Me mbylljen e vitit, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u është drejtuar me një letër deputetëve në mënyrë që të shmangen tensionet dhe retorikat me debate në sallën e parlamentit. Nikolla shkruan se debatet janë thelbi i demokracisë parlamentare por se fjala duhet të shoqërohet me përgjegjësi e qytetari.
“Me rastin e mbylljes së sesionit parlamentar, dëshiroj t’ju falenderoj të gjithë Ju, deputetë të mazhorancës dhe opozitës, për kontributin Tuaj në debatin parlamentar të të gjitha përmasave, në ushtrimin e funksioneve dhe në veprimtaritë e Kuvendit të Shqipërisë.
Sesioni që sapo mbyllëm ishte një kohë punësh të rëndësishme për hartimin e akteve ligjore, kontrollin e monitorimin e qeverisë dhe mbështetjen e institucioneve të pavarura.
16 seancat plenare, 85 mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe dhjetra veprimtari të tjera parlamentare, i kemi realizuar bashkarisht, në komunikim me njeri-tjetrin, ku ka mbizotëruar transparenca në rritje si shërbim ndaj qytetarëve.
Në punën time të përditshme jam përpjekur t’i qëndroj besnike angazhimit tim publik për të qenë e paanshme, në mënyrë që të gjithë deputetët të gëzojnë hapësirat dhe aksesin në seancat plenare, komisionet dhe veprimtaritë e tjera parlamentare, sipas Kushtetutës dhe Rregullores.
Janë të mirëpritura debatet dhe mospajtimi midis shumicës dhe pakicës. Ato përbëjnë thelbin e demokracisë parlamentare. Kultura joetike dhe joqytetare e debatit është një shembull i keq për shoqërinë dhe, si e tillë, e papranueshme dhe e dëmshme.
Kolege dhe kolegë të nderuar,
I bëj apel ndërgjegjes Suaj qytetare që në çdo debat të respektojmë kodet tona zakonore, kuvendet e odat shqiptare, të gjithë atë që ne e konsiderojmë traditë të vyer dhe krenohemi me të.
Liria e fjalës është dhe do të mbetet thelbi i demokracisë. Që kjo liri të mos cenohet kurrë, fjala duhet të udhëtojë gjithmonë përkrah përgjegjësiaë, akuza përkrah faktit.
Me modesti Ju sjell në vëmendje maksimën e Papa Françeskut se moskontrolli i fjalëve të këqia sjell edhe moskontrollin e ndenjave dhe shkakton një ndotje shumë më të madhe sesa ndotja e mjedisit.
Përfitoj nga ky rast për të përsëritur urimin tim për një vit të ri të mbarë për vendin tonë të dashur, Shqipërinë, dhe shëndet e gëzime në familjet Tuaja!
Sinqerisht, Lindita NIKOLLA”- shkroi Nikolla.
Deputet jane kthyer ne kafshe
Përgjigju