Nikolla pritet në Audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku: Popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre

Nikolla pritet në Audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku: Popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre

Lindita Nikolla, Papa Françesku, Agron Gjekmarkaj gjatë vizitës në Vatikan

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe Zëvëndëskryetari Agron Gjekmarkaj, u pritën në Audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Në takim ishte e pranishme edhe znj. Majlinda Dodaj, Kreu i Misionit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, vuri në dukje disa nga vlerat e popullit shqiptar dhe theksoi se ndjek me simpati arritjet dhe përparimin e Shqipërisë dhe popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre. Duke vlerësuar përpjekjet për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, Ati i Shenjtë theksoi se gratë janë të vendosura dhe të sakrificës dhe shoqëria duhet të bëjë më shumë për ato.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, pasi e falënderoi Atin e Shenjtë  për audiencën, e njohu me situatën në Shqipëri, vlerat dhe aspiratat evropiane  të popullin shqiptar dhe shprehu mirënjohjen  e thellë të besimtarëve katolikë dhe të gjithë qytetarëve  për përkushtimin e Atit të Shenjtë  ndaj Shqipërisë e shqiptarëve.

“Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Bashkëjetesa harmonike dhe respekti midis besimeve kanë një trashëgimi historike. Ne, shqiptarët, nuk kemi njohur asnjëherë konflikte fetare dhe ky tipar universal është një krenari kombëtare e jona. Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej diplomacisë dhe bashkëpunimit fetar. Ato janë marrëdhënie të fuqishme shpirtërore dhe një frymëzim i madh për besimtarët e qytetarët. Pritja nga Ati i Shenjtë para pak kohësh e drejtuesve të komunitetit mysliman është një vlerësim dhe inkurajim për tolerancën dhe respektin fetar në Shqipëri.”, u shpreh Nikolla.

Kryetarja Nikolla vlerësoi gjithashtu kontributin e Selisë së Shenjtë nëpërmjet nismave e projekteve kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale e humane si edhe për restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Shqipëri.

Njëkohësisht ajo shprehu vlerësimin e mirënjohjen për kontributin e madh të besimtarëve dhe Kishës Katolike për ndihmën ndaj qytetarëve për përballimin e pasojave të tërmetit e pandemisë si edhe për kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave të dashurisë, solidaritetit e humanizmit.

Besmitarët katolikë dhe institucionet e Shqipërisë mirëpritën emërimin e Monsignor Arjan Dodaj si Kryeipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

Në përfundim të takimit, Papa Françesku i përcolli Kryetares së Kuvendit urimet më të mira për popullin shqiptar, shoqëruar me bekimin tij apostolik.

Pas audiencës me Papën, Kryetarja e Kuvendit dhe Zëvëndëskryetari u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

Gjatë takimit u vunë në dukje marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe u shpreh dëshira për forcimin e bashkëpunimit.

Nikolla e falenderoi  Sekretarin e Shtetit Parolin për kontributin që jep Kisha Katolike, përmes institucioneve të saj kishtare, arsimore e shëndetësore në Shqipëri.

Sekretari i Shtetit Parolin vlerësoi bashkëpunimin e Znj. Nikolla dhe z. Gjekmarkaj dhe vuri në dukje se, pavarësisht bindjeve e qëndrimeve politike, bashkëpunimi parlamentar e politik duhet të mbështetet në vlerat e përbashkëta të humanizmit e solidaritetit.

Nikolla dhe Sekretari i Shtetit Parolin diskutuan edhe për zhvillimet në Shqipëri, situatën pas pandemisë, avancimin e procesit të integrimit evropian, zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ndikimin në Shqipëri e rajon  të luftës në Ukrainë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:57
‘E dua Shqipërinë, lutem për të’, Agron Gjekmarkaj ndan mbresat e takimit me Atin e Shenjtë

Nënkryetaru i Kuvendit Agron Gjekmarkaj me anë të një postimi në facebook ndan mbresat e takimit me Atin e Shenjtë dhe bisedën me të.

"E dua Shqipërinë, lutem për të! Një politikë për njerëzit, duhet gjithmonë të punoni për ta, një popull që punon fiton”, ka thënë Papa Francesku në takim.

Ati i Shenjtë ka vlerësuar dhe njëherë harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë.

Gjithashtu Gjekmarkaj u takua dhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit Kardinalin Parolin.

“Miqësore, e përkushtuar dhe e përzemërt biseda me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Parolin.
Mbështetje për Shqipërinë, vëmendje e interes për të kuptuar të gjitha dinamikat e saj demokratike, shoqërore, integruese, gjeopolitike si dhe raportet me kultet!
Sekretari Parolin rikonfirmoi miqësinë dhe mbështetjen e Vatikanit për popullin shqiptar, si vazhdim i një tradite historike e cila përsos vetveten. Takime të paharrueshme në një ditë që të shenjon kujtesën për gjithmonë”, shkruan Gjekmarkaj

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Perralla me mbret: 07/06/2022 16:30

    Kush vdiq qe jane veshur me te zeza dhe me shami? Ne duam te shkojme ne Evrope duke perqafuar arsyen dhe vlerat e iluminizmit apo supersticionin dhe obskurantizmin?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja