Nikolla në Report Tv: Brenda kësaj jave në qarkun e Lezhës të gjithë në çadra dimërore
Deputetja e Partisë Socialiste Lindita Nikolla e ftuar në studion e Report Tv foli për situatën post-tërmet në qarkun e Lezhës. Ajo u shpreh se 1200 banorë janë strehuar në Hotele, 600 çadra janë shpërndarë në fshatrat e Lezhës, ndërsa 970 familje kanë përfituar bonusin e qirasë.
Redaksia 8 Janar 2020, 16:30 | Përditesimi: 8 Janar 2020, 16:39
TIRANE- Kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga tërmeti tragjik që mori dhjetëra jetë njerëzish, qindra familje vijojnë të mos kthehen në banesat e tyre, për shkak të dëmeve të mëdha që kanë pësuar. Deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Lindita Nikolla, e ftuar në studion e Report Tv u shpreh se 1200 banorë janë strehuar në Hotele, ndërsa 600 çadra vijojnë të jenë streha e familjeve të prekura nga tërmeti.
“Banorët e prekur nga tërmeti të strehuar në Shëngjin janë rreth 1200 banorë. Ka pasur edhe largime, nga ata banorë që janë vendosur në shtëpitë me qira. Por kemi edhe rreth 600 çadra në ato zona, fshatra tek ato banorë që nuk kanë preferuar të largohen pasi aty kanë gjënë e gjallë. Deri në këtë moment që flasim Prefekti ka konfirmuar 970 familje që kanë përfituar bonusin e qerasë”, tha deputetja e PS-së në qarkun Lezhë, Lindita Nikolla.
Nikolla pranoi se shumë prej familjeve po kalojnë netë të vështira në këto ditë të ftohta dimri, por tha se brenda kësaj jave do të bëhet zëvendësimi i çadrave verore me ato dimërore.
"A do të mundni që t’i zëvendësojmë çadrat verore, pavarësisht se ju thatë se çdo ditë po i zëvendësoni, pasi është shumë e dhimbshme?Kjo është detyrë dhe unë them se brenda kësaj jave, kjo detyrë përmbushet”, tha Nikolla.
Tërmeti i 26 nëntorit la pas 51 viktima, rreth 900 të plagosur dhe dëme të shumta materiale në disa qarqe të vendit