MAQEDONI - Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski ka përgënjeshtruar faktin se është pritur në qytetin e Kërçovës me revolta nga qytetarët maqedonas të cilët ishin tubuar pranë selisë së VMRO-DOMNE, ndërsa ka theksuar se e kupton revoltën e tyre.

Media maqedonase “Zhurnal Plus” shkruan se zëdhënësi i qeverisë Aleksandër Gjorgjiev, është shprehur se ka incizime ku tregohet e kundërta, se Gruevski është pritur me brohoritje të emrit të tij.

“Nuk e di nga kanë dalë këto dezinformata që kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski është pritur në mënyrë të tensionuar nga qytetarët e Kërçovës. Këtë do ta shihni nga materialet e incizimeve ku kryeministri është pritur në mënyrë euforike, ku brohoritej emri Nikola, Nikola. Unë pash një shkrim në një portal me prapavijë të dyshimtë që rrjedh nga një televizion i mëparshëm, por gjithçka është e pasaktë”, tha për “Zhurnal plus” Gjorgjiev.

Ndërkaq, Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski tha se kjo nuk do të jetë vizita e tij e fundit në këtë qytet, ndërsa i është drejtuar qytetarëve duke thënë:

“E kuptoj mllefin dhe revoltën e qytetarëve ngase edhe tek unë ekziston i njëjti mllef dhe revoltë. Ata tani kanë probleme, kanë sfida, ndërsa ato janë edhe sfida e probleme të mia. Prandaj jam këto”.

Qeveria, ka shtuar ai, edhe më tej do të vazhdojë të punojë për Kërçovën. “Erdha këtu, në dallim nga disa të tjerë të cilët nuk ishin fare as më herët e as tani. Unë jam këtu dhe do të vij përsëri”, shtoi ai.

Gruevski ka nënvizuar se Kërçova është Republika e Maqedonisë dhe do të ngelet Republika e Maqedonisë. Kurse Qeveria në të ardhmen do t’i trefishojë përpjekjet për t’iu ndihmuar këtyre njerëzve këtu, që të ketë më shumë vende pune, ndërtime të reja dhe investime”.

Në shoqërinë e kryeministrit kanë qenë edhe deputetët e zonës të VMRO-DPMNE-së dhe tanimë ish-kryetari i Kërçovës, Despotovski.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)