Kreu i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Tiranë Nikolin Jaka, kërkon në gjykatën e Tiranës 7 milion e 800 mijë lekë si kompesim të ditëve të qëndrimit në burg. Padia e Jakës është rregjistruar në 28 maj të këtij viti në gjykatën e kryeqytetit dhe se kreu i Dhomës së tregtisë dhe Industrisë kërkon dëmshpërblim për periudhën e qëndrimit në burg nga data 17 tetor 2007 në 30 maj 2008. Pikërisht në këtë periudhë Jaka ka qëndruar në dhomat e paraburgimit për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në atë kohë Jaka mbante postin e zv/ministrit të transporteve ndërkohë që bashkë me të janë arrestuar dhe Bashkim Kamberi, Alban Qafa, Arjan Sheti, Enton Resuli, Ilirjan Berzani dhe Xhevahir Muçogllava. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, gjithë zyrtarët e lartpërmendur janë përfshirë në korrupsion me dy biznesmenët, Isuf Ukperaj dhe Skënder Bokçiu. Këta dy të fundit, duke përdorur disa prej punonjësve të administratës në rolin e sekserëve, kanë ndërhyrë deri te zëvendësministri i Transporteve, Jaka, për të prenotuar tenderët e gjashtë muajve të ardhshëm.