/ATSH-Z.Tosku/- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla nëpërmjet një statusi në rrjetin social "Facebook" uroi studenten shqiptare Teuta Turani e cila është shpallur si studentja më e mirë e huaj nga Universiteti i Venecias.
"Përgëzime Teuta Turanit e cila është shpallur si studentja më e mirë e huaj nga Universiteti i Venecias. Kjo është hera e parë që një studente shqiptare vlerësohet me këtë çmim.Tashmë e diplomuar në ekonomi, Teuta dëshiron të kthehet në Shqipëri dhe kjo gjë më entuziazmon", nënvizoi Nikolla.
Teuta Turani është diplomuar për Ekonomi dhe është angazhuar në çështje dhe kauza, që lidhen me të drejtat e njeriut, ngrohjen globale etj. Ndërkaq, Teuta ka formuar dhe drejtuar delegacionin e parë venecian, në një ndër konferencat më prestigjioze në Universitetin e Harvardit, ku stimulohet një model i Kombeve të Bashkuara. Ajo është angazhuar për të drejtat e njeriut, në vende si Palestina dhe Egjipti, gjatë trazirave politike e sociale.
Bashkë me dy miq të saj, ajo promovon bashkëpunimin italo-ballkanik. Gjithashtu, ajo është përzgjedhur për të mbajtur një fjalim më 18 Prill, në sheshin historik "San Marco", para një publiku që mund të arrijë deri në 4 mijë vetë.