Nikolla padit Blushin për shpifje:
I pangopur që kërkoje favore

Nikolla padit Blushin për shpifje:<br />I pangopur që kërkoje favore
TIRANE-Ish-ministrja e Arsimit dhe Sporteve ka paditur për shpifje deputetin Ben Blushi.

Lajmi konfirmohet nga vetë Lindita Nikolla e cila e akuzon kreune  LIBRA-s edhe si një personazh të pangopur që dikur u kërkonte favore ministrave socialistë.

Padia e Nikollës vjen pas akuzave publike të Ben Blushit se Nikolla në bashkëpunim me shoqëruesin dhe shoferin e saj shisnin diploma kundrejt 3 mijë eurove.

Akuzave të Blushit iu është përgjigjur edhe ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila ka shkruar në rrjetin social Facebook se nuk ka njohje me Blushin, ndërsa theksoi se ai do marrë ndëshkimin e qytetarëve në 25 qershor. 

Shkrimi i Lindita Nikollës:

Dua t’ju bëj me dije se sot kam nisur procedurën e padisë për shpifje për Ben Blushin.

Nuk do t’i ndahem këtij shpifaraku profesionist, derisa ai të marrë dënimin e merituar në gjykatë.

U bë e disata herë që njeriu më parazit që kam njohur në jetën time, më sulmon paturpësisht me gojën e tij të shthurur nga ligësia e mediokritetit.

Një karrierist i llastuar nga jeta, që tri herë u bë ministër dhe tri herë u largua nga detyra pa bërë asnjë punë, nuk mund të shitet sot si politikë e re, pas 20 vitesh në korridoret e pushtetit.

Një personazh i pangopur, që i kërkonte ministrave “mediokër” të Edi Ramës, favore.

Kur ky njeri e pa që nuk i’u hapën dyert për çudirat që kërkonte, me ngulmin e njeriut parimor, filloi sulmin e mllefit kundër Edi Ramës dhe ministrave “mediokër”.

Kam vendosur ta ndjek deri në fund në rrugë gjyqësore këtë njeri që sot e gjithë kohën do të mbahet mend në Ministrinë e Arsimit, si ministri i arrogancës dhe asgjësë.

Ky gojëlig që shantazhonte kolegët për të nxjerrë, siç e quan edhe vetë pa pikën e turpit, fitimet nga aksionet e veta politike, nuk mund të jetë destinacion për besimin e votuesve që nuk e njohin.

Ky njeri ka krijuar partinë e vogël fitimprurëse të radhës, duke premtuar Republikën e Re.

Ky farë burri, pa din e iman, meriton jo vetëm që të mos i jepet asnjë votë, por, gjithashtu, edhe dënim për shpifjet e tij për shkak të detyrës.

Demaskimi i këtij paraziti ekzemplar të jetës publike është një detyrim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që njësoj si ne, kur nuk e njohin se çfarë marifetçiu i paskrupullt është, mund të bien pre e shpellës së errët të gojës së tij të ligë.

Reagimi i Manastirliut:
Dëgjova që z. Blushi më ka përgojuar dje në një ekran televiziv, duke përdorur fjalë rruge ndaj meje. 

Jam e çuditur se nuk e njoh dhe nuk më njeh. Po me sa duket ata që e njohin dhe tregojnë çudira për këtë burrë gojëlëshuar, paskan shumë të drejtë. 
Sidoqoftë i them z. Blushi se ajo që kam dëgjuar prej tij për shëndetësinë, është shumë qesharake dhe për një njeri pa shkollë, jo më për një deputet.

Do ta vendosin qytetarët e Tiranës nëse do ketë më vend në Parlament, për këtë zotëri që shan gratë si burrë i dehur!

Por nëse do ketë aq shumë njerëz që do gënjehen prej përrallave të tij, me shumë kënaqësi do t'ia tregoj nga foltorja e Parlamentit të ri se pse ai nuk ka asnjë bazë dijesh, për të folur për ato që merr përsipër të flasë.


(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel