo institucioni tjetër që ka përgjegjësi të anulojë këtë urdhër që shkon në kundërshtim me ligjin dhe që është në dëm të interesit të shqiptarëve.
Komente










